Ministria e Arsimit

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, zhvilloi një takim me drejtues të institucioneve të Ministrisë së Arsimit, ku u diskutua përgatitja dhe masat për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore.

Në takim morën pjesë drejtues të Drejtorive Rajonale dhe Vendore të Arsimit Parauniversitar në të gjithë Shqipërinë ku u analizuan hapat konkretë për garantimin e një procesi të rregullt, transparent dhe cilësor për maturantët në të gjithë vendin.

“Me drejtuesit e arsimit parauniversitar të të gjitha niveleve, në një takim për ecurinë e procesit të përgatitjes për Maturën Shtetërore 2026. Planet e konsultimeve, testet model dhe testet provë janë në shërbim të maturantëve për orientimin e tyre dhe për të arritur rezultate sa më të larta në provime. Nga ana tjetër, zbatimi pikë për pikë dhe me rreptësi i rregullores së Maturës Shtetërore është kryefjala që shënjon këtë proces dhe përgjegjësia e çdo drejtuesi të arsimit, administratori apo përfaqësuesi të zyrave arsimore për të udhëhequr mbarëvajtjen e këtij procesi, ku është i panegociueshëm rregulli që garanton barazinë dhe meritën e çdo maturanti: Kush shkel rregulloren, përjashtohet nga provimi”, theksoi gjate takimit Ministrja Kumbaro.

Në takim me drejtues të institucioneve, Ministrja Kumbaro u ndal edhe tek nismat e reja në sistemin arsimor, përfshirë tekstet e reja që do të aplikohen nga viti i ardhshëm mësimor, zgjerimin e programit pas shkolle, si dhe vijimin e trajnimeve të mësuesve nga universitetet, të cilat po zhvillohen rregullisht çdo fundjavë në funksion të rritjes së cilësisë në mësimdhënie.

Aktualisht, gjimnazet po zhvillojnë simulimin e provimit te Maturës Shtetërore.

Për të gjithë maturantët që ndjekin arsimin e mesëm të përgjithshëm më 2 qershor do të mbahet provimi i gjuhës së huaj, më 9 qershor provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, më 16 qershor provimi i matematikës dhe në 23 qershor provimi me zgjedhje.