» Vijon informimi i maturantëve pas vendosjes së kriterit të notës mesatare 7 për degët e mësuesisë




Postuar më: 24/04/2018

Vijon informimi i maturantëve pas vendosjes së kriterit të notës mesatare 7 për degët e mësuesisë

Ministria e Arsimit vijon informimin e maturantëve pas vendosjes së kriterit të notës mesatare 7 për degët e mësuesisë. Takimi i radhës ka qenë me maturantët e Durrësit në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” ku zëvendësministri i Arsimit Ervin Demo së bashku me rektoren e universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit, kërkuan nga maturantët të jenë të qartë në zgjedhjet që bëjnë për profesionin e jetës, por duhet ta rikonsiderojnë mundësinë për të qenë edhe mësues të brezave të ardhshëm. Zëvendësministri Demo deklaroi se nota mesatare 7 do të sjellë më shumë cilësi në përmbajtjen e trupës pedagogjike që do të hyjë në sistem në të ardhmen por edhe më shumë siguri për vendin e punës, pasi më të kualifikuarit do të jenë edhe më të preferuarit nga sistemi meritokracisë që ne po ndërtojmë.

Bursat janë një tjetër mundësi për studentët më të mirë që kanë vendosur për t’u bërë mësues me profesion por ajo që duhet të plotësojnë për të përfituar bursën e plotës është mbajtja e performancës nga viti i parë i studimeve e deri në vitin e 3-të. Ata duhet të tregojnë se kanë performancë shumë të mirë akademike dhe rezultate të larta.

Ndërkohë rektorja Prof. Dr. Kseanela Sotirofski informoi maturantët mbi degët që ofronte universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ dhe mundësitë që ata kanë mbi këto programe studimi, bazuar në mesataren që disponojnë. Pyetje nga maturantët përveç risisë të notës mesatare mbi programet e mësuesisë pati edhe për përfitimin e bursave, aplikimet jashtë vendit dhe kriteret e pranimit të universiteteve. Ministria e Arsimit vijon informimin e maturantëve në qytete të ndryshme të vendit mbi maturën shtetërore, programet e studimit dhe pranimet në universitet.

TË REJAT E FUNDIT