» “eTwinning”, mundësi dhe sfida për Shkollat Qendra Komunitare




Postuar më: 11/07/2018

“eTwinning”, mundësi dhe sfida për Shkollat Qendra Komunitare

Në datën 19 Qershor u organizua në ambientet e Hotel Tirana International aktiviteti: “eTwinning, mundësi dhe sfida për SHQK-të”. Ky aktivitet synoi të demonstrojë përpara pjesëmarrësve sinergjitë e shkollës eTwinning dhe Shkollës Qendër Komunitare. Në aktivitet morën pjesë rreth 200 mësues dhe përfaqësues të shkollave qendra komunitare në nivel kombëtar. Gjithashtu, morën pjesë përfaqësuesit e drejtorive arsimore dhe drejtues të shkollave. Takimin e përshëndeti Zëvendësministrja e Arsimit, Znj. Besa Shahini, e cila e cilësoi rolin dhe mbështetjen e MASR në procesin e moderimit të tyre për përfshirjen në rrjetin eTwinning. Ambasadoret e rrjetit eTwinning vunë në përdorim të pjesëmarrësve padlet-in, i cili mundësoi ndarjen e ideve dhe sugjerimeve nga vetë shkollat SHQK për përfshirjen e tyre në rrjetin eTwinning.

Prezantimet e ofruara në këtë tryezë të rrumbullakët, u dhanë mundësi pjesëmarrësve të konceptonin mënyrën e funksionimit të shkollave SHQK dhe oportunitetet që këto shkolla kanë për t’u angazhuar si shkolla eTwinning. Gjithashtu në takim u prezantuan funksionalitetet kryesore të platformës eTwinning si dhe u demonstruan mënyrat e përfshirjes në këtë platformë.

Njëkohësisht pjesëmarrësit diskutuan dhe sygjeruan veprime konkrete në drejtim të moderimit të këtyre shkollave nga ambasadorët dhe koordinatorët e rrjetit eTwinning. Ky proces do të fillojë me nisjen vitit të ri shkollor, në Tetor 2018. Gjate këtij procesi synohet nxitja dhe përfshirja e shkollave në projekte të përbashkëta me partnerë të huaj, drejt binjakëzimeve të ndërsjellta. Këto binjakëzime do t’i japin mundësi shkollave, mësuesve dhe nxënësve të shkëmbejnë eksperienca dhe ide, të organizojnë aktivitete e të shkëmbejnë kultura të ndryshme.