Ministry of Education

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe të Drejtorive Rajonale të Arsimit në të gjithë vendin, për nisjen e analizës së Maturës Shtetërore 2026.

Duke vlerësuar angazhimin e të gjitha institucioneve arsimore, administratorëve, monitoruesve, vlerësuesve, drejtuesve të shkollave, si edhe të Policisë së Shtetit dhe Postës Shqiptare, ministrja Kumbaro theksoi se procesi u zhvillua në një mjedis të qetë, të sigurt dhe me standarde të larta, ku çdo maturanti iu garantua mundësia e barabartë për të dhënë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë viteve të shkollimit. Kjo u reflektua edhe me rezultatet më pozitive krahasuar me një vit më parë.

“Keqardhje për 31 maturantë që në përputhje me rregulloren u përjashtuan nga provimi, por për fat të mirë, falë reagimit dhe trajtimit në kohë rekord, këto përpjekje nuk cenuan procesin e testimeve në nivel kombëtar. Përsa i takon rezulteve paraprake, kemi një lajm pozitiv, që në të gjitha provimet kemi një rritje të kalueshmërisë së maturantëve. Jo vetëm kaq, por edhe një numër më të lartë të vlerësimeve maksimale, me notën 10. Ndërkohë norma e maturantëve që nuk kanë kaluar me sukses të paktën një prej provimeve, varion nga 0.98% në lëndët me zgjedhje deri maksimalisht në 2,5% në provimin e matematikës. Matura Shtetërore 2026 ishte një rrugëtim që na rikonfirmoi se suksesi është rezultat i punës së vazhdueshme, konsultimeve, testeve model e provë, një këshillë kjo që vlen edhe për maturantët e vitit të ardhshëm shkollor 2026-2027”, u shpreh ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Procesi i provimeve të Maturës Shtetërore 2026 u përmbyll me sukses falë angazhimit të të gjitha institucioneve arsimore të përfshira. Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin përfunduan provimet në një proces model, i administruar në 144 qendra provimesh, me angazhimin e mbi 2 000 mësuesve administratorë dhe 170 monitoruesve të Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, 640 vlerësues të testeve përmbyllën në kohë dhe me korrektësi procesin e vlerësimit, duke bërë të mundur publikimin e rezultateve sipas afateve të përcaktuara.

Kumbaro gjithashtu u bëri thirrje maturantëve të ndjekin kalendarin e aplikimeve në universitet, tashmë i publikuar. Nga data 27 korrik deri më 1 gusht, maturantët do të përzgjedhin programet e tyre të preferuara, përmes portalit U-Albania.