Ministry of Education and Sports

Programi “Ekipet Sportive në Shkolla”, i ndërmarrë në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet arsimore vendore, përfaqëson një nismë me rëndësi strategjike për promovimin e një jete aktive, përmirësimin e mirëqenies fizike dhe sociale të nxënësve, si dhe forcimin e lidhjes ndërmjet shkollës dhe komunitetit përmes sportit.

Ky program është zbatuar në shkollat e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin, duke përfshirë nxënës të moshave 9 deri në 18- vjeç në aktivitete të rregullta sportive, në disiplina si basketbolli dhe volejbolli, për vajza dhe djem.

Me qëllim vlerësimin e ndikimit të programit dhe sigurimin e një panorame sa më të plotë mbi organizimin dhe përvojën e nxënësve, u zhvillua një proces monitorimi që përfshiu mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të grumbulluara nga institucionet arsimore, trajnerët dhe në mënyrë të veçantë nga vetë nxënësit, përmes një pyetësori të strukturuar. Kjo analizë evidentojë aspektet më përfaqësuese të përfitimeve që sjell programi, të identifikojë sfidat e hasura gjatë zbatimit të tij dhe të përmbledhë sugjerimet e nxënësve si bazë për përmirësime dhe zgjerime të mëtejshme.

Programi ka rezultuar tejet efektiv në nxitjen e motivimit për aktivitet fizik, pasi 95.36% e nxënësve deklarojnë se janë ndjerë më të motivuar për tu ushtruar pas përfshirjes në të. Ky rezultat dëshmon ndikimin e drejtpërdrejtë dhe pozitiv që ka pasur programi në krijimin e një qëndrimi proaktiv ndaj lëvizjes dhe ushtrimeve fizike. Nga ana tjetër, vetëm një përqindje shumë e vogël (1.17%) nuk kanë përjetuar ndryshim, ndërsa 3.43% mbeten të pasigurt, çka mund të shpjegohet me përvojë më të kufizuar ose me nevojën për më shumë kohë për të reflektuar mbi ndikimin e aktivitetit.

Programi ka rezultuar një faktor i rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit fizik të nxënësve, pasi 73% e tyre e kanë identifikuar këtë si përfitimin kryesor. Një tjetër ndikim pozitiv është reduktimi i stilit të jetesës pasive dhe i përdorimit të tepërt të teknologjisë, i cili është raportuar nga 40.1% e nxënësve. Këto të dhëna konfirmojnë se programi ka ndihmuar ndjeshëm në promovimin e një mënyre jetese aktive dhe të shëndetshme, duke përmbushur një ndër qëllimet thelbësore të tij.