Projektligj “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

|

Postuar më:

|

Data e Mbylljes:

|

Nr.Komenteve: 3

|

Nr.Shikimeve: 1757

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

Projektligji synon arritjen e objektivave si sigurimi i produkteve të kërkimit shkencor që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik, si dhe konsolidimin e identitetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare; përvetësimin e aftësive dhe njohurive të reja, transferimin e tyre për përfitimin e përgjithshëm publik, me synim rritjen e nivelit të mirëqenies sociale, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit; fuqizimin e aftësive për të menaxhuar dhe zbatuar progresin teknologjik dhe të përgjithshëm shoqëror, si burimi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm, duke rritur vlerën e punës dhe konkurrueshmërinë; fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare të komunitetit të studiuesve dhe kërkuesve shkencor shqiptarë me ato të zonës europiane të kërkimit, si dhe me kërkuesit e diasporës, duke promovuar lëvizshmërinë dhe përfshirjen në proceset e integrimit evropian dhe në rrjetet ndërkombëtare të vlerave; ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor dhe nxitjen e zhvillimit të karrierës shkencore duke siguruar mundësi të barabarta; fuqizimin dhe rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore shkencore duke garantuar akses për të gjithë; zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e kërkimit shkencor, me qëllim zhvillimin dhe shfrytëzimin e potencialeve kërkimore shkencore; nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve të kërkimit shkencor dhe biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion; promovimin, zgjerimin e rolit të shkencës dhe krijimin e një mjedisi favorizues dhe mbështetës për kërkimin shkencor në shoqëri.

Komentet nga qytetarët

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Për sa i përket projektligjit të propozuar "Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërise", kam komentet e mëposhtme:

1. Ligji vendos Këshillin Kombëtar mbi Ministrine e Arsimit, i cili është institucioni përgjegjës për arsimin e lartë dhe shkencën. Shkenca është pjesë integrale e Arsimit të Lartë dhe nuk duhet të trajtohet ndarazi.
2. Neni 7 i projektligjit, pikë 5 thotë, "Institucioni vlerësues i veprimtarisë së kërkimit shkencor është Ministria." Kjo kundërshton Nenin 9, i cili përcakton Këshillin Kombëtar për Shkencë me të njëjtat atributet: "Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor është një organ kolegjial këshillimor ngritur nga Kryeministri, i cili ka për detyrë të vlerësojë veprimtarinë kërkimore shkencore në vend dhe të japë rekomandime."
3. Si me siper, nenet ne lidhje me Këshillin Kombëtar për Shkencën shkelin atributet e Ministrisë së Arsimit,.
4. Neni 10, pikë 2 thotë, "Anëtarët e këtij këshilli, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, janë personalitete të njohura në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, të caktuar nga Konferenca e Rektorëve." Kuptimi i "personaliteteve të njohura" dhe kriteret nuk janë të përcaktuar. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, titujt akademikë ndahen bazuar në publikimet në bazat e të dhënave Scopus dhe Thomson, dhe duhet të përcaktohet nëse personaliteti shkencor duhet të jetë në 1-2% të shkencëtarëve më të mirë në Shqipëri sipas parametrave shkencore, për shembull, H-indeksi. Në Shqipëri, përballimi me problemin e plagjiaturave, emërimin e profesorëve dhe anëtarëve të akademisë pa publikime shkencore, dhe me H-indeksin 0 dhe 1 te barazvlefshëm me nje student doktorature. Për shembull, si mund të konsiderohet z. Skënder Gjinushi një "personalitet në shkencë" kur nuk ka asnjë publikim dhe asnjë doktoraturë publike? E njëjta pyetje qëndron për rektorët, si për shembull rektorin e Universitetit të Tiranës i cili nuk ka asnjë publikim me faktor impakti
5. Neni 11, pika b kundërshton Nenin 2, i cili është atributi i Ministrisë së Arsimit.
6. A shkel pavarësinë institucionale Kryeministri duke përcaktuar veten kryetar të këshillit kombëtar shkencor dhe jo Ministrin përgjegjës apo një personalitet në shkencë (si për shembull kryetiar I akademisë së shkencave)? Sipas ligjit, propozimet shkojnë në këshillin e ministriva, ku kryetar është po kryeminsitri.
7. Neni 22, pikë 1 përcakton vlerësimin e institucioneve të financuara vetëm nga Ministria, ndërsa institucionet e tjera, pavarësisht financimit publik ose jo, duhet të jenë subjekt i vlerësimit shkencor dhe financiar njësoj si institucionet publike.
8. Neni 12 përcakton Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si institucionin ku kryhet veprimtaria e kërkimit shkencor, ndërsa, sipas standardeve Evropiane, Akademia e Shkencave duhet të jetë një organ nderimi dhe këshillimi i qeverisë në politikat në shkencë, shëndetësi dhe teknologji. Kërkimi shkencor kryhet në institucionet e kërkimit, duke përfshirë universitetet.

