Ministria e Arsimit

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vizitoi shkollën e Mesme të Bashkuar Mehmet Bajraktari në Shalës të Cërrikut e cila është në proces rikonstruksioni të plotë, ndërsa do t’i shtohet një palestër e re dhe terrene sportive. E shoqëruar në këtë takim nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla , ministrja Kumbaro vuri theksin te projektet që afrojnë fëmijët me natyrën dhe praktikat që shtojnë hapësirat e gjelbra.
“Me rikonstruksionin e godinës, me sistem ngrohjeje qendrore, në këtë shkollë zgjidhet edhe problemi i turneve dhe klasave të bashkuara. Kjo shkollë duhet të kthehet në një model të programit Art dhe Zeje. Me këtë sipërfaqe dhe mes këtij gjelbërimi, kjo shkollë është e duhura për të aplikuar projektin “Toka në shkollë”, tha ministrja.
Nga ana tjetër, ministri Salla foli për një shkëmbim praktikash me shkollën profesionale bujqësore të Cërrikut.
“Ne kemi nisur edhe me shkollën bujqësore profesionale në Cërrik për të mbjellë disa bimë medicinale ose bimë që nuk rriten në zonë në mënyrë që t’i japim një praktikë të mirë shkollës profesionale, por edhe shkollës së mesme të bashkuar. Përveç shkollës Mehemet Bajraktari, do të identifikojmë edhe disa shkolla të tjera ku ka hapësira të krijojmë këtë mundësi për nxënësit në mënyrë që të krijojmë një cikël të ri.”

Më tej, ministrja Kumbaro vizitoi edhe mjediset e brendshme, ku po punohet për vendosjen e sistemit të ngrohjes qendrore:
“Pas rindërtimit të shkollës në bashkëpunim me bashkinë, Ministria e Arsimit do të bëjë mobilimin dhe pajisjen me mjete laboratorike. Tashmë terrenit të shkollës i shtohet palestra dhe fusha e re sportive, prandaj duhet të ndërtohen edhe ekipet sportive në shkollë”, përfundoi ministrja Kumbaro.