» U mbajt në Paris më 24-25 Maj 2018 Konferenca e Ministrave të 48 vendeve të EHEA




Postuar më: 29/05/2018

U mbajt në Paris më 24-25 Maj 2018 Konferenca e Ministrave të 48 vendeve të EHEA

Më datë 24-25 Maj 2018 u mbajt në Paris Konferenca e Ministrave të 48 vendeve anëtare të Procesit të Bolonjës ku mori pjesë dhe delegacioni shqiptar i përbërë nga Z. Shpati Kolgega, Zv Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Linda Pustina, Drejtor i Drejtorisë së Integrimit, Kordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në Bologna Follow Up Group (BFUG), znj. Kseanela Sotirofski, Rektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Igli Tola, student i Universitetit të Tiranës. Z. Kolgega prezantoi në këtë event arritjet e Shqipërisë në fushën e arsimit të lartë duke evidentuar, gjithashtu, dhe sfidat e ardhshme që na presin (http://www.ehea2018.paris/Data/ElFinder/s2/EHEAParis2018-Programme.pdf).

Zona Europiane e Arsimit të Lartë (EHEA) përfshin 48 vende, ku bën pjesë dhe Shqipëria prej vitit 2003, si dhe përfaqësues të shoqatave të studentëve, universiteteve, stafeve akademike, bizneseve, organizmave të sigurimit të cilësisë, Komisionit Europian dhe Këshillit të Europës (http://www.ehea2018.paris/about.htm).

Procesi i Bolonjës përfaqëson iniciativën më të rëndësishme dhe gjeografikisht më gjithëpërfshirëse në sektorin e arsimit të lartë me rregulla të njohura dhe pranuara nga të gjitha vendet pjesëmarrëse që përfshijnë mobilitetin, njohjen e kualifikimeve dhe krediteteve universitare (ECTS), sigurimin e cilësisë, ciklet universitare 3+2, etj.

Ministrat e 48 vendeve që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës aprovuan në unanimitet komunikatën e re të EHEA që përcakton për vendet anëtare prioritetet e sektorit universitar, të cilat shkojnë në linjë me reformat e nisura dhe në vendin tonë. Një vëmëndje e vecantë iu dha implementimit nga vendet pjesëmarrëse të objektivave të procesit të Bolonjës si sigurimi i cilësisë, modernizimi dhe përshtatja e kurrikulave universitare bazuar në objektivat e të nxënit dhe kërkesat e tregut të punës, njohja e kualifikimeve universitare, teknologjitë e reja në arsimin e lartë, dimensioni social dhe misioni i tretë i universiteteve, duke miratuar dhe një rrugëtim për implementimin sa më të shpejtë të tyre nga vendet anëtare deri në 2020 dhe më tej.

Gjithashtu, në konferencë u trajtua nevoja e implementimit të vlerave fondamentale, në vecanti demokracisë, lirisë dhe paqes, si standarde të padiskutueshme të një arsimit të lartë cilësor dhe në linjë me parimet e Procesit të Bolonjës.

Në vijim të konferencës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shprehet se: “Shqipëria është e vendosur për të vazhduar në rrugën e reformave të nisura duke mundësuar një arsim të lartë cilësor, modernizimin e ofertës akademike dhe rritjen e mobilitetit për të gjithë studentët shqiptarë dhe stafet akademike, në respekt të Standardeve Europiane të Cilësisë dhe të objektivave të bashkëndara të Procesit të Bolonjës. Shqipëria do të vazhdojë të ketë një rol tejet aktiv dhe kontribues në EHEA dhe BFUG, si dhe këto 4 vitet e fundit, për të ecur me hapa të shpejtë dhe përkrah vendeve të tjera europiane drejt përmbushjes së detyrimeve të përbashkëta dhe integrimit europian.”

Në konferencë u konfirmua në unanimitet kandidatura zyrtare e Italisë për të mbajtur dhe drejtuar sekretariatin e ardhshëm të BFUG për periudhën 2018-2020 deri në konferencën e ardhshme ministrore që do të mbahet në Romë në 2020.

Italia, në dakortësi me Universitetin e Bolonjës dhe Observatorin e Magna Carta Universitatum, që përfshin 900 rektorë nga gjithë bota, përfshirë dhe Shqipërinë, njoftoi organizimin e një eventi gjithëpërfshirës në vitin 2019 me rastin e celebrimit të 20 vjetorit të firmosjes së marrëveshjes së Bolonjës. Ky event do të shërbejë si një moment reflektimi dhe diskutimi mes rektorëve, studentëve dhe aktorëve të tjerë të sektorit të arsimit të lartë, me objektiv diskutimin në Ministerialin e 2020 të sfidave të reja që do të vendosen pas 2020.

Shqipëria falenderon sekretariatin aktual francez të BFUG për të gjithë punën e bërë deri sot dhe i uron Italisë punë të mbarë në detyrën dhe përgjegjësinë e ngarkuar drejt Rome 2020!

Paris Communiqué: http://www.ehea2018.paris/Data/ElFinder/s2/Communique/EHEAParis2018-Communique-final.pdf

Appendix 1:

http://www.ehea2018.paris/Data/ElFinder/s2/Communique/EHEAParis2018-Communique-final.pdf

Appendix 2:

http://www.ehea2018.paris/Data/ElFinder/s2/Communique/EHEAParis2018-Communique-AppendixII.pdf

Appendix 3:

http://www.ehea2018.paris/Data/ElFinder/s2/Communique/EHEAParis2018-Communique-AppendixIII.pdf

Appendix 4:

http://www.ehea2018.paris/Data/ElFinder/s2/Communique/EHEAParis2018-Communique-AppendixIV.pdf