Ministry of Education

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e ftuar nga Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, prezantoi punën që po bën Ministria e Arsimit përmes Agjencisë së Sigurimti të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, mbi rishikimin e e kurrikulave dhe teksteve në arsimin bazë dhe atë të mesëm.

Në këtë komision, e shoqëruar nga përfaqësues e specialistë të Agjencisë së Sigurimti të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, ministrja Kumbaro theksoi se përditësimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar është konceptuar si një proces gjithëpërfshirës modernizimi, që synon ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, fleksibël dhe të orientuar drejt zhvillimit të kompetencave të shekullit 21 për të gjithë nxënësit.

“Në kontekstin aktual të transformimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore, kurrikula kishte nevojë për ndërhyrje që të reflektonte nevojat e reja të tregut të punës, të shoqërisë së dijes dhe të qytetarisë globale. Gjithashtu rishikimi dhe përditësimi i saj u ndërmor edhe mbi bazën e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare (siç janë PISA, TIMSS apo PIRLS), analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht.

Korniza e re kurrikulare është hartuar dhe miratuar duke reflektuar zhvillimet bashkëkohore në arsim dhe duke përcaktuar si kompetencat kyçe të përditësuara në përputhje me kompetencat kyç europiane; ashtu edhe fokusin te qasja STEM, integrimin e teknologjisë në procesin mësimor si pjesë e metodologjisë, udhëzimet metodologjike për mësimdhënien dhe fokusin te nxitja e krijimtarisë dhe mendimit kritik. Por edhe ka pasur një vëmendje të posaçme te temat ndërkurrikulare të përditësuara”, tha ministrja Kumbaro.

Në lidhje me këto tema ndërkurrikulare që përmes aktiviteteve praktike, nxisin krijimtarinë dhe punën në grup, ministrja përmendi programin “Art dhe Zeje”, “Festivalin e Shkencës”, programin e edukimit mjedisor, konkursin e gjuhës shqipe, etj.