Ministry of Education

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vizitoi kantierin e shkollës “Urani Rumbo”, një prej institucioneve arsimore në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës e cila i është nënshtruar rikonstruksionit.

“Disa muaj më parë premtuam që do të mbështesim me financim bashkinë Gjirokastër për rindërtimin dhe rinovimin e projektit të shkollës “Urani Rumbo” dhe sot jemi në kantier. Po ribëhet e gjithë infrastruktura e brendshme dhe garantimi i efiçiencës energjitike që na kursen para dhe na optimizon parametrat”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi gjatë këtij inspektimi, nevojën e ndërhyrjeve për t’i rikthyer shkollës hapësirat e uzurpuara.“Mungojnë hapësirat për programet ekstrakurrikulare dhe terrene sportive. Interesi i fëmijëve dhe prona publike kanë prioritet. Kur prindërit kërkojnë kushte më të mira për fëmijët dhe që hapësirat të vihen në shërbim të shkollës, patjetër që do t’i lirojmë. Është një aksion që ka nisur në të gjithë Shqipërinë dhe s’ka pse Gjirokastra të bëjë përjashtim. Shkollat janë edhe qendra komunitare dhe ne duam të zhvillojmë programe jashtë orarit mësimor, janë po aq në interes të familjeve” tha ministrja Kumbaro, duke nënvizuar gjithashtu se shkolla në shtator duhet të jetë gati për të hapur dyert për nxënësit, krejtësisht e rikonstruktuar.

Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi tha se “Në këtë shkollë që ka më shumë se 300 nxënës, projekt i përbashkët me UNICEF, po kujdesemi që punimet të jenë në harmoni me peizazhin e zonës Historike të Gjirokastrës”.

Ndërhyrjet në këtë shkollë parashikojnë ndërtimin e një çatie të re, sistem kapot, rikonstruksion dhe infrastrukturë të re, si dhe përmirësim të efiçencës energjetike.