Ministry of Education and Sports

Në drejtim të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë ka vijuar puna për hapjen e degëve të institucioneve prestigjioze të huaja të arsimit të lartë. Në këtë kuadër është hapur dega e Kolegjit të Evropës në Tiranë (marrëveshje e cila synon nxitjen e bashkëpunimit për zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë, ekspertizës në fushën e studimeve evropiane dhe sjelljen e një oferte unike akademike për studentët dhe profesionistët), e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) (marrëveshje e cila është ratifikuar me ligjin Nr. 86/2024 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër” dhe synon zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë dhe ekspertizës në studime në fusha të ndryshme, nëpërmjet metodologjisë në distancë dhe online në Republikën e Shqipërisë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zgjerimin e ofertës arsimore spanjolle në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur integrimin e shërbimeve të ofruara nga UNED-i dhe duke garantuar mbështetjen akademike dhe administrative të studentëve të regjistruar si dhe kultivimin e një mjedisi adeguat për shkëmbimin intelektual, kërkimin akademik, mirëkuptimin ndërkombëtar dhe multikulturor dhe bashkërendimin, në përputhje me traditën e jashtëzakonshme akademike të UNED-it).

Po në drejtim të ndërkombëtarizimit, është nënshkruar Memorandumi për modernizimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës me standardet e Universitetit BOKU të Vjenës, moment historik ky në transformimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare. Me anë të këtij memorandumi jetësohet projekti ambicioz UBT2030, i cili do të rezultojë në transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, sipas modelit evropian të Universitetit të Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës BOKU të Vjenës duke standardizuar kurrikulën, përmirësuar kërkimin shkencor, themeluar programe të përbashkëta, për të konkluduar me hapjen e programeve të përbashkëta për të cilat do të lëshohen diplomat të dyfishta me Universitetin BOKU të Vjenës.

Në vijim, në fushën e ndërkombëtarizimit, është drejt finalizimit hartimi dhe miratimi i kuadrit rregullator që mbështet bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë për hapjen e degës dhe programeve nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri.

Po kështu një aspekt tjetër i ndërkombëtarizimit zhvillohet në drejtim  të nxitjes së hapjes së programeve të përbashkëta dhe/ose të dyfishta me IAL prestigjioze të huaja. Në tre vitet e fundit janë realizuar hapja e programeve të përbashkëta dhe/ose dyfishta sipas informacionit më poshtë:

Për vitin 2022-2023, në institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublike rezultojnë:

18 programe të përbashkëta mes institucioneve të arsimit të lartë vendas dhe institucioneve të arsimit të lartë të huaja, në pjesën më të madhe IAL italiane (16 institucione Italiane dhe 2 institucione franceze). Nga këto programe, 16 përfundojnë me diploma të dyfishta dhe 2 me diploma të përbashkëta.

Për vitin 2023-2024, në institucionet e arsimit të lartë rezultojnë:

12 programe të përbashkëta mes institucioneve të arsimit të lartë vendas dhe institucioneve të arsimit të lartë të huaja, kryesisht institucione italiane 8, si dhe nga 1 institucion në Francë, Bullgari, Mali i Zi dhe Poloni. Nga këto programe, 10 përfundojnë me diploma të dyfishta dhe 2 me diploma të përbashkëta.

Për vitin 2024-2025, janë në proces 14 aplikime për programe të përbashkëta studimi, të cilat janë në proces vlerësimi.

Në institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik ofrohen programe studimi në gjuhë të huaj ose shqip/gjuhë e huaj, si më poshtë:

Për vitin 2022-2023 rezultojnë 18 programe studimi në gjuhë të huaj në institucionet e arsimit të lartë, në pjesën më të madhe në gjuhën angleze dhe italiane. Nga këto programe, 9 janë programe të ciklit të parë të studimeve dhe 8 programe të ciklit të dytë të studimeve dhe 1 program cikli i tretë “Doktoratë”.

Për vitin 2023-2024 rezultojnë 35 programe studimi që ofrohen në gjuhë të huaj në institucionet e arsimit të lartë, në pjesën më të madhe në gjuhën angleze. Nga këto programe, 19 janë cikli i parë i studimeve dhe 16 cikli i dytë i studimeve. 14 prej këtyre programeve i përkasin Universitetit të Tiranës.