Ministria e Arsimit

Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Hajrulla Çeku, me ftesë të Ministres së Arsimit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, mori pjesë në Finalen e Madhe të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, ku përcolli mesazhin e bashkimit dhe vlerësimit për gjuhën shqipe. Në fjalën e tij, Çeku e cilësoi një kënaqësi të veçantë që vizitën e tij të parë si ministër ta zhvillojë në Tiranë, pikërisht në një aktivitet kushtuar gjuhës shqipe.

“Kënaqësi shumë e madhe që vizitën time të parë si ministër ta bëj këtu në Tiranë dhe të jem mes jush. Ju sjell përshëndetje të ngrohta nga Kosova. Jemi këtu sot për të festuar dhe trashëguar të njëjtën gjuhë. Shqipëria ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat e arsimit dhe dijes, që nga koha e dërgimit të profesorëve dhe librave, të cilët shënuan një kthesë të rëndësishme për arsimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dy ministritë tona kanë bashkëpunuar ngushtë për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet”, tha Çeku.

Ministri Çeku theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës në arsim ka qenë i vazhdueshëm dhe i frytshëm, duke u shtrirë nga kurrikulat e përbashkëta deri te botimet dhe programet për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
“Për gjuhën shqipe në diasporë është hartuar një program i përbashkët, duke e konsideruar diasporën shqiptare si një dhe të pandashme. Si rezultat, janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme, përfshirë kurrikulën e përbashkët dhe botimin e librave për mësimdhënie në diasporë, të cilët tashmë janë edhe të digjitalizuar.
Gjuha është faktori që bashkon shqiptarët. Shenja e kombit është gjuha dhe çdo komb njihet përmes saj”,- nënvizoi ministri i Kosovës.

Ministri Hajrulla Çeku vuri theksi te roli i nxënësve si mbartës dhe mbrojtës të gjuhës shqipe, duke e konsideruar çdo përpjekje të tyre një kontribut të çmuar për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar.

Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e arsimit, Kosovë- Shqipëri organizohen aktivitete të rëndësishme si Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, Olimpiada e përbashkët dhe Festa e Abetares.