Ministria e Arsimit

Drejtorët e përgjithshëm

Znj. Mirela Cami

Znj Cami, aktualisht mban pozicionin Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar.Më herët ka mbajtur pozicionin Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Politikave të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.Znj. Cami ka një eksperiencë të gjatë pune prej më shumë se 30 vitesh në institucione të ndryshme në Administraten Publike si dhe në Organizata Ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në trajnime brenda dhe jashtë vendit në fusha si Leadership dhe Menaxhim, Analizim të Dhënash, Menaxhim Projekti, etj.Znj. Cami ka një diplome Master ne Biznes Administration, UNYT, Diplome Bachelor ne Finance, UT dhe diplome Bachelor ne Matematike, UAXh.

Znj. Jonida Çollaku

Znj. Jonida Çollaku ushtron detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore për Arsimin dhe Sportin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, nga muaji nëntor 2023 e në vijim. Znj. Çollaku ka nisur karrierën profesionale si juriste, në vitin 2012, në studio përmbarimore, më pas në kompani private, dhe në vijim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Gjithashtu znj. Çollaku ka punuar për një periudhe 5 – vjeçare pranë Apelimeve në Drejtorinë Juridike në Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërorë të Kadastrës, Tiranë. Nga viti 2021 deri në muajin nëntor 2023, znj. Çollaku ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tiranë te Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Kujdesit Shëndetësor.
Znj. Çollaku ka kryer studimet e integruara te nivelit të dytë, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe “Master profesional” në profil “Agrobiznes” në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Që prej vitit 2014, znj. Çollaku ka fituar titullin “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Znj. Matilda Shabani

Znj. Matilda Shabani aktualisht mban pozicionin si Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, detyrë të cilën e ushtron nga muaji shtator 2024 dhe në vijim.

Gjatë periudhës tetor 2019 – shtator 2024 ka patur pozicione të ndryshme pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Pranë kësaj ministrie ka ushtruar funksionet si: muaji tetor 2019 – dhjetor 2020, mbajtur pozicionin si përgjegjëse në sektorin e buxhetit pranë Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar.

Dhjetor 2020 – Prill 2022, mbajtur pozicionin si Drejtor i Drejtorisë së Programeve të Zhvillimit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Prill 2022 – Shtator 2024, mbajtur pozicionin Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse. Znj. Shabani gjithashtu ka një përvojë 11 vjeçare pune në fushën e financës në subjekt privat, ku 3 vite në pozicionin si Përgjegjës Finance dhe 8 vite në pozicionin si Drejtor i Departamentit të Administrimit Financiar.

Znj.Shabani në vitin 2006 ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Në vitin 2007 ka kryer kursin pas-universitar një vjeçar të “Kualifikimit të Specialistëve të Lartë te Financë-Bank”, pranë Fakultetit Ekonomik Tiranë. Në vitin 2011 ka kryer kualifikimin për “Auditues i Brendshëm në Sektorin Publik” pranë Auditit, Ministria e Financës. Në vitin 2018 ka kryer Master Profesional në: “Menaxhimi i Sigurimeve” pranë Kolegjit Universitar Luarasi.

Drejtorët e drejtorive

Z. Shkëlqim Allkaj

Z. Allkaj kryen aktualisht detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Zhvillimit të Politikave dhe Programeve të Arsimit Parauniversitar, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, detyrë të cilën e ushtron nga muaji janar i vitit 2023.

Pranë kësaj ministrie ka ushtruar funksionet: Përgjegjës i Sektorit të Kurrikulës dhe Cilësisë nga shtatori i vitit 2021 deri në janar 2023; Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore nga qershori 2018 deri ne deri në vitin 2021.

Në periudhën 2013-2018 ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Fier. Për më shumë se 10 vite ka kryer detyrën e drejtorit të shkollës në arsimin publik dhe privat. Është angazhuar si pedagog i jashtëm dhe trajnerë në Shkollën e Drejtorëve.

