Albana Tole

Zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit

Znj. Albana Tole u lind në Tiranë, në vitin 1982.

Studimet universitare i kreu në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” në Milano ku u diplomua në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në vijim të diplomës magjistrale

studimet e saj i thelloi më tej me një Master Universitar në Ekonomi dhe Politika Ndërkombëtare pranë Universitetit Italian të Zvicrës, Lugano dhe Shkollës së Lartë të Studimeve Ekonomike dhe Politikave Ndërkombëtare në Milano. Në vitin 2018 mori titullin Doktor (PhD) në të Drejtë Publike nga Universiteti i Studimeve të Romës, Tor Vergata, Itali.

Znj. Tole ka një eksperiencë të gjatë në fushën e Arsimit të Lartë. Për më shumë se një dekadë ka qenë e përfshirë drejtpërdrejtë në proceset e akreditimit, aktivizimit dhe koordinimit të programeve të studimit me titull/diploma të përbashkëta dhe të dyfishta ndërkombëtare.

Në vitin 2010 Znj. Tole u angazhua si funksionare e Rektoratit të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe më tej i besohet përgjegjësia për Aktivizimin e Programeve të Studimit Afatgjatë në fushën e Mjekësisë, në bashkëpunim të ngushtë me Universitete prestigjioze Italiane. Pas një kontributi të suksesshëm në sipërmarrjet e saj kulmon si Drejtuese e Zyrës së Koordinimit të Shkollave të Specializimit dhe Programeve të Studimit të Ciklit të II-të dhe të III-të në Fakultetin e Mjekësisë.

Një vend të veçantë ka marrë, që në fillim të karrierës së saj edhe përfshirja në didaktikën frontale si lektore e jashtme në Universitetin e Tiranës për një periudhë 6 vjeçare (2011-2017) e më pas në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Gjithashtu anëtare e Departamentit të Shkencave Ekonomike pranë këtij Universiteti, si dhe prej vitit 2016 anëtare e Qendrës për Kërkime Ekonomike për Vendet në Zhvillim.

Prej Nëntorit 2021 Znj. Tole mban postin e Zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit.

Znj. Tole është nënë e një djali.