» Fjala e ministres Lindita Nikolla në takimin me maturantët e gjimnazeve të Tiranës




Postuar më: 02/03/2018

Fjala e ministres Lindita Nikolla në takimin me maturantët e gjimnazeve të Tiranës

Mirëserdhët! Besoj që është një mundësi e mirë për të pasur mysafir kaq të veçantë siç janë maturantët e gjimnazeve të Tiranës. Koleget e mia e filluan menjëherë nga detyrat që keni ju për të përmbyllur një vit shumë të rëndësishëm të jetës tuaj, por unë do ta filloja me një urim special për secilin prej jush.

Së pari, suksese dhe me qetësinë e duhur ju garantoj se procesi i përfundimit të maturës përmes certifikimit të rezultateve të provimeve ashtu dhe proçesi tjetër që pason, momenti shumë i rëndësishëm i zgjedhjes së jetës suaj për të hyrë në Universitet, tashmë janë procese të garantuara të standardizuara dhe të certifikuara në kuptimin më të plotë të fjalës në favorin tuaj. Në favor të meritës, në favor të zgjedhjes që ju keni për të mundësuar pa dyshim suksesin tuaj edhe nesër kur ju të jeni pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare dhe e tregut të punës, por pa dyshim edhe për secilin prej jush që ndoshta ka dëshirën për të vijuar studimet e larta jo në Shqipëri por në një vend të Bashkimit Evropian apo diku tjetër.

Unë do doja t’iu thoja secilit prej jush dhe çdo maturanti tjetër që përpos qetësisë që duhet të jetë pjesë e çdo dite teksa ju merrni vendimin si për zgjedhjen e lëndëve me zgjedhje në provimet e maturës shtetërore, ashtu dhe më pas për t’u lidhur kjo me përzgjedhjen tuaj në universitet, të merrni kohën e nevojshme për t’u informuar me gjithçka që universitetet, programet e studimit të tyre kanë dedikuar apo kanë përcaktuar si kriter.

Ju bëj me dije që nuk ka ndryshime. Pothuajse janë po ato kritere që universitetet kanë shpallur edhe një vit më parë me ndryshime fare të vogla, ndaj ju konsultohuni si në website-t e universiteteve por po ashtu edhe një faqe të dedikuar këtij procesi që është faqja u-albania dhe ku secili prej jush ka gjithë hapësirat e dedikuara, informacionet e nevojshëm për IAL-të programet e tyre të studimit, shumëçka nga profesorati, nga kurrikulat, kriteret e përcaktuara nga universitetet, si kanë qenë pranimet një vit më parë, kur është mbyllur, në cilën notë mesatare është mbyllur lista e fituesve një vit më parë dhe shumë e shumë informacione të caktuara.

Unë kam një dëshirë të ndaj me juve një eksperiment të shumë maturantëve të cilët kanë rezultuar të suksesshëm në sistemin e ri të pranimeve duke ju thënë një të vërtetë të madhe të këtij sistemi: Në vitin e kaluar ne nuk patëm asnjë problematikë të shfaqur të sistemit apo ndonjë ankimim të ardhur nga maturantët për shkak të mosfunksionimit të sistemit, por ashtu sikurse në fakt na është thënë dhe nuk është ky një konstatim vetëm i yni, funksionoi si sahat dhe secili prej maturantëve edhe në celularin e vet njoftohej në kohë reale se si po përparonte në degët e zgjedhura.

Do të keni të njëjtën skemë, nuk do të keni surpriza apo ndryshime nga ajo që qe e një viti më parë, por unë do doja vetëm një ushtrim të thjeshtë në momentin që ne do të kemi të shpallura kriteret në portalin u-albania. Secili prej jush ka për detyrë, me një qetësi padyshim të nevojshme, me një fletë të bardhë përpara, nëse unë dua të bëhem një mësuese në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për matematikë, të shikoj tek Universiteti i Tiranës, te Fakulteti i Shkencave të Natyrës kriteret dhe të shikoj kush është kriteri, shikoni se sa ju i plotësoni ato kritere, dhe në fund fare thuaji vetes që: “unë jam një nga plotësuesit e kritereve, ndaj e kam të qartë rrugëtimin tim për të aplikuar”, në degën e matematikës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, apo kushdo tjetër në ekonomik, në juridik, apo çfarë janë dëshirat tuaja.