Z. Allkaj ka përfunduar studimetnë Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës për gjuhë shqipe dhe letërsi. Po pranë këtij fakulteti ka kryer studime pasuniversitare në letërsi bashkëkohore, si dhe master në gjuhësi drejtimi redaktori.

Z. Allkaj është diplomuar gjithashtu edhe në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në bachelor dhe master shkencor në të drejtë civile. Ka përfunduar edhe shkollën e Avokatisë.

Znj. Etjola Kola

Znj. Etjola Kola aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit Cilësor dhe Gjithëpërfshirës, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Ka një eksperiencë pune 18 vjeçare në institucionet e qeverisjes qendrore. Më herët, për 6 vite ka punuar si gazetare dhe redaktore përgjegjëse në disa media në vend.

Ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori-Fillogjisë, dega Gazetari dhe Komunikim në vitin 2001.

Ka kryer studimet pasuniversitare Master në Universitetin e Ligjeve KU Leuven, në Belgjikë në fushën e mbrojtjes sociale dhe gjithëpërfshirjes.

Z. Erlis Hoxha

Z. Erlis Hoxha mban detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Politikave për Zhvillimin e Kërkimit Shkencor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, qw prej muajit tetor 2024.

Që prej vitit 2011 e në vijim është i angazhuar si pedagog në disa universitete të vendit, publike dhe private, në lëndët: Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Integrim Evropian, Organizata Ndërkombëtare, etj. Ai është autor i botimit “Fuqite jo-perëndimore dhe Shqipëria”.

Nga viti 2016 e deri në vitin 2022 ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Arkivit Qendror dhe Protokollit, në Bashkinë e Tiranës. Po ashtu në vitin 2023 ka shërbyer në Kabinetin e Ministrit të Drejtësisë si Këshilltar për Integrimin Evropian.

Z. Erlis Hoxha, ka përfunduar studimet e larta në fakultetin Histori – Filologji, më pas kryen studimet pasuniversitare në profilin “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, në të njëjtin fakultet.

Në vitin 2020 ka marrë gradën, “Doktor i shkencave” në profilin “Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare”, pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Znj. Voltisa Koçi

Znj. Voltisa Koçi mban pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit te Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, detyrë të cilën e ushtron nga muaji maj i vitit 2022 dhe në vijim.

Znj. Koçi ka përvojë pune pranë kësaj ministrie që prej muajit maj 2008, në Drejtorinë Juridike, në Drejtorinë e Politikave të Arsimit të Lartë dhe në Drejtorinë e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit te Kuadrit Rregullator.

Znj. Koçi ka një eksperiencë të gjatë pune prej më shumë se 19 vjet, në institucionet e drejtësisë dhe në insitucionet qendrore të administratës publike. Znj. Koçi, ka përfunduar studimet e larta në fushën e drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2005. Znj. Koçi ka fituar titullin “Avokat” prej vitit 2006 dhe ka ushtruar përfaqësimin ligjor të institucionit në të gjitha shkallët e gjykimit.

Z. Bledar Biçoku

Z. Biçoku mban pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Lejeve, Licencave dhe Monitorimit të Shërbimeve, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, detyrë të cilën e ushtron nga muaji shkurt i vitit 2023 dhe në vijim.

Pranë kësaj ministrie ka ushtruar funksionet si: Përgjegjës i Sektorit të Lejeve dhe Licencave, në Drejtorinë e Derregullimit, Leve, Licencave dhe Monitorimit, prej vitit 2019 deri në janar 2023, periudhë gjatë së cilës është kryer digjitalizimi i të gjithë shërbimeve që ofron kjo drejtori. Ka ushtruar detyrën e specialistit pranë këtij sektori, për periudhën 2018 deri në tetor 2019, ndërsa për periudhën 2016 deri në muajin prill 2018, ka ushtruar detyrën e specialistit në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore.

Z. Biçoku ka një eksperiencë të gjatë pune prej më shumë se 17 vitesh në institucionet qendrore të administratës publike.

