Ministry of Education

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka inspektuar nga afër punimet për rikonstruksionin e godinës së Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës, një investim i shumëpritur nga studentët dhe stafi akademik, ku godina ka ruajtur origjinalitetin dhe vlerat historike të arkitekturës së saj, ndërsa janë krijuar kushte mësimdhënieje  me standarde bashkëkohore, në një hapësirë prej 4500 metrash katrorë.

“Jemi në kantierin e Gjeologji-Minierave, që nuk është thjeshtë një fakultet dhe një ndërtesë, është edhe një monument kulture dhe më vjen mirë që ky investim po i afrohet fundit, duke ruajtur profilin dhe origjinalitetin e asaj çka e bën trashëgimi historike”, tha Kumbaro.

Ministrja nënvizoi se ky investim është pjesë e një serie të gjerë projektesh që po zbatohen në arsimin e lartë, përfshirë edhe Fakultetin e Arkitekturës në të njëjtin universitet. Paralelisht, po përmbyllet edhe procesi për rehabilitimin e kampusit të Universiteti i Tiranës me 17 objekte në kryeqytet.“Duke qenë se po flasim për investime në arsimin e lartë, kjo është pjesë e një serie projektesh që Ministria e Arsimit dhe Qeveria kanë marrë përsipër: Fakulteti i Gjeologjisë dhe Arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës, por gjithashtu jemi edhe në mbyllje të procesit për projektet e kampusit të Universitetit të Tiranës, që përfshin 17 ndërtesa. Bashkia e Tiranës është në fazën finale të mbylljes së procedurave teknike; një pjesë e objekteve janë dorëzuar, pjesa tjetër është në proces. Ky është një investim i madh, i cili do të shërbejë sipas prioriteteve që do të përcaktojë vet Universiteti i Tiranës”, tha Ministrja Kumbaro.

Kumbaro theksoi se synimi kryesor në arsimin e lartë mbetet ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe bashkëpunimi me institucionet arsimore europiane.“Ajo që kemi ne synim është ndërkombëtarizimi i universiteteve, hapja me universitetet tona, por edhe me universitetet e huaja ndërkombëtare është e vetmja e ardhme që duhet të parashikojmë, sepse në 2030 nuk do të jetë më ky treg i vogël ku ne konsumojmë vetveten, por do të përballemi me një konkurrencë shumë më të madhe”, theksoi Kumbaro.Prof.Dr.Florian Nepravishta, njëherësh edhe aktporjektuesi për këtë fakultet, u shpeh: “Ky projekt ruan identitetin historik të tij, duke qenë monument kulture i kategorisë II, jemi munduar të mos bëjmë shumë ndryshime, por një përshtatje me programin e Fakultetit të Gjeologji-Minierave. Kemi realizuar 100% nevojat e fakultetit, me klasa, laboratorë dhe çdo element të nevojshëm për mësimdhënien.”

Investimet në infrastrukturën universitare po shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit. Në Universitetin e Durrësit po përfundojnë disa projekte, ndërsa po përgatitet masterplani për një kampus të ri. Ndërkohë, në Universitetin e Elbasanit dhe në Universitetin Bujqësor vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të mësimdhënies.