Ministria e Arsimit dhe Sportit

Mirela Kumbaro Furxhi ka lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2025, ajo ushtron detyrën e Ministres së Arsimit.

Përpara kësaj detyre, znj. Kumbaro ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Qeverinë Shqiptare, duke shërbyer si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit gjatë periudhës 2021–2025 dhe si Ministre e Kulturës nga viti 2013 deri në vitin 2019. Prej vitit 2017 është Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, duke përfaqësuar Qarkun e Gjirokastrës.

Në fushën akademike, znj. Kumbaro mban titullin Profesore e Asociuar që prej vitit 2012, në disiplinën e Gjuhësisë dhe Studimeve Ndërkulturore. Ajo ka fituar më parë gradën Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës, në vitin 2009.

Formimi i saj universitar dhe pasuniversitar është i lidhur ngushtë me gjuhët dhe komunikimin ndërkulturor. Në vitin 1994, ajo përfundoi studimet pasuniversitare dhe mbrojti Diplomën Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në E.S.I.T – Paris III, Universiteti Sorbonne Nouvelle, në Paris, Francë. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori-Filologjisë, ku u diplomua në Gjuhë dhe Letërsi Frënge në vitin 1988.

Përveç karrierës politike dhe akademike, znj. Kumbaro është pedagoge, përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare, me bashkëpunime të shumta në projekte kërkimore dhe akademike të mbështetura nga organizata ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë dhe Këshilli i Evropës. Ajo vjen nga një karrierë e gjatë në arsim, kulturë dhe shoqëri civile, ku ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në fushat e kulturës, arsimit dhe çështjeve sociale.

Në vitin 2017, Mirela Kumbaro u nderua nga Ministria e Kulturës dhe e Komunikimit e Francës me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë”, për kontributin e lartë në zhvillimin e kulturës dhe forcimin e bashkëpunimit franko-shqiptar.