Ministria e Arsimit

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mori pjesë në takimin e shpalljes së 3 thirrjeve për aplikime mbi projektet e kërkimit shkencor, organizim i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Invoacionit, me pjesëmarrjen e rektorëve të universiteteve publike dhe private, drejtues të programeve kombëtare e ndërkombëtare, etj.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi se kërkimi shkencor dhe të dhënat që prodhohen prej tij, duhet të përkthehen në një realitet të prekshëm dhe të reflektojnë impakt në politikbërje, ekonomi, ndryshime ligjore dhe në aktivitete të tjera të vendit.

“Kur vijmë tek misioni dhe tek roli që ka universiteti, është universitet publik apo si si iniciativë e një ekosistemi me financime private, në fund matemi me misionin dhe detyrën që kemi. Dhe për nga mision jemi të gjithë publikë. Ky takim sot ka qëllim kryesor promovimin e thirrjeve të sapohapura. Janë 7 milionë euro të destinuara nga buxheti i shteti për kërkimin shkencor. Nuk është çështja vetëm sa politikbërja vë në buxhet të destinuara për këtë zë. Gjithë çështja është si do performojmë të gjithë bashkë më mirë që ekosistemi t’i përthithë dhe t’i kthejë në rezultate të prekshme. Me shumë të drejtë ju thoni që në një pjesë të madhe, kërkimi shkencor prodhon të dhëna. Sa këto të dhëna rrinë brenda letrave dhe sa funksionojnë apo nuk funksionojnë urat e komunikimit midis politikbërjes që të shkojmë në një perspektivë të cilën sot nuk e kemi? Kur çdo kërkues shkencor vjen nga një universitet, universiteti duhet të jetë mbështetës. Prandaj ka vlerë ky event, për të promovuar mundësitë e financimit të projekteve të kërkimit shkencor nga AKKSHI dhe Ministria e Arsimit. Ka një ndryshim shumë të madh në 7 vitet e fundit, por 7 vite janë të mjaftueshme në kohë për të parë çfarë duhet të përmirësojmë dhe si AKKSH-i duhet të rishpikë vetveten”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, ka shpallur aktualisht 3 thirrje për financim projektesh: thirrjen për infrastrukturën e kërkimit shkencor, thirrjen për teknologjinë dhe inovacionin si dhe thirrjen për infrastrukturën e kërkimit shkencor.