Ministry of Education

Përmes një seance të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë u zgjodhën drejtuesit e rinj të Legjislaturës IV të Parlamentit të Nxënësve.Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro përshëndeti seancën, duke kërkuar nga përfaqësuesit e rinj të këtij parlamenti të jenë zë i shqetësimeve, sfidave dhe pritshmërive të bashkëmoshatarëve të tyre të shkollave të Shqipërisë, si dhe të jenë pjesë aktive e reformave në arsim.“Si deputete prej tre legjislaturash e këtij parlamenti, nuk kam ardhur asnjëherë më me qejf se sa sot dhe nuk e kam parë këtë sallë më të bukur, më energjike dhe me një frymë kaq pozitive e bashkëpunuese që rezonon në çdo cep të saj. Se ne deputetët më të rritur, ç’është e vërteta, edhe ngremë ndonjëherë zërin këtu, edhe themi ndonjë fjalë jo të hijshme ose të pamenduar mirë, prandaj ky qëndrim shumë qytetar i juaji sot, është meritë e juaja, e mësuesve dhe prindërve tuaj dhe na tregon se jo vetëm ne jemi model për ju, por edhe ju mund të jeni model për ne, se si demokracia mund të funksionojë mbi të drejtën për të respektuar fjalën, mendimin dhe qëndrimin e tjetrit.Dua sot të përshëndes të gjithë anëtarët e legjislaturës III të Parlamentit të Nxënësve dhe t’i falënderoj për me zemër për punën, modelin, përpjekjet për të qenë zë dhe mbështetje për bashkëmoshatrët në komunitetet, qytetet, fshatrat e gjithë Shqipërisë, si dhe të mirëpresim legjislaturën e IV-të këtij parlamenti, jo vetëm si një kalim formal mandatesh, por për të konsoliduar vazhdimësinë e këtij institucioni, që nga legjislatura në legjislaturë, po shfaq qëndrueshmëri, rritje proaktive në nivelet e komunikimit si dhe nisma e ide që na ndihmojnë edhe në konsolidimin e politikave arsimore”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Kumbaro tha nga ana tjetër, se shkolla tashmë nuk është vetëm institucioni ku bëhet mësim, merren detyra shtëpie dhe jepen provime, por një  hapësirë ku nxënësit zhvillojnë talentet, kreativitetin, aftësinë dhe socializohen: “Paralel me përmirësimin e cilësisë në mësimdhënie, po kujdesemi që shkolla të jetë një hapësirë më gjithëpërfshirëse që krijon mundësi, promovon dhe mbështet talentet tuaja. Për herë të parë po organizojmë Festivalin e Shkencës, që tani është në fazë Drejtorish Rajonale dhe ju falenderojmë për rolin tuaj motivues. Po ashtu po shkojmë përpara me Konkursin e Gjuhës Shqipe që feston vlerat tona unike të identitetit kombëtar.

Të gjithë ju jeni pjesë e programeve ‘Art dhe Zeje’, ‘Toka në Shkollë’, ‘Shkollë Qendër Komunitare’, “ekipesh sportive”, etj. të cilat deri para pak vitesh nuk kanë qenë nëpër shkollat tona, por janë rezultat i përpjekjeve që shkolla të jetë jo vetëm vendi ku bëjmë mësim, japim provim e marrim detyra shtëpie, por ku formohemi si qytetarë, zhvillojmë talentet dhe aftësitë, si dhe bëhemi pjesë e mekanizmave qeverisës siç është ky parlament, një laborator demokracie, që ju edukon që në bankat e shkollës me modele të lidershipit. Dhe nuk duhet të harroni që Lidershipi nuk është privilegj, është të marrësh përgjegjësi për klasën tënde, për komunitetin tënd, për ekipin tënd.”

Këtë seancë, e përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi: “Me shumë kënaqësi e kemi ofruar sallën e Kuvendit të Shqipërisë sot, s’mund të kishte një aktivitet më të bukur dhe kuptimplotë se sa ky. Demokracia është mentalitet, është kulturë dhe si e tillë duhet kultivuar. Demokracia është respekt, shumicë apo pakicë qoftë, është edhe orë të gjata pune, por sistemi më i mirë që njohim dhe që është dashur shumë punë edhe sakrificë për ta arritur”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë është organi përfaqësues i qeverive të nxënësve në nivel kombëtar, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes aktive të qeverisë së nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Shqipërisë në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor.Parlamenti i Nxënësve vepron pranë Ministrisë së Arsimit dhe formohet nga një proces zgjedhor periodik, ku marrin pjesë nxënësit e shkollave, përmes të zgjedhurve të tyre në qeverinë e nxënësve (kryetarëve të qeverive të nxënësve).