» Prindërit




Postuar më: 31/01/2018

Prindërit

Të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve i përfshin detyrimi shkollor, janë të detyruar t’i dërgojnë fëmijët e tyre në institucione publike ose private të arsimit të detyruar. Arsimi i detyruar publik është arsimi bazë, i njësuar dhe i përgjithshëm. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.  Shkolla e arsimit të detyruar publik përfshin dy cikle; ciklin fillor dhe ciklin e lartë.
Shkolla e arsimit të detyruar mund të jetë shkollë me cikël të plotë ose shkollë me kohë të shkurtuar. Shtetasit që kanë mbushur moshën 16 vjeç, por që nuk kanë përfunduar arsimin e detyruar, mund të ndjekin shkolla me kohë të shkurtuar.

Regjistrimi në kopshte i fëmijëve të moshës 3-6 vjeç
Kopshtet janë institucione në vartësi të MAS dhe përfshijnë fëmijë të grup moshës (3 – 6) vjeç. Arsimi parashkollor nuk është i detyruar. Ka dy lloje kopshtesh, kopshte gjithëditore dhe kopshte gjysmëditore. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit.

Regjistrimi në kopshte i fëmijëve të moshës 3-6 vjeç bëhet sipas dëshirës së prindërve dhe në përputhje me aktet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit.
Kopshtet mund të jenë pa ushqim ose me ushqim.
Kriteret e pagesës në kopshtet me ushqim caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë të shkollës së arsimit të detyruar
Regjistrimi i fëmijëve në klaë të parë të shkollës së arsimit të detyruar bëhet me këto dokumente:
• Certifikata e lindjes.
• Certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Regjistrimi i fëmijëve në klasat e tjera të shkollës së arsimit të detyruar
Regjistrimi i fëmijëve në klasat e tjera të shkollës së arsimit të detyruar bëhet me këto dokumente:
• Dokumenti i përfundimit të klasës së mëparshme.
• Certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Institucioni arsimor, ku duhet te rregjistrohet femija, percaktohet nga organet e Pushtetit Lokal, me propozim te Drejtorise Arsimore te rrethit.

Regjistrimi i fëmijëve në shkollat e mesme publike
Të gjithë shtetasit kanë të drejtë të arsimohen në shkollat e mesme publike, pasi të kenë përfunduar shkollën e arsimit të detyruar. Arsimi i mesëm publik organizohet sipas niveleve të ndryshme të shkollimit, dallimeve të përmbajtjes dhe të profileve profesionale, në shkolla me kohë të plotë ose të shkurtuar.
Pranimet në shkollat e mesme publike bëhen sipas kritereve që përcakton Ministria e Arsimit dhe e Shkences.  Ajo përcakton gjithashtu edhe kriteret për kalimin e nxënësve nga një lloj shkolle e arsimit të mesëm publik në një tjetër.
Në klasën e parë të shkollave të mesme publike me kohë të plotë pranohen nxënës jo më të mëdhenj se 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të veçanta të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

Regjistrimi i fëmijëve të shtetasve të huaj në klasat e arsimit të detyruar
Edukimi i fëmijëve të qytetarëve të huaj në vendin tonë mbështetet në Nenin 11, pika 11.2 të Ligjit Nr 7952, datë 21.06.1995 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar”, ndryshuar me Ligjin Nr. 8387, datë 30.07.1998 i cili përcakton: “E drejta e shtetasve të huaj për t’u arsimuar në institucionet arsimore publike të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit”.
Sipas nenit 13 të Dispozitave Normative, nxënësit azilantë dhe të huaj të ardhur nga jashtë shtetit regjistrohen për të vazhduar shkollimin në bazë të dokumentit shkollor të shtetit nga vijnë, i cili duhet të jetë i përkthyer e i noterizuar dhe i sigluar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore. Ata regjistrohen në klasën pasardhëse, kur vijnë në fillim të vitit shkollor dhe në klasën përkatëse, kur vijnë gjatë vitit shkollor.
Nxënësi, i cili ka vazhduar studimet në klasa të ndryshme të një shkolle të mesme jashtë shtetit, kur vjen gjatë vitit shkollor, mund të regjistrohet në klasa të ndërmjetme të shkollës së mesme, mbas ekuivalentimit të dëftesave.
Nxënësi, i cili ka kryer 9 klasë në një vend jashtë shtetit, ku arsimi i detyruar është mbi 8 vjet, ka të drejtën të regjistrohet në klasën e dytë të shkollës së mesme, mbas ekuivalentimit të dëftesës së klasës së 9-të.
I huaji, i cili provon me dokumente përfundimin e shkollës së mesme, ka të drejtë të konkurrojë për t’u regjistruar në Institucionet e Arsimit të Lartë. Kurse për mësimin e gjuhës shqipe për të huaj ofrohen pranë Departamentit të Gjuhësisë dhe Letërsisë Shqipe, pranë Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës.

Të rejat e fundit