Është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë një proces që bëhet duke marrë gjithë kohën dhe qetësinë personale, pa dëgjuar të tjerë, shok tuaj për eksperiencat e tyre, sepse secili program studimi ka kriteret e veta dhe secili prej jush ka të dhënat që janë personale që lidhen si me notën mesatare, si me notat mesatare në grup lëndësh të caktuara që fakulteti, ai program studimi e ka përcaktuar si një kriter bazë për të qenë fitues në atë program studimi. Ndërkohë, patjetër ne jemi në komunikim edhe me gjimnazet. Jo vetëm me të Tiranës por me të gjithë Shqipërisë që në gjithë këto ditë ju të keni mundësitë që në hapësirat e gjimnazit të informoheni, të mirë-informoheni mbi ofertën akademike të institucioneve tona të arsimit të lartë. Po ashtu, në këtë shërbim do të jetë jo vetëm website i Ministrisë së Arsimit, por do të keni edhe Qendrën Kombëtare Rinore këtu në Tiranë, që do të jetë në dispozicion të universiteteve dhe të maturantëve për të komunikuar dhe për të kryer procesin e informimit.

Universitetet do vijnë edhe pranë gjimnazeve. Do të kemi javë të etiketuar informacioni për maturantët. Besoj që për secilin prej jush duhet të jetë e qartë, jo vetëm zgjedhja që do të bëni në bazë të meritës dhe preferencës, por besoj asnjë lloj meraku që për shkak të mos informimit ne të bëjmë një zgjedhje që nuk është e duhura apo që nuk do jetë fituese.

Gjëja tjetër që unë përfitoj nga rasti të ndaj me ju është një ftesë shumë e sinqertë, por jo thjesht se vjen nga fakti që këtu jemi në godinën e Ministrisë së Arsimit, por nga një dëshirë e madhe e jona për të informuar maturantët, ata më të mirët që zgjedhin programet e mësuesisë, qeveria shqiptare e ka shpallur mësuesinë prioritet duke vendosur një rritje të notës mesatare për ata maturantë që do zgjedhin programet e mësuesisë dhe nga ana tjetër, kushdo maturant me një notë mesatare të lartë, mbi 9, apo mbi 9,5 që do caktohet nga këshilli i ministrave, ne do të kemi mbulim të plotë të të gjithë kostove të shkollimit. Do të mbështesim ekselentët, ata më të mirët që nesër do të jenë edhe mësuesit më të mirë në institucionet tona të arsimit të lartë, për ju të arsimit të mesëm apo edhe 9-vjeçare.

Dikush nga ju mund të pyesë që pse unë duhet të zgjedh për mësues dhe unë dua t’iu them po ashtu që kur themi që qeveria jonë e ka shpallur mësuesinë prioritet nuk do të thotë vetëm që ka shpallur prioritet faktin për të mbuluar gjithë tarifat e studimit dhe kostot e maturantëve ekselentë që zgjedhin mësuesinë, por nga ana tjetër ne po punojmë shumë me programe që formojnë mësues në fakultetet e edukimit në universitete tona në mënyrë që ne të përafrojmë gjithë kurrikulën me standardet më të mira evropiane dhe nga ana tjetër ka të bëjë me atë që do të jetë e nesërmja, studimet e mira, që do të thotë punësimi juaj, një proces sa serioz edhe i garantuar sepse ju e dini që sistemi ynë arsimor ka shumë nevojë për mësues e ca më shumë për mësues cilësorë që pasohet pastaj edhe me gjithë iniciativat që qeveria shqiptare është angazhuar si me rritjen e pagës, po ashtu edhe me një burim cilësor të gjithë procesit të kualifikimit.

