Ministria e Arsimit

Prezantimi i projektit “Ndërtimi i aftësive, formësimi i së ardhmes – në rrugën drejt integrimit në BE” dhe diskutimi i rolit të aftësive për jetën dhe orientimit në karrierë në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2027–2031, mblodhi së bashku mësues, nxënës, përfaqësues institucionesh e partnerë të zhvillimit të arsimit parauniversitar.

Në datën 9 tetor 2026, në gjimnazin “Isa Adem Boletini” në Vorë u zhvillua forumi mbi “Aftësitë për Jetën dhe Karrierën”. Morën pjesë në të mbi 70 përfaqësues nga institucione publike, 30 shkolla pilote, mësues, përfaqësues të sektorit privat dhe shoqërisë civile.

Të pranishmit u njohën me objektivat dhe synimet e projektit ”Ndërtimi i aftësive, formësimi i së ardhmes – Në rrugën drejt integrimit në BE”, por gjithashtu diskutuan mbi rëndësinë e integrimit të aftësive për jetën dhe këshillimit për karrierën në sistemin arsimor shqiptar.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, CFCU-së dhe UNICEF-it theksuan domosdoshmërinë e investimit në aftësimin dhe përgatitjen e brezit të ri për përballjen me sfidat e së ardhmes.

Duke u ndalur në rëndësinë e këtij procesi, Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Herida Duro, nënvizoi rolin e shkollës në përgatitjen e të rinjve përtej njohurive akademike.

“Ministria e Arsimit është e angazhuar të mbështesë dhe të krijojë të gjitha kushtet për përmbushjen me sukses të projektit ‘Ndërtimi i aftësive, formësimi i së ardhmes’, si një element i rëndësishëm në procesin e zhvillimit dhe modernizimit të arsimit në Shqipëri. Po ashtu synojmë ta zgjerojmë këtë nismë përtej 30 shkollave të parashikuara, duke e shtrirë atë në nivel kombëtar, në mënyrë që gjithnjë e më shumë të rinj të kenë mundësitë e nevojshme për të pasur sukses. Ndërsa punojmë me përkushtim drejt këtij objektivi, jo vetëm që po përmirësojmë arsimin sot, por edhe po hedhim themelet për një të ardhme më të qëndrueshme për brezat që do të vijnë”, u shpreh zëvendësministrja Duro.

Forumi u zhvillua në formën e një paneli diskutimi ndërinstitucional, ku përfaqësues të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), Ministrisë së Arsimit, si dhe ekspertë të fushës, ndanë perspektivat dhe përvojat e tyre mbi rëndësinë e integrimit të aftësive për jetën në kurrikulën shkollore, ndërthurjen e tyre me kërkesat e tregut të punës dhe rolin e orientimit në karrierë në kuadër dhe të Strategjisë së re Kombëtare të Arsimit 2027–2031, e cila është në proces hartimi.

Forumi u përmbyll me një sesion rrjetëzimi, i cili shërbeu si mundësi për vijimin e dialogut dhe forcimin e partneriteteve për zbatimin e kësaj nisme.

Projekti “Ndërtimi i aftësive, Formësimi i të ardhmes – Në rrugën drejt integrimit në BE” është një projekt 18-mujor i financuar nga EU Delegation to Albania dhe i zbatuar nga UNICEF Albania dhe Centre for Competitive Skills, në kuadër të një Marrëveshjeje Kontributi me Drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU). Projekti zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.