Sinqerisht,
Taulant Muka, MD, MPH, PhD, PD

MENDIME LIDHUR ME PROJEKT - LIGJIN “PËR SHKENCËN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” NË KUADRIN KONSULTUES TË INICUAR NGA MAS/QEVERIA

Prof. Afrim Krasniqi
IH/ISP

Ligji mbi shkencën është i rëndësishëm dhe në praktikat e shumicës së vendeve të BE (p.sh, Gjermanisë) përbën ligj mbi të cilin referohet ligjet e tjera që lidhen me arsimin e lartë, etj, jo e kundërta. Për sa kohë në Shqipëri është miratuar prej vitesh ligji mbi arsimin e lartë, ligji mbi Akademinë e Shkencave, janë miratuar VKM për disa institucione specifike (në studimet ushtarake, policore, të artit, të sportit, etj), miratimi në fund I ligjit për shkencën duket se e minimizon hapësirën dhe fushëveprimin e ligjit, pasi ai duhet të marrë të mirëqena aktet e deritanishme, jo të jetë pikë referimi (si në praktikat perëndimore). Kjo është dobësia kryesore e nismës dhe e vetë thelbit të ligjit. Ideja për të pasur ligj mund të jetë më pozitive sesa për të mos pasur, por mendoj se më shumë sesa nevoja për të pasur një ligj formal që vjen nga detyrimi i matricës vjetore të KM, Shqipëria ka nevojë jetike për një ligj reformator, të qëndrueshëm, funksional dhe afatgjatë.

Së dyti, ligji për shkencën kërkon dy qasje paralele afatgjata, kapacitetet e Shqipërisë për “shkencë” dhe burimet financiare në dispozicion. Shqipëria nuk ka përcaktuar ende cilat janë fushat kur realisht ka interes afatgjatë dhe përputhje me interesit me mundësitë dhe nevojat, pasi, p.sh zhvillimi i nanoteknologjisë apo studimeve të thelluara mjekësore, etj, do të ishin prognoza jashtë realitetit, si dhe nga leximi i SKZHIE 2020-2030 ishte pesimist fakti se ai dokument që duhet të ishte produkt i vizionit dhe qasjes strategjike nuk ka shumë prej elementëve thelbësorë të modeleve të njëjta në vendet e BE dhe as të qasjes reale strategjike. Po ashtu, si SKZHIE ashtu edhe ligji i shkencës dhe vetë kërkimi shkencor në Shqipëri, nuk janë përkthyer në kosto financiare të identifikueshme, nuk ka siguri mbi buxhetin në dispozicion dhe pa burime financiare do të ishte disi utopike të jetësohen shumë prej synimeve që janë cituar në pjesën e parë të ligjit.

Së treti, Shqipëria ndodhet ende në një fazë tranzicioni në njohjen, vlerësimin dhe identifikimin e kërkimit shkencor. Mësimdhënia nuk është shkencë dhe shumica e ILA, përfshirë Universiteti i Tiranës ofrojnë kryesisht mësim. Pjesa më e madhe e aktiviteteve që quhen shkencore, përfshirë konferenca, botime, tryeza, raporte, etj, nuk plotësojnë as formalisht kriteret shkencore dhe nuk kanë impakt real shkencor. E njëjta vlen edhe për ASH, institucionit që i është njohur vend qendror në ligj dhe që përvoja e raportet vjetore të saj tregojnë se koncepti i tyre për shkencën dhe veprimtaritë shkencore mbetet shumë i largët nga koncepti bashkëkohor mbi shkencën dhe produktet shkencore. Sjellja institucionale dhe publike gjithashtu ka sponsorizuar dhe imponuar një sistem paralel vlerash jo reale, mbi të cilat emërtohen merita dhe elita në emër të shkencës, një mentalitet dominues që vjen nga sistemi ynë i kaluar. Disa institucione, përfshirë ato që posedojnë fonde publike për konkurrim, nuk kanë pasur dhe as kanë një sistem njohjeje e vlerësimi për shkencën, që të mund të konsiderohen se prioritetet apo fondet e tyre kanë qenë në funksion të saj, siç gabimisht nënkupton SKZHIE. Dhe në këto rrethana, për sa kohë MAS, si institucioni përgjegjës, nuk ka arritur të identifikojë kapacitetet reale shkencore dhe situacionin e kërkimit real shkencor në vend, ka qenë edhe e besoj se është e pamundur qasja strategjike, gjë që reflektohet edhe në disa elementë të kësaj nisme ligjore për shkencën.

