Ministria e Arsimit

Në datat 3-5 nëntor 2026, 18 përfaqësues nga Ministria e Arsimit, UNICEF, Centre for Competitive Skills, AKAP, DRAP, ZVAP,  drejtorë shkolle dhe mësues, zhvilluan një vizitë studimore në Estoni në kuadër të projektit “Ndërtimi i Aftësive, Formësimi i së Ardhmes – Në Rrugën drejt Integrimit në Bashkimin Evropian”. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me praktikat e suksesshme dhe qasjet inovative në sistemin arsimor estonez, një nga vendet me rezultatet më të larta në testet ndërkombëtare.

Takimet institucionale pranë Education and Youth Board (HARNO), Autoritetit Estonez të Kualifikimeve (Estonian Qualifications Authority – Kutsekoda) si dhe Estonian Unemployment Insurance Fund, Tallinn Career Centre, por dhe vizitat në shkolla gjatë qëndrimit në Estoni, ishin një mundësi mjaft e mirë për të parë nga afër se si politikat arsimore përkthehen në mbështetje konkrete për nxënësit dhe mësuesit.

 

Përvojat në shkollën Jüri dhe në Kohila dëshmuan vlerën e të nxënit praktik, sipërmarrjes dhe bashkëpunimit të shkollës me komunitetin e tregun e punës, duke evidentuar faktin se përgatitja për të ardhmen fillon nga procesi i zbulimit interesave  dhe mundësive nga ana e nxënësve, deri te zbatimi i njohurive në jetën e përditshme.

Një mesazh i rëndësishëm nga kjo përvojë është nevoja për vazhdimësi: zhvillimi i aftësive për jetën dhe orientimi në karrierë duhet të nisin herët dhe ta shoqërojnë çdo nxënës gjatë gjithë rrugëtimit arsimor.

Këto përvoja i shërbejnë përmbushjes së objektivave dhe prioriteteve për zhvillimin e sistemit arsimor në Shqipëri: Reforma e re kurrikulare, Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar 2027–2031, forcimi i orientimit në karrierë, zhvillimi profesional i mësuesve dhe zgjerimi i programit “Pas Shkolle” i shërbejnë një qëllimi të përbashkët: zhvillimit të aftësive për jetën, mendimit kritik, kreativitetit dhe kompetencave digjitale e sipërmarrëse.

Përmes pilotimit në 30 shkolla, synohet zhvillimi dhe testimi i një modeli të përshtatur me nevojat e nxënësve. Një model që i ndihmon të rinjtë të njohin më mirë veten, të zbulojnë mundësitë që kanë dhe të bëjnë zgjedhje më të informuara për të ardhmen.

Kjo vizitë studimore pritet të kontribuojë në forcimin e politikave kombëtare për edukimin mbi aftësitë për jetën, përmirësimin e sistemeve të orientimit në karrierë, integrimin më të mirë të aftësive për të ardhmen në kurrikula, rritjen e kapaciteteve institucionale etj.