Ministry of Education

Vizioni i Ministrisë së Arsimit për të ardhmen e arsimit në Shqipëri është një reformë ambicioze, e cila ka nisur dhe synon të krijojë shkolla me teknologji të avancuar, infrastrukturë moderne, rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe standarde europiane në çdo cep të vendit, duke u mbështetur në tre shtylla themelore: cilësi, inovacion dhe gjithëpërfshirje.

Ministria e Arsimit po punon në dy drejtime kryesore për të përafruar sistemin arsimor parauniversitar me metodologjitë bashkëkohore të Bashkimit Europian, duke u fokusuar specifikisht te rishikimi i kurrikulave dhe trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve. Këto procese synojnë krijimin e një kurrikule, që jo vetëm modernizon mësimdhënien, por përmbush edhe kriteret europiane të arsimit. Paralelisht, reforma kurrikulare dhe zhvillimi profesional i mësuesve po realizohen në bashkëpunim të ngushtë me universitetet, duke u shoqëruar me një fushatë të gjerë informimi përmes konferencave, rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale.

Përafrimi me metodologjitë bashkëkohore të Bashkimit Europian në një sistem arsimor gjithnjë në zhvillim, si ai shqiptar, sjell nevojën që roli i mësuesit të kapërcejë kufijtë e tradicionales. Mësuesit duhet jo vetëm të transmetojnë njohuri, por edhe të kultivojnë mendimin kritik në gjuhë, matematikë, shkencë dhe aftësi digjitale. Përqafimi i kësaj sfide dinamike kërkon përkushtim ndaj të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke e bërë zhvillimin e vazhdueshëm profesional një domosdoshmëri për çdo mësues.

Zhvillimi i vazhdueshëm profesional në fushat e gjuhës, matematikës, shkencës dhe aftësive digjitale nuk është vetwm një detyrim profesional, por një risi transformuese. STEM, si qasje arsimore ndërdisiplinore, integron katër fusha: Shkencën, Teknologjinë, Inxhinierinë dhe Matematikën, duke nxitur të menduarit kritik, aftësitë për zgjidhjen e problemeve, kreativitetin, të mësuarit praktik dhe zbatimin në jetën reale. Revolucioni digjital ka riformuar paradigmën arsimore, duke i bërë aftësitë digjitale një aspekt integral të mësimdhënies bashkëkohore.

Trajnimi për zhvillimin profesional të mësuesve në aftësitë digjitale i pajis ata me njohuri të përditësuara mbi programet e reja mësimore dhe i ndihmon të integrojnë teknologjinë në orët mësimore, duke krijuar mjedise ndërvepruese dhe tërheqëse për nxënësit.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, në dy cikle trajnimesh gjatë viteve 2024–2025, ka trajnuar 16 mijë mësues, ndërsa për periudhën 2026–2028 synon të trajnojë rreth 20 mijë mësues të arsimit parauniversitar, me fokus te përditësimi kurrikular, përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mësimdhënie. Synimi është krijimi i një mjedisi arsimor dinamik dhe gjithëpërfshirës, ku mësuesit janë udhëheqës në formimin e një brezi të ri nxënësish të përgatitur për sfidat e shekullit XXI.

Trajnimi për zhvillimin profesional të mësuesve financohet nga Ministria e Arsimit dhe realizohet në koordinim me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe universitetet publike. Programi kombëtar synon të sjellë përmirësime në metodologjitë e mësimdhënies, pedagogjinë dhe standardet e përgjithshme arsimore. Nëpërmjet këtij programi synohet:

