Ministria e Arsimit

Në vijim të takimeve të hapura me prindërit për forcimin e komunikimit mes mësuesve, nxënësve dhe familjes, si edhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në shkolla, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vuri theksin te rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit mes të gjitha hallkave të sistemit arsimor.

Kumbaro theksoi se fenomenet negative që lidhen me ndikimin e teknologjisë dhe mungesën e komunikimit mund të reduktohen nëse shkolla, prindërit dhe nxënësit bashkëpunojnë në mënyrë organike. Ministrja nënvizoi se ndërprerja e zinxhirit të komunikimit është një nga arsyet kryesore që sjell problematika në shkollë.

“Sikur të gjithë ne të jemi në komunikim organik dhe të vëmë jo vetëm detyrën, por edhe shpirtin në këtë punë, unë jam e bindur që fenomenet e kësaj hapësire tjetër, të cilën nuk e kontrollojmë dot 100%, sado që po marrim masa dhe do të vazhdojmë, do të reduktonim dhe amortizonim shumë efektet negative. Kur flasim për shkollën kemi të bëjmë me një zinxhir komunikimi, i cili nuk është i lidhur çdo ditë në mënyrë organike, ndërkohë që do të duhet të ishte. Dhe kur ndodhin probleme, unë mendoj se arsyeja kryesore është se ky zinxhir i komunikimit diku është prerë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Arsimit vlerësoi gjithashtu rolin e qeverive të nxënësve, duke i konsideruar ato si një urë komunikimi mes institucioneve dhe bashkëmoshatarëve të tyre, si edhe një zë për kërkesat dhe pritshmëritë e të rinjve ndaj shkollës.

“Nxënësit këtu janë sot si përfaqësues të qeverive të nxënësve, që do të thotë se jeni më përfaqësues, me ndërgjegjen më të thellë, sepse keni garuar për të qenë pjesë e forumeve drejtuese në kolektivet e nxënësve dhe për të na vënë ne me shpatulla pas murit edhe për atë që prisni nga ne”, tha Kumbaro.

Duke u ndalur te programi pas shkolle dhe raporti i fëmijëve me teknologjinë, Kumbaro theksoi se shkollat po synojne të nxisin aktivitetet pas orarit mësimor për të rritur komunikimin mes nxënësve dhe për të kufizuar përdorimin e panevojshëm të teknologjisë. Ajo apeloi për më shumë përfshirje të prindërve në jetën e fëmijëve dhe në procesin edukativ.

“Pasi mbaron mësimi, po nxisim programin pas shkolle, që të rrini sa më gjatë me njëri-tjetrin, sa më gjatë në shkollë, dhe sa më pak me teknologjinë e padobishme. Po në një moment të caktuar do të ktheheni në shtëpi dhe, kur ktheheni në shtëpi, në orë të tëra komunikimi dhe moskomunikimi, a i rikthejmë fëmijët në shtëpi për t’u mbyllur prapë te kutia e telefonit, apo i rikthejmë në shtëpi për të pasur një komunikim me familjen? 5-6 orë është koha e qëndrimit në shkollë, pjesa tjetër e 24-orëshit është në shtëpi. Kemi prindër të jashtëzakonshëm që janë një ndihmë shumë e madhe edhe për ne dhe gjithmonë janë ata prindër që janë shumë të mirë vetë, i kanë fëmijët shumë të mirë, nuk mungojnë asnjëherë në mbledhjen me prindër, ndërkohë që ne të gjithë duhet të flasim edhe me prindërit e tjerë që, për arsye nga më të ndryshmet, këtë ‘profesionin’ e vështirë të prindërimit mbase nuk arrijnë dot ta bëjnë, jo se s’duan, por jeta e sjell të tillë. E gjitha kjo duhet të kompensohet dhe detyra e mbajtjes fort të zinxhirit është e jona”, theksoi Kumbaro.

Ndërkohë, pedagogia Majlinda Keta, e cila ka bërë një punë të gjatë për studimin kombëtar për “Bullizmin Kibernetik”, mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, tha se futja dhe masivizimi i programit “Art dhe Zeje” në shkolla është një risi me ndikim pozitiv, ndërsa evidentoi nevojën për një gjuhë të përbashkët komunikimi mes nxënësve, prindërve dhe mësuesve.

“Ndërsa shteti suporton gjithë arsimin shqiptar, Tirana nga të gjitha të dhënat që ne kemi lëvizur si studim është e mbimbështetura në nivel republike. Në momentin që janë të gjitha strukturat në mbështetje, duhet të jesh i pari për të pilotuar dhe promovuar gjithçka të re që bëjmë. Nga kjo Tiranë inteligjente, unë sot gjej rastin t’i them Ministrisë së Arsimit që keni bërë gjënë më të mirë që keni futur Art dhe Zeje. Ajo që vihet re në Tiranë është masa e shkëlqyer e fëmijëve, të cilët përshkruajnë një shkollë me shumë më tepër nota pozitive sesa mësuesit, drejtuesit e saj dhe vetë prindërit, që do të thotë se na duhet një gjuhë e përbashkët”, tha Keta.

Të pranishëm në takimin ku pati një sërë diskutimesh, e shkëmbimesh opinionesh ishin përfaqësues të këshillit të prindërve, drejtues të institucioneve arsimore, mësues dhe nxënës.