Z. Biçoku ka përfunduar studimet në fushën e drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2003, si dhe studimet e ciklit të dytë në fushën e psikologjisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në vitin 2014. Ka fituar titullin “Avokat” prej vitit 2005 dhe ka ushtruar përfaqësimin ligjor në proceset gjyqësore.

Znj. Alma Mile

Znj. Alma Mile mban pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, prej muajit gusht 2024. Gjatë periudhës shkurt – gusht 2024 ka shërbyer si këshilltar i Ministrit të Arsimit dhe Sportit. Më herët, prej muajit maj 2019 – shkurt 2024, ka shërbyer si këshilltar pranë kabinetit të Ministrit të Kulturës.

Znj. Mile është eksperte në fushën e komunikimit dhe medies, me një eksperiencë 20-vjeçare si gazetare e fokusuar në çështje të kulturës dhe arsimit në disa prej medieve kryesore në vend, si gazeta “Panorama”, “Shekulli”, “Korrieri” etj. Aktivitet për të cilin është vlerësuar edhe me çmime kombëtare.

Znj. Mile është diplomuar për letërsi në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor” pranë Departamentit të Letërsisë së këtij fakulteti.

Znj. Ornela Koleka

Znj. Ornela Koleka mban pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Statistikave, Prioriteteve dhe Projekteve, prej fillimit të vitit 2023 dhe në vijim.

Pranë kësaj ministrie ka ushtruar funksionin e drejtorit të: drejtorisë së Prioriteteve, Statistikave dhe Inovacionit, prej muajit mars 2021 deri në fillim të vitit 2023; të drejtorisë Prokurimeve dhe Koncensioneve, prej muajit maj 2018 deri në muajin mars 2021, duke iu përgjigjur korrektësisht sfidave të paraqitura; drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Statistikave, prej muajit shtator 2013 deri në fillim të vitit 2018, ku ka dhënë kontributin e saj në drejtim të integrimit te teknologjisë në arsim.

Znj. Koleka ka një eksperiencë të gjatë drejtuese prej më shumë se 20 vjet, në institucionet publike e private.

Ka përfunduar studimet e larta në fushën e inxhinierisë dhe ekonomisë.

Znj. Mirela Bimo

Znj. Mirela Bimo, aktualisht mban pozicionin Drejtorit të Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, funksion të cilën e ushtron nga muaji korrik i vitit 2010 dhe në vijim. Znj. Bimo ka një eksperiencë të gjatë pune prej 32 vite në institucionet e qeverisjes qëndrore:

– 2010 – e në vijim, Ministria e Arsimit dhe Sportit; – 2000-2010 – Ministria e Financave dhe Ekonomisë; – 1998-2000 – Këshilli i Ministrave; – 1992-1998 – Banka e Kursimeve, dega Vlorë.

Znj. Bimo, ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, ne degën Financë. Ajo zotëron një diplomë dy-vjecare lëshuar nga “The Chartered Institute of Public Finance and Accountancy (CIPFA) në Angli për “Financa Publike dhe Audit” si dhe ka përfunduar studimet e ciklit të tretë duke fituar gradën shkencore “Doktor”, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Përgjatë karrierës së gjatë profesionale, ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh në fushën e financave publike, ka qënë pjesë e trupës akademike si pedagoge e jashtme në institucione të arsimit të lartë në vend si dhe është autore/bashkëautore në botime të fushës akademike dhe atyre profesionale si: – Social and Economic Conditions of Student Life in Europe Eurostudent VI 2016-2018 | Synopsis Indicators. https://ëëë.ëbv.de/openaccess/themenbereiche/hochschule-undëissenschaft/shop/detail/name/_/0/1/6001920cë/facet/6001920cë///////nb/0/category/1148. html – Student affairs and services in higher education: Global foundations, issues, and best practices (3rd ed). International Association of Student Affairs and Services (IASAS) in cooperation ëith the Deutsches Studentenëerk (DSË): Berlin. Ludeman, R. B., et.al (Eds.)(2020).