  • Përmirësimi dhe rritja e cilësisë së arsimit parauniversitar përmes përafrimit të metodologjisë së mësimdhënies me qasjen STEM;
  • Përmirësimi i performancës së nxënësve nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të mësuesve për të zbatuar metoda që zhvillojnë mendimin kritik dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve;
  • Nxitja e inovacionit përmes pajisjes së mësuesve me aftësi digjitale, që u mundësojnë integrimin efektiv të teknologjisë në praktikat mësimore;
  • Mbështetja e zhvillimit profesional të mësuesve, duke i mbajtur të përditësuar me praktikat dhe metodologjitë më të mira në funksion të përmirësimit të mësimdhënies dhe rezultateve të nxënësve;
  • Lidhja e mësimdhënies me vlerësimin, duke aftësuar mësuesit në interpretimin dhe përdorimin efektiv të të dhënave të vlerësimit formues për të përmirësuar procesin mësimor;
  • Promovimi i barazisë dhe përfshirjes, duke adresuar nevojat e çdo nxënësi dhe garantuar akses të barabartë në arsim cilësor;
  • Vendosja e treguesve të qartë cilësorë për monitorimin dhe vlerësimin e performancës së nxënësve.

Ministria e Arsimit, përmes Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, është e fokusuar gjithashtu te rishikimi i kurrikulave dhe teksteve në arsimin bazë dhe atë të mesëm.

Përditësimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar është konceptuar si një proces gjithëpërfshirës modernizimi, që synon ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, fleksibël dhe të orientuar drejt zhvillimit të kompetencave të shekullit XXI për të gjithë nxënësit.

Në kontekstin aktual të transformimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore, kurrikula kishte nevojë për ndërhyrje që të reflektonte nevojat e reja të tregut të punës, të shoqërisë së dijes dhe të qytetarisë globale. Rishikimi dhe përditësimi i saj u ndërmorën mbi bazën e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si PISA, TIMSS dhe PIRLS, analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht.

Korniza e re kurrikulare është hartuar dhe miratuar duke reflektuar zhvillimet bashkëkohore në arsim dhe duke përcaktuar kompetencat kyçe të përditësuara në përputhje me kompetencat kyçe europiane. Ajo vendos fokus të veçantë te qasja STEM, integrimi i teknologjisë në procesin mësimor, udhëzimet metodologjike për mësimdhënien, si dhe nxitja e krijimtarisë dhe mendimit kritik. Gjithashtu, vëmendje e posaçme i është kushtuar temave ndërkurrikulare të përditësuara.

Për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, përditësimi i programeve lëndore ka ndodhur gjatë vitit 2025. Përditësimi i teksteve po zhvillohet aktualisht, ndërsa zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator 2026.

E njëjta logjikë dhe proces do të ndiqet për klasat e dyta, të shtata dhe të njëmbëdhjeta, me kurrikulën e re që do të zbatohet në shtator 2027, si dhe për klasat e treta, të teta dhe të dymbëdhjeta në shtator 2028. Procesi do të përmbyllet me klasat e katërta, të pesta dhe të nënta, ku zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator 2029.

Përgatitja e listës së teksteve shkollore për përditësim, sipas klasave dhe lëndëve, bazuar në katalogun zyrtar të teksteve shkollore për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, përfshin 171 tekste shkollore: 140 tekste fizike dhe 31 tekste digjitale. Ky proces përfshin gjithashtu hartimin e treguesve për përditësimin e teksteve shkollore dhe zhvillimin e takimeve informuese me shtëpitë botuese, të organizuara nga ASCAP.

Procesit të konkurrimit për tekste të reja shkollore do t’i nënshtrohen lënda e Qytetarisë për klasat I, VI dhe X, si dhe Gjuha Shqipe për klasën X. Ndërsa tekstet e tjera do t’i nënshtrohen përmirësimeve dhe përditësimeve sipas standardeve dhe objektivave të reja kurrikulare.

Kurrikula e re, së bashku me programin strategjik për zhvillimin profesional të mësuesve dhe investimet në infrastrukturën e shkollave tona, synojnë të hedhin baza të mira për modernizimin e sistemit arsimor parauniversitar sipas standardeve europiane.

Ky material është përgatitur në kuadër të Agjendës së Reformave të Shqipërisë 2024–2027, në zbatim të Facilitetit të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.