Së katërti, në vijim të logjikës, ligji vendos në rol lider MAS, - hartues, kontrollues, monitorues, miratues, verifikues, organ që inicion aktet nënligjore dhe udhëzimet, etj, de facto e njëson shkencën me fokusin e MAS, kur MAS është ministri e Arsimit dhe Sportit, dhe shkenca në vetvete zë vend periferik në aktivitetin, prioritetet dhe kapacitetet e saj institucionale e njerëzore. Vende të tjera (p.sh Gjermania) e kanë zgjedhur duke i dhënë status më të lartë shkencës dhe përgjegjësisë ndaj saj, duke përfshirë Presidentin, parlamentin apo institucione të sprovuara ndërkombëtare në kërkimin shkencor, kurse përvoja me emërimin e funksionimin e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor që ekziston prej disa vitesh në MAS, është jo vetëm sa zhgënjyese aq edhe jo funksionale si model pozitiv për të krijuar tashmë një këshill tjetër hierarkik të njëjtë për shkencën.

Së fundi, në aspektin e terminologjisë, ligji për shkencën duhet të evitojë gjuhën e një deklarate, përkthimi anglisht nga dokumentet ndërkombëtare, si dhe gjuhën e detajuar të rregulloreve dhe akteve nënligjore, që fatkeqësisht i ka me shumicë në këtë fazë të tij. Ai meriton të jetë ligj solid, profesional, integral, i qartë, si dhe të fokusohet në problematikat më të rëndësishme, bazuar në përvojat edhe të vendeve të tjera në BE. Pika e vetme në përvojën gjermane ku ligji është i detajuar lidhet me financimin, kurse tek drafti shqiptar financimi zë pak vend dhe në formë të përgjithshme, pa detaje dhe mekanizma që e jetësojnë realisht atë, si dhe transparencën që duhet ta ketë.

Gjithësesi, duke rezervuar të drejten të mbetem skeptik se ky draft-ligj përmbush nevojën që ka Shqipëria për një ligj organik, funksional dhe bashkëkohor mbi shkencën dhe duke gjykuar se ndofta nevoja për ligj ka qenë më prioritare sesa nevoja për përballjen me sfidën e zhvillimit real shkencor në vend, - në respekt edhe të thirrjes per konsultim dhe të grupit punues, po ju dërgoj komentet e mia lidhur me draftin konkret ligjor. Shpresoj të jenë të vlefshme.

Neni 1. Komenti
• Termi “sistem i shkencës” është jo i qartë, detyrimi se ligji është i zbatueshëm për çdo institucion që është pjesë e sistemit të kërkimit shkencor, nuk është i saktë, pasi në dispozita citohen edhe institucione e palë të treta, që nuk janë pjesë e kërkimit shkencor, por mund të jenë direkt ose indirekt me përfitime / përgjegjësi nga dispozitat.

