Ministry of Education

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor 2026-2027, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ishin në shkollën “Rexhep Mezini” në Ishëm të Durrësit, për të uruar nxënësit, mësuesit dhe prindërit për nisjen e vitit të ri shkollor.

Shkolla “Rexhep Mezini” është një nga 53 institucionet arsimore që hapin dyert këtë vit shkollor, me standarde bashkëkohore, duke iu shtuar kolanës prej 450 shkollash e terrenesh sportive të ndërtuara dhe rehabilituara në dekadën e fundit.

“Më vjen mirë që e filloj nga Ishmi ditën e parë të shkollës. Është një vit shumë i rëndësishëm dhe përfitoni të merrni sa më shumë nga shkolla, por edhe nga njëri-tjetri. Librat, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, jo vetëm janë falas, por edhe të reja për të gjithë nxënësit tanë. Po ashtu, mësuesit tanë bëjnë një punë shumë të mirë nga jugu në veri. Ishmi, me rreth 9 mijë banorë që i përgjigjen kësaj shkolle, e meriton një shkollë të tillë, me standarde dhe parametra krejtësisht europianë, të ndërtuar nga ne, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Qeverisë Gjermane”, tha Kumbaro.

Duke folur për programin “Pas Shkolle”, Ministrja Kumbaro tha se do të shtrihet në mbi 400 shkolla në të gjithë Shqipërinë dhe është një hapësirë ku fëmijët, pas mësimit, mund të zgjedhin mes aktiviteteve dhe klubeve të ndryshme, të zbulojnë interesa e talente të reja, të rrinë bashkë dhe të kalojnë kohë cilësore në shkollë.
“Me programin ‘Pas Shkolle’, që ne kemi shtrirë sivjet në mbi 400 shkolla, është një proces që ndërtohet mbi bazën e komunikimit mes shkollës dhe prindërve. Është një proces që ne e kemi mbështetur financiarisht. Edhe për orët që shkojnë mbi normë do të ketë pagesë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Arsimit nënvizoi se rregulli për ndalimin e telefonit do të zbatohet me rigorozitet në të gjitha shkollat, për të rritur përqendrimin në orët mësimore.
“Celularët do t’i lini tek mësuesja. Do të mblidhen në drejtori dhe do t’i merrni kur të ikni, pas mësimit. Është rregull që do të zbatohet me rreptësi. Asnjë ditë nuk do të futen në klasë nxënësit me celular, në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, nënvizoi Kumbaro.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, duke vlerësuar investimet në arsim, tha se shkolla mund të përdoret si qendër komunitare edhe përtej orarit mësimor.
“Kjo është një shkollë që ka një histori të jashtëzakonshme dhe më vjen mirë që e kemi rindërtuar nga e para, më të mirë dhe më të fortë. Tani ju takon ju ta shfrytëzoni edhe përtej orarit mësimor”, tha Sako.

Shkolla “Rexhep Mezini” është ndërtuar me standarde bashkëkohore dhe ofron ambiente të reja mësimore, laboratorë, bibliotekë, ambiente sportive dhe hapësira të dedikuara për zhvillimin e aktiviteteve të nxënësve. Shkolla e bashkuar “Rexhep Mezini” është pjesë e Programit të Rindërtimit. Investimi është financuar nga Qeveria Gjermane/KfW dhe është zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.