Ministry of Education

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, së bashku me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, kanë vizituar disa nga investimet në shkolla e Elbasanit. Gjimnazi i ri “Dhaskal Todri”, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, i cili sot u ofron 640 nxënësve kushte bashkëkohore, laboratorë të shkencave, kabinet informatike dhe terrene sportive.
“Histori 60-vjeçare, ku breza të tërë kanë kaluar, dhe më vjen shumë mirë që rikthehem në hapësirën e një viti, sepse kur e vizitova herën e fundit gjimnazi ishte në kantier. Dhe kur është kantier, nuk është një vit i mirë, sepse do të duhet të zhvendoseni në një tjetër shkollë, por edhe ato harrohen dhe rëndësi ka që jeni rikthyer në shkollë të re, komplet të rinovuar, me mjedise të mira, siç e meritoni ju, por siç e meritojnë edhe nxënësit. Ta gëzoni shkollën! Besoj se jeni të kënaqur duke e krahasuar me atë që ishte. Një shkollë më e mirë, më e bukur, e re. Edhe përveç mësimit, shkolla ‘Dhaskal Todri’ është edhe shkollë e programit ‘Pas Shkolle’, ku ju zgjidhni klubet që ju pëlqejnë”, tha Kumbaro.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, duke vlerësuar investimin, tha se gjimnazi i ri i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë.
“Kishte vite, sepse herën e fundit rikonstruksioni ishte bërë në vitin 2010. Asnjëherë nuk ishte bërë rikonstruksioni i plotë që nga ndërtimi i tij. Tani është bërë rikonstruksioni i plotë i gjimnazit dhe gjithçka, përveç mureve, ka ndryshuar; është bërë totalisht i ri. Gjimnazi ka laboratorë të shkencave, ka palestër të re, ambiente të reja”, tha Llatja.

Nga gjimnazi “Dhaskan Todri”, Ministrja Kumbaro, ka sqaruar përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla, e cila do të bëhet nën udhëheqjen e mësuesve, për të nxitur mendimin kritik te nxënësit dhe jo përdorimin pa kriter të saj.
“Brenda lëndës së TIK-ut ju merrni dhe jepni njohuri edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale. Ne kemi përgatitur, bashkë me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë, përgjegjëse për kurrikulat, udhëzuesin se si duhet përdorur inteligjenca artificiale në atë që quhet përdorimi etik. Përdorimi i inteligjencës artificiale jo si detyrim, por si mund ta përdorim që të zhvillojmë mendimin kritik. Si mund ta përdorin mësuesit për të shtuar aparatin pedagogjik, pyetësorët dhe testimet që nxisin mendimin kritik. Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim, dhe dua ta theksoj këtë, që të jetë futur inteligjenca artificiale me detyrim në shkollë. Nuk është e vërtetë, nuk ekziston. Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të përdoret për të nxitur mendimin kritik, nën udhëheqjen e mësuesve dhe jo të rrisë dembelizmin tek nxënësit”, nënvizoi Kumbaro.

Gjatë vizitës në Elbasan, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka inspektuar edhe serën hidroponike në shkollën “Konstandin Kristoforidhi”, një mjedis inovativ, pa tokë, ku rriten bimë dhe ku nxënësit zhvillojnë në praktikë njohuritë e tyre në lëndët e shkencave, duke u lidhur njëkohësisht më shumë me mjedisin dhe kujdesin ndaj tij.