Por përtej ftesës shumë të sinqertë dhe miqësore unë doja po ashtu t’iu thoja që të jesh mësues është një profesion shumë i bukur, është një mision padyshim dhe jo vetëm që nuk i ka ikur koha në kuptimin që ne themi dhe e veshim mësuesin me atë aureolën e një misionari, por besoj sot më shumë se kurrë është pikërisht kjo aureole që vjen prej misionit, i një misioni krejt të ri që ka sistemi ynë arsimor, për t’iu përshtatur asaj që sot është trendi i kohës dhe i arsimit cilësor në botë që është një qasje e re që i largohet tipologjisë së vjetër të një mësuesi që kërkonte të mbante në klasë vetëm informacion me nxënësit dhe kërkonte sa është niveli i informacionit që nxënësi ka në kokë. Por është krejt një sistem i ri që orientohet nga aftësitë për t’i përdorur njohuritë dhe sa më shumë aftësitë për të shërbyer nesër kur përballesh me shumë probleme të shoqërisë dhe të tregut edhe të jetës.

Ndaj, në këtë aspekt, kush më mirë se sa gjenerata juaj mund t’i shërbejë këtij misioni edhe të mirë paguar edhe të mbështetur nga shoqëria edhe të një figure serioze dhe dinjitoze për sa i përket respektit që shoqëria do të ketë për figurën e mësuesit. Por ndërkohë ju jeni të lirë të zgjidhni padyshim ato preferencat tuaja dhe diçka që ju keni dëshiruar dhe aspironi për të kryer studimet e larta.

Unë do ta ndaloj këtu fjalën time për të qenë me ju për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve apo dilemave që ju keni, duke ju thënë që sigurisht jeni para një zgjedhjeje të rëndësishme të jetës suaj dhe janë të pashmangshme edhe dilemat edhe momentet që lidhen me një lloj tensioni të brendshëm personal. Kjo është e natyrshme po për sa na takon ne, për sa i takon të gjithë përgatitjeve që universitetet po bëjnë, po ashtu punës që mësuesit tuaj, drejtoritë e shkollave dhe gjithë sistemi arsimor këtu, është një garanci e fortë që dilemat mund të jenë personale. Por ju mos keni asnjë lloj shqetësimi që lidhet për shkak të mungesës së informacionit apo të mosfunksionimit të sistemit, janë tashmë të detajuara çdo lloj problematike e tij.

Vjet ne realizuam një proces gati perfekt, jemi pritur nga maturantët, nga prindërit dhe nga institucionet tona të arsimit të lartë, kemi filluar në kohën e duhur gjithë procesin e komunikimit me universitetet. Ato po marrin vendimet e duhura dhe ju do të jeni jo vetëm të informuar por të qartë në zgjedhjen tuaj.

Ndërkohë që, po ashtu jemi duke bashkëpunuar me shkollat në mënyrë që ato të bëjnë siç duhet procesin e këshillimit të çdo maturanti po ashtu sikurse të bëjnë përmes një kalendari të përcaktuar edhe procesin që lidhet me konsultimet që shkolla ka detyrimin t’i bëjë. Mësuesit tuaj kanë detyrim t’i bëjnë falas, dhe i mëshoj kësaj fjale, me gjithë maturantët në mënyrë që mos të keni asnjë paqartësi që të keni edhe suksese në provimet e maturës shtetërore.

Për provimet e maturës shtetërore, që unë dua t’ju them edhe njëherë, ne do të marrim masat maksimale që të jenë të mirë administruara, që historitë e kopjes dhe celularëve apo e gjithçkaje tjetër të mos jenë më pjesë e vlerësimit të procesit të maturës shtetërore kështu që, duhet që haka të shkojë tek i zoti në kuptimin e plotë të fjalës, i pa ndihmuar nga ndërhyrjet e jashtme, por padyshim në gjithë talentin tuaj, punën dhe energjinë që ju keni bërë në gjithë vitet e shkollimit tuaj për ndërrimin e një prej cikleve më të rëndësishme të jetës që është ajo e gjimnazit.

Ndaj duke ju uruar suksese, edhe njëherë ju garantoj në cilësinë time si ministre, në detyrën dhe përgjegjshmërinë time por edhe gjithë skuadrës së Ministrisë së Arsimit, që do të jemi krah jush për t’iu informuar, për t’iu mbështetur me informacion, me këshillim karriere po ashtu si dhe me procesin e konsultimeve për provimet e maturës shtetërore, por edhe me një garanci tjetër që procesi i vlerësimit dhe monitorimit të maturës shtetërore do të jetë në kushtet e rreptësisë maksimale, seriozitetit në mënyrë që nota juaj të jetë e juaja dhe e askujt tjetër.

Faleminderit!