Znj. Albana Çelaj

Znj. Albana Çelaj aktualisht mban pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, detyrë të cilën e ushtron nga muaji janar i vitit 2022 dhe në vijim.

Pranë kësaj ministrie ka ushtruar funksione të ndryshme: prej muajit maj të vitit 2017 deri në janar 2022, ka punuar në zyrën e ZIMEK-ut; ka qenë përgjegjëse në sektorin e Hartimit dhe Fizibilitetit të Projekteve në Arsimin Parauniversitar, në Drejtorinë e Përgjithshme e Zhvillimit për Arsimin dhe Sportin. Znj. Çelaj gjithashtu ka një përvojë 3-vjeçare pune si Inspektore në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.

Znj. Çelaj ka një eksperiencë të gjatë pune prej 22 vjet, si mësuese me kualifikimin “Mësues mjeshtër” në institucionet arsimore parauniversitare.

Znj. Çelaj, ka përfunduar studimet e larta në fushën e mësuesisë në Universitetin “Eqrem Çabej”, në Gjirokastër si dhe Master në Kimi, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Znj. Eglantina Killo

Znj. Eglantina Killo, aktualisht Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit detyrë të cilën e ushtron nga muaji mars i vitit 2024 dhe në vijim.

Pranë kësaj ministrie ka ushtruar funksionin e drejtorit të: Drejtorisë e Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, prej muajit shkurt të vitit 2023 deri në muajin mars 2024: Drejtorisë e Shërbimeve të Përgjithshme, prej muajit mars të vitit të vitit 2022 deri në muajin shkurt të vitit 2023; Drejtorisë së Derregullimit, Lejeve, Licencave dhe, prej muajit shkurt të vitit 2021 deri në muajin mars të vitit 2022,

Znj. Killo ka një eksperiencë të gjatë pune prej më shumë se 10 vjet, në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit në Ministrinë e Financave, nga muaj gusht i vitit 2010 deri në muajin shkurt të vitit 2021. Prej vitit 1998 deri në vitin 2008, ka punuar në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Znj. Killo është e angazhuar në veprimtari mësimëdhënie, si personel akademik i ftuar pranë Universitetit të Tiranës që nga viti 2013 e në vazhdim.

Znj. Killo, ka përfunduar studimet e larta në fushën e ekonomisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1997; studimet në programin e ciklit të tretë të studimeve “Master ekzekutiv”, diplomë e dyfishtë nga Universiteti i Modenës dhe Reggio Emilia, Itali, dhe Universiteti i Tiranës, në vitin 2009. Aktualisht po ndjek studimet e ciklit të tretë për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, pranë Fakultetit te Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Znj. Silvana Gushali

Zj. Silvana Gushali, aktualisht ushtron detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Auditimit, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, detyrë të cilën e ushtron nga muaji qershor 2024 dhe në vijim.

Ajo ka një eksperiencë 24 vjeçare në fushën e auditimit të brendshëm në sektorin publik, në institucionet qendrore të administratës publike, konkretisht në sistemin e shëndetësisë, arsimit të lartë dhe kulturës.

Zj. Gushali është audituese e brendshme në sektorin publik, e certifikuar nga Ministria e Financave. Ka përfunduar me sukses katër modulet e trajnimit ndërkombëtar për audituesit e brendshëm në sektorin publik, trajnim i mundësuar nga Qendra e Ekselencës në Financë, Ljubjanë; Instituti i Miratuar i Financave Publike dhe Kontabilitetit, Londër dhe Ministria e Financave, Shqipëri.

Përgjatë karrierës profesionale ka qenë anëtare e grupit të punës për hartimin e Manualit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik (2010, 2024); anëtare e Komisionit të Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm në Sektorin Publik (2014-2018) si dhe trajnere në trajnimin e vijueshëm profesional për audituesit e brendshëm në sektorin publik (2015-2019).

Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në degën “Administrim Biznesi”, në Fakultetin e Ekonomisë, në të cilin ka fituar gjithashtu titullin “Master i Shkencave” në “Studime Ekonomike Europiane”.