» Fjala e ministres gjatë inspektimit të nismës "Bëjmë detyrat e shtëpisë" në "Shkollën e Kuqe", Tiranë




Postuar më: 27/02/2018

Fjala e ministres gjatë inspektimit të nismës "Bëjmë detyrat e shtëpisë" në "Shkollën e Kuqe", Tiranë

 

Ministrja Nikolla

Unë do doja të falenderoja të gjithë mësuesit e Tiranës që janë përfshirë në projektin “Të bëjmë  detyrat e shtëpisë”, janë përgjigjur në lartësinë e detyrës, në të gjithë atë që në fakt ka qenë projekti dhe vizioni ynë për të mundësuar një histori të re, në kuptimin e lehtësimit të barrës familjeve shqiptare, por edhe në kushtet e barazisë plot në arsim jo vetëm gjatë orarit mësimor, por dhe në atë që shkolla ka detyrë në fakt në përgatitjen e detyrave për të nesërmen ditë mësimore. Besoj që edhe shkolla e kuqe ashtu sikurse unë kam inspektuar edhe një shkollë tjetër në Lezhë dhe shkolla të tjera në bashki të tjera të vendit, do të jenë promotore dhe modele të para për të mundësuar një histori të re në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Ne po vëzhgojmë me vëmendje jo vetëm nevojat që kanë mësuesit dhe shkollat që ky projekt të zbatohet në mënyrë për të kënaqur të gjitha pritshmëritë tona, që është shumë e rëndësishme duke verifikuar hap pas hapi situatën sesa ky projekt ndikon në arritjet e nxënësve. Është i mirëpritur nga prindërit dhe ne besoj shumë shpejtë do kemi raportime se si ka evoluar cilësia e nxënies në të gjitha shkollat që janë përfshirë në projektin “Të bëjmë  detyrat e shtëpisë”. Jam e lumtur po ashtu t’iu them që edhe nisma “3 lëndë në 6 orë” i ka shërbyer një procesi lehtësimi të barrës dhe mbi ngarkesës në shkollat tona, ashtu sikurse është një nismë e shumë mirëpritur nga prindërit, nxënësit dhe nga mësuesit, por pa dyshim është komplementare me projektin “Të bëjmë detyrat e shtëpisë” se tashmë fëmijët kanë më pak ngarkesë për t’u përgatitur, kanë maksimalisht tre lëndë për ditën tjetër dhe sigurisht më shumë kohë të lirë për t’u marr edhe me aktivitete të tjera me prindërit. Dua të vë theksin që “Të bëjmë  detyrat e shtëpisë” e largon barrën nga familjet për të përgatitur detyrat e shtëpisë fëmijëve të tyre apo për të gjetur edhe kushte suplementare aty ku mungon që familja t’a ofrojë këtë mundësi, duke e kthyer barrën nga familja aty ku e ka vendin, që është shkolla, që është klasa, që është mësuesi. Ndaj është përgjegjësia jonë, detyra jonë, detyra e shkollës që ne të realizojmë edhe këtë aspekt të rëndësishëm të arritjes së  nxënësve në shkollë. Do të falenderoja po ashtu të gjithë prindërit që janë përfshirë dhe kanë qenë një ndihmë e vyer në këtë projekt, klasat çdo ditë e më shumë shtohen me nxënës që marrin pjesë në bërjen e detyrave të shtëpisë, por nga ana tjetër për ne si ministri, si drejtori shkollash, si Instituti i Zhvillimit të Arsimit, është shumë e rëndësishme edhe monitorimi që i bëhet nga prindërit duke dhënë refleksionet e tyre përmes këshillave të vyera, aprovimit apo edhe ndihmës për të përmirësuar momente të caktuara, kështu që unë ju falenderoj.

 

Pyetje: Sa ka shkuar numri i shkollave të mbyllura për shkak të kushteve të motit në vend?

Ministrja: Ne kemi ndjekur hap pas hapi këtë proces, janë 321 shkolla që raportohen, kryesisht në qarqet e veriut të cilët kanë pezulluar procesin mësimor për shkak të temperaturave të ulëta.

Pyetje :A do të ketë ulje pagash për mësuesit të Arsimit Parauniversitar që kanë përfunduar institutet 3-vjeçare para viteve ‘90?

Ministrja: Absolutisht jo, është sqaruar nga Ministria e Arsimit dje, vijoj t’a sqarojmë është një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave dhe nuk ka asnjë lloj dileme që mund të bëjë një mësues te caktuar që ka mbaruar institutet pedagogjike para ’90 që të ketë merakun e uljes së pagës. Asnjë ndryshim në pagë, vetëm mbështetje dhe më shumë për mësuesit.

Pyetje: Për sa i përket kontratave kolektive, do të ketë një datë kur do të nisin sërish negociatat, si po shkon procesi?

Ministrja: Në informimin që unë kam procesi po ndjek të gjitha hapat ligjore, por është një proces që vetëm ka kërkuar kohën e vetë për të qenë i drejtë dhe për të qenë konform ligjit. Shumë mirë asnjë shqetësim nuk kemi, shumë shpejtë do të kemi vendimmarrje.

Pyetje: Po shkollat që nuk kanë bërë mësim si do të zëvendësohen, ka një ditë për këtë?

Ministrja: Edhe kjo është një praktikë që edhe ligji e njeh edhe dispozitat normative, patjetër do të zëvendësohen mbetet në tagër të vendimmarrjes së shkollave dhe drejtorive arsimore për të bërë gjithë zëvendësimin, nuk do të ketë asnjë lloj problemi që lidhet me realizimin e programit mësimor, sepse hapësirat janë të nevojshme dhe të mjaftueshme për t’a plotësuar atë 100%. Faleminderit!