Ministria e Arsimit

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, gjatë vizitës në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër, vlerësoi arritjen e maturantes Dea Boriçi, e cila është pranuar me bursë të plotë 100% në universitetin prestigjioz Harvard.

Duke vlerësuar suksesin e saj, ministrja Kumbaro u shpreh: “Më vjen mirë që Dea e konfirmoi se për çdo vajzë dhe djalë që del nga shkollat tona, nga këta mësues, nga përkushtimi dhe pasioni për të lexuar, ekziston një mundësi e hapur. Është shumë e rëndësishme të ëndërrosh, por akoma më e rëndësishme të punosh për ta realizuar ëndrrën. Siç thoshte Walt Disney, ‘Midis ëndrrës dhe realitetit ndodhet projekti’. Ti ëndrrën e ktheve në projekt dhe sot e ke realitet.”

Nxënësja Dea Boriçi tha se po përgatitet për të nisur studimet në Harvard, duke falenderuar mësuesit dhe stafin e gjimnazit “28 Nëntori” për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë rrugëtimit të saj akademik.

“Janë shumë komponentë që ndikuan në pranimin në Harvard. Unë mendoj se potenciali ekziston te secili i ri shkodran dhe secili i ri shqiptar, dhe nëse investohet dhe nëse e dimë që mund ta arrijmë dicka të tillë, sepse ekziston stigma që këto universitete prestigjioze nuk mund të kapen, por ama nëse ekzistojnë shembujt, mbështetja edhe nga ana jonë si alumni të gjimnazit, mendoj se mund te ketë shumë më tepër se një nxënës që fiton në këto shkolla”, tha Dea Boriçi.

“Për lëndët që ke bërë në shkollë, ke dalë shumë mirë, por të kanë shtuar pikë të gjitha pjesëmarrjet në programet pas shkolle. Prandaj janë shumë të rëndësishme programet pas shkollë”, shtoi gjithashtu Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.