Ministry of Education

U nderuan me medalje ari 190 nxënës të shkollave të të gjithë vendit që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e arsimit të mesëm të lartë. Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, gjatë së cilës u dhanë medaljet nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.

Kumbaro zgjodhi një mesazh jo si zakonisht në raste të tilla. Ajo u shpreh se e sotmja është një ditë jo për të dhënë leksione, por për të dhënë besim, duke cituar disa rreshta të autores Maya Angelou.

Më poshtë fjala e Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro:

Ka ceremoni ku flasim shumë për institucionet tona, për politika të mëdha, për planet strategjike, aq më tepër që është edhe fundviti dhe të bëjmë bilance a zotime do të ishte deri diku mëse normale; Ama sot nuk është një ceremoni e tillë dhe gjëja e fundit që do të doja do të ishte ta shndërroja në një konferencë për shtyp. Sepse sot, ju jeni më shumë se asnjëherë më parë:Jeni 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që keni shkëlqyer me rezultatet tuaja të gjimnazit e të Maturës Shtetërore. Jeni këtu sepse nuk jeni dorëzuar!Dhe për këtë arsye, sot nuk kam ndërmend t’ju mësoj asgjë. As nuk do të guxoja!Sepse më të mirëve nuk mund t’u japim leksione, por vetëm besim.Medalja e Artë që merrni sot është një simbol i karakterit, sepse është dëshmia më e mirë dhe prova e qartë se suksesi nuk të vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme dhe ju më mirë se kushdo e dini, por nëse ma lejoni, unë do t’ju kërkoja që këtë t’ua tregonit sa më shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj apo vëllezërve e motrave më të vegjël.

Prandaj, në vend të fjalimit klasik që nuk do të doja ta bëja, dëshiroj të ndaj me ju një lexim që më ka pëlqyer shumë dhe që ishte gjëja e parë që më erdhi ndër mend teksa po organizonim këtë ceremoni: Letër bijës sime, nga Maya Angelou, prej nga shkëputa disa fragmente: ***E dashur bija ime, Gjithmonë e kam ditur se doja të të flisja drejtpërdrejt për disa mësime që kam nxënë dhe për kushtet në të cilat i kam mësuar. Jeta ime ka qenë e gjatë dhe, duke besuar se jeta e do atë që e jeton me guxim, kam pasur kurajën të provoj shumë gjëra — ndonjëherë duke u dridhur, por gjithsesi duke guxuar. Këtu kam përfshirë vetëm ngjarje dhe mësime që i kam gjetur të dobishme. Nuk kam treguar se si i kam përdorur zgjidhjet, sepse e di që ti je e zgjuar, krijuese dhe e aftë, dhe do t’i përdorësh ashtu siç e sheh të arsyeshme.Në jetën time ka pasur njerëz që më kanë dashur, që më kanë dhënë mësime të vlefshme, por edhe të tjerë që nuk më kanë dashur dhe më kanë dhënë mjaftueshëm shenja se bota ime nuk qe krijuar në atë formë që të ishte gjithmonë e ëmbël e pa vështirësi.Kam bërë shumë gabime dhe pa dyshim do të bëj edhe të tjera para se të vdes. Kur kam parë dhimbje, kur kam kuptuar se paaftësia ime ka shkaktuar pakënaqësi, kam mësuar të pranoj përgjegjësinë time dhe fillimisht të fal veten, pastaj të kërkoj falje nga kushdo që është lënduar nga gjykimi im i gabuar. Meqë nuk mund ta zhbëj historinë dhe pendimi është gjithçka që mund t’i ofroj Zotit, kam shpresuar që faljet e mia të sinqerta të jenë pranuar.

Ti mund të mos i kontrollosh të gjitha ngjarjet që të ndodhin, por mund të vendosësh të mos zvogëlohesh prej tyre. Përpiqu të jesh një ylber në renë e dikujt. Mos u anko. Bëj çdo përpjekje për të ndryshuar gjërat që nuk të pëlqejnë. Nëse nuk mund t’i ndryshosh, ndrysho mënyrën se si mendon për ato gjëra. Mund të gjesh një zgjidhje të re.

***

Përmes këtyre letrave, kjo ishte dhurata e Maya Angelou për milionë fëmijë në botë, e që unë ndava vetëm disa rreshta me ju. Jeni 190 më të shkëlqyerit, por unë do të thoja se suksesi juaj i vërtetë do të matet me ndikimin që do të keni tek të tjerët, se si do ta përdorni gjeniun brenda jush për të ndërtuar, për të përmirësuar jetën e të tjerëve, për t’i bërë gjërat edhe më mirë. Kjo medalje që ju do të merrni sot është një kujtesë e fortë se sukseset nuk kanë ardhur tek ju, por keni shkuar ju pas çdo suksesi të arritur deri më sot. “Je shumatorja e gjithçkaje që ke parë, dëgjuar, ngrënë, nuhatur, të është thënë apo ke harruar – të gjitha janë aty. Çdo gjë ndikon te secili prej nesh, dhe për këtë arsye përpiqem të sigurohem që përvojat e mia të jenë sa më të mira”, thoshte Maya Angelou.

Mos i harroni kurrë vështirësitë që keni kaluar sepse pikërisht ato do t’ju bëjnë të fortë kur të vijë sfida tjetër.

Faleminderit nga zemra për modelin që keni ndërtuar!