Ministria e Arsimit dhe Sportit

Pas goditjes së rëndë të Shqipërisë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një nga prioritetet madhore të qeverisë shqiptare u bë garantimi i sigurisë dhe cilësisë në institucionet arsimore. Në këtë kuadër, lindi Programi i Rindërtimit të objekteve arsimore një projekt i jashtëzakonshëm rilindjeje nga themelet, që po transformon infrastrukturën arsimore dhe edukative në vend.
Qindra shkolla, kopshte dhe çerdhe në zonat e prekura po ndërtohen nga e para, sipas standardeve europiane. Këto ndërtesa të reja ofrojnë kushte optimale për mësimdhënie dhe të nxënit: ambiente me kushte bashkëkohore, laboratorë, hapësira rekreative, sisteme ngrohjeje dhe ajrosjeje të integruara, si dhe akses për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Mbështetja e menjëhershme financiare dhe teknike e qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, mundësoi hartimin dhe zbatimin e projekteve ambicioze për rikuperimin e kapaciteteve arsimore.
Por puna nuk është ndalur vetëm tek zonat e dëmtuara. Paralelisht, po vijon rikonstruksioni i shkollave ekzistuese dhe ndërtimi i shkollave të reja në gjithë territorin e vendit, që nuk janë pjesë e Programit të Rindërtimit, por janë pjesë e një strategjie kombëtare për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
Kjo qasje gjithëpërfshirëse përbën një investim strategjik në të ardhmen e vendit. Një sistem arsimor i fortë dhe i sigurt është themeli për formimin e brezave të rinj dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.
Në të gjitha këto projekte, fokusi nuk është vetëm tek ndërtimi fizik i objekteve, por edhe tek krijimi i një mjedisi dinjitoz, të barabartë dhe inkurajues për të gjithë nxënësit.