Ministria e Arsimit dhe Sportit

Qëllimi i politikës 1

Krijimi i një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm për mbështetjen e kërkimit shkencor, të integruar në nivel ndërkombëtar, në të gjithë spektrin e fushave të shkencave natyrore, inxhinierike dhe teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale dhe humane.

Objektivat specifikë:

Objektivi specifik 1.1: Plotësimi dhe zbatimi i kuadrit ligjor dhe rregullator për të garantuar cilësinë, etikën dhe efektivitetin në zhvillimin dhe aplikimin e kërkimit në përputhje me fushat prioritare.

Objektivi specifik 1.2: Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturës mbështetëse të kërkimit shkencor (infrastrukturës akademike) për rritjen e performancës në programet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Objektivi specifik 1.3: Përmirësimi i mbledhjes, përpunimit, interpretimit dhe publikimi i treguesve statistikorë dhe të tjerë të kërkimit, zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit.

Qëllimi i politikës 2: Krijimi i një mjedisi që lehtëson dhe inkurajon mekanizmat e ndërveprimit dhe transferimit të teknologjive për bashkëpunim midis komunitetit të kërkimit, ekonomisë, inovacionit dhe institucioneve publike

Ky qëllim i politikës synohet të realizohet gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të strategjisë dhe do të ndërtojë kapacitete për gjenerimin dhe transferimin e teknologjive nëpërmjet realizimit të objektivave specifikë që janë:

Objektivi specifik 1: Rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, institucioneve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, sektorit të biznesit dhe shoqërisë civile nëpërmjet zgjerimit të kërkimit dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta (Quadruple Helix Model).

Objektivi specifik 2: Përmirësimi i mekanizmave dhe rritja e mbështetjes së transferimit ndërkombëtar të teknologjisë (TNT).

Objektivi specifik 3: Rritja e rolit të shkencës dhe inovacionit në zhvillimin teknologjik.

Objektivi specifik 4: Fuqizimi dhe rritja e kapaciteteve të qendrave të transferimit të teknologjisë për të avancuar njohuritë në një fushë të caktuar ose për të zhvilluar më tej teknologjinë.

Qëllimi i politikës 3

Qëllimi i politikës 3: Promovimi i kulturës së shkencës dhe inovacionit në edukim, për të siguruar një qasje didaktike me theksin në praktikat kërkimore dhe projektet

Ky qëllim i politikës synohet të realizohet gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të strategjisë dhe do të rrisë informacionin e disponueshëm, në lidhje me institucionet, mbështetjen financiare apo edhe mundësitë e ofruara nga financimet/bashkëfinancimet e donatorëve, qoftë për ekspertët e fushës ashtu edhe për të rinjtë në arsimin parauniversitar apo edhe ata në arsimin e lartë. Aktualisht mund të thuhet se në sektorin e arsimit të lartë është rritur ndjeshëm informacioni dhe transparenca që u jepet aktorëve kryesorë në arsimin e lartë, por në arsimin parauniversitar ka të dhëna që të rinjtë nuk kanë informacion të mjaftueshëm dhe shpesh herë edhe të nevojshëm, në lidhje me inovacionin dhe pjesëmarrjen në projekte të ndryshme. Ka disa përpjekje për krijimin e rrjeteve të grave dhe vajzave në STEM, si ai i financuar nga Ambasada Amerikane nëpërmjet granteve të vogla. Rrjeti përbëhet kryesisht nga pedagogë të fakulteteve që ofrojnë programe studimi në IT dhe inxhinieri, dhe ata punojnë kryesisht me vajzat e shkollave të mesme për rritjen e interesit të vajzave në lëndët matematike, fizikë, kimi etj. Promovimi do të realizohet nëpërmjet realizimit me sukses të objektivave të mëposhtëm:

Objektivi specifik 1: Reformimi i kurrikulës së shkencës në arsimin parauniversitar duke përfshirë STEM-in në edukim.

Objektivi specifik 2: Sensibilizimi në të gjitha nivelet e edukimit parauniversitar, për fuqizimin e rolit të të rinjve në kërkim dhe inovacion.

Objektivi specifik 3: Zhvillimi i kompetencës digjitale.