Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me “British Council” shpallin konkursin për krijimin e logos e së Konferencës Kombëtare: “Edukimi pas-shkollor në Shqipëri – Politika, standarde dhe modele për zhvillim gjithëpërfshirës”.

Logoja e këtij konkursi do të vijë si krijim nga vetë nxënësit e arsimit parauniversitar, me synimin për t’i përfshirë dhe nxitur të shprehin idetë, imagjinatën dhe kreativitetin e tyre për aktivitetet pas shkollës dhe rolin që ato kanë në zhvillimin e fëmijëve.

Logoja fituese do të përdoret në materialet zyrtare të konferencës dhe aktiviteteve shoqëruese.

Në këtë konkurs mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar (nga klasa I – XII) në mënyrë individuale ose grupe prej 3 nxënësish.

Logoja duhet të paraqesë botëkuptimin e nxënësve për programin “Pas Shkolle” nën konceptin kryesor “Pas Shkolle – Krijojmë • Zhvillojmë • Frymëzojmë”

Logoja duhet të jetë origjinale dhe e krijuar nga nxënësit e thjeshtë dhe e kuptueshme me ngjyra të lira. Punimi mund të realizohet si vizatim në letër ose në formë digjitale.

Çdo punim duhet të shoqërohet me emrin e nxënësit ose grupit, klasën dhe shkollën si dhe emrin e mësuesit përgjegjës. Punimet duhet të shoqërohen gjithashtu me një paragraf të shkurtër përshkrues, ku nxënësi/grupi shpjegon idenë e logos, elementet kryesore të përdorura dhe mesazhin që dëshiron të përcjellë në lidhje me aktivitetet “Pas Shkolle”.Punimet do të dorëzohen brenda datës 6 mars në adresën e emailit: jolin.matraku@arsimi.gov.al

Logoja fituese do të shpallet logo zyrtare e Konferencës Kombëtare “Edukimi pas-shkollor në Shqipëri – Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës” që do të mbahet më 19 mars 2026.

Logoja fituese mund t’i nënshtrohet përpunimit grafik nga ekspertë të dizajnit, në bashkëpunim me autorin/autorët, për ta përshtatur atë me kërkesat teknike, vizuale dhe formatet e nevojshme të Konferencës Kombëtare, pa ndryshuar idenë bazë dhe konceptin origjinal të punimit.