Lorena Haxhiu

Zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Znj. Lorena Haxhiu lindi në qytetin e Tiranës, më 8 maj të vitit 1991.

Znj. Haxhiu mban titullin Master i Shkencave në Marketing, nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, me vlerësim maksimal, mesatare 10. Gjithashtu ka përfunduar studimet ‘Bachelor’, në degën Financë, në po të njëjtin institucion publik të arsimit të lartë. Arsimin e mesëm e kreu në Shkollën e Mesme Teknike – Ekonomike, në profilin Bankë, me rezultate ekselente.

Prej nëntorit të vitit 2017, znj. Haxhiu ka mbajtur detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar për Rininë, institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë; përgjegjës për implementimin e politikave rinore në Shqipëri.

Pas përfundimit të studimeve master është angazhuar si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në fushën e marketingut.

Znj. Haxhiu numëron rreth 10 vite përvojë pune në sektorin mediatik. Ajo është angazhuar me kohë të plotë si moderatore televizive, në programe të përditshme me profil social, ekonomik, kulturor dhe sportiv. Gjithashtu ka punuar në pozicione drejtuese në disa prej mediave të shkruara dhe elektronike në vend.

Znj. Haxhiu zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën italiane dhe atë gjermane.