Neni 2. Komente
• Termi “bashkëkohor” nuk përshtatet si term në akt juridik/ligjor. Neni 1 fliste për organizim dhe funksionim, neni 2 për zhvillim dhe funksionim. Duhet njësim termash dhe evitim i përsëritjes.
• Pika b) mbi burimet e ligjshme, është term që nuk ka sens në një ligj, sepse ligji presupozon se merret me burimet e ligjshme, nuk i thekson ato.
• Pika 2, në tërësi kërkon redaktim të plotë, heqje të përsëritjeve, njësim të termave dhe koncepteve dhe evitim të deklarimeve/sloganeve që nuk kanë objektiv të qartë.
• Pika 2, a) ligji nuk mund të sigurojë produkt shkencor, ligji rregullon mekanizmat/mënyrat e jetësimit/rregullimit të kërkimit shkencor. Termat “zhvillimi i qëndrueshëm e përfshin edhe mjedisin, shëndeti publik nuk mund të jetë zë në vehte, identiteti kombëtar nuk mund të jetë objektiv ligji, sepse nuk mund të jetë i përcaktueshëm dhe as pikësynim i një shkence të hapur.
• Pika 2, a) ligji nuk mund të sigurojë produkt shkencor, ligji rregullon mekanizmat/mënyrat e jetësimit/rregullimit të kërkimit shkencor. Termat “zhvillimi i qëndrueshëm e përfshin edhe mjedisin, shëndeti publik nuk mund të jetë zë në vehte, identiteti kombëtar nuk mund të jetë objektiv ligji, sepse nuk mund të jetë i përcaktueshëm dhe as pikësynim i një shkence të hapur.
• Pika 2, b) “me synim rritjen e mirëqenies sociale” nuk shkon, është nën ndarje e zhvillimit të qëndrueshëm të pikës a.
• Pika 2, c) termi “zhvillimit të qëndrueshëm” përsëritet nga pika a), terma si “rritur vlera e punës” apo “menaxhuar progresin teknologjik dhe të përgjithshëm” janë slogane, jo të sakta në përmbajtje dhe jo të identifikueshme.
• Pika 2, d), përse vetëm zonën evropiane? Shqipëria ka një marrëveshje me SHBA dhe Japoninë, apo me vende të tjera jashtë zonës evropiane lidhur me shkëmbimet shkencore dhe universitare. Nuk ka term “rrjetet ndërkombëtare të vlerave”, mund të jetë përkthim i gabuar. Nuk mund të thuhet “me kërkuesit e diasporës” për “përfshirjen në proceset e integrimit evropian” sepse diaspora në SHBA në fushën e shkencës ose në UK nuk janë pjesë e procesit të integrimit evropian.
• Termat “fuqizim, rritje, ngritje, nxitje, promovim” mgjs synojnë të tregojnë trend pozitiv nuk janë të përshtatshme në një ligj, sepse janë të pamatshëm dhe terma deklarativë. P.sh, “rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore” nuk ka kuptim, por nëse ruhet fjalua vijuese për konceptin e aksesit të barabartë kjo e fundit ka kuptim.
• Pika 2, g) Angazhimi “bashkëpunimit ndërinstitucional” nuk ka sens në një ligj ku përfshirja nuk lidhet detyrimisht me institucione dhe në germën vijuese (h) përsëri citohen “institucionet publike”, një përsëritje e paqartësi e panevojshme.
• Pika 2, g dhe h) nëse ruhet termi “institucioneve të kërkimit – shkencor” duhet përcaktuar cilat janë ato sepse ato të listuara në ligj në vijim nuk e plotësojnë këtë kriter.

Neni 3. Komente
• Terminologjisë së ligjit i mungon interpretimi se çfarë quhet shkencë dhe produkt shkencor, pasi shpjegimi i dhënë në fund të këtij neni është i pamjaftueshëm dhe i paqartë, përpara se të kalohet në termat administrativë dhe teknikë.
• Pika 1. Përcaktimi “një rëndësie të veçantë” nuk përfshihen institucionet që lidhen me identitetin kombëtar, që ishte cituar si prioritet në nenin 2??? Kush i përcakton dhe si përcaktohen “fushat e kërkimit shkencor të një rëndësie të veçantë?
• Pika 4. Disa terma si “inovacion” nuk janë të qarta dhe shteruese, një sugjerim do të ishte referimi në fjalorin e Oxfordit mbi kuptimin e këtyre termave.
• Pika 5. “Kërkim-zhvillim” që të “rriten njohuritë për njerëzimin, kulturën dhe shoqërinë”?. Natyrisht kuptimi është shumë më i gjerë sesa kaq.
• Pika 6 dhe 7. Ministri përgjegjës për çështjet e shkencës? Ministri i Arsimit dhe Sportit do ishte e mjaftueshme, shkenca nuk mbulohet nga një ministër.
• Pika 8-9. Termi “kërkimor-shkencor” është përdorur në disa forma në ligj, bashkë, ndaras, vetëm një term dhe pas disa fjalëve termi tjetër, mendoj se duhet njësuar termi në gjithë ligjin.
• Pika 10. “Sistemi i shkencës”, a mund të ketë aktor të tjerë përveç institucioneve? Individi shkencëtar, individi në diasporë, studiuesi që nuk punon në institucion por kryen arritje të rëndësishme shkencore?
• Pika 12. “Shkencë”. Inovacioni apo transferimi i teknologjisë nuk janë pjesë e procesit të kërkimit e zhvillimit shkencor? Sepse trajtohen të ndara në ligj.
• Pika 13. “Veprimtari kërkimore shkencore” është akt individual? Vetëm “nga kërkuesi” jo nga më shumë se një individ?

Neni 4. Komente

• Pika 2. Liria e kërkimit shkencor, mendoj se duhet referuar Kushtetuta neni 58, jo garancia me ligj. Ajo është garanci kushtetuese përpara se të jetë e akteve ligjore në funksion të saj.
• Pika 3. Referimi i synimeve të barazisë gjinore është i pasaktë, madje i gabuar në shprehje sepse nuk konfirmon parimin, por vendos në ligj ekzistencën e paragjykimit dhe diskriminimit, nuk lidhet me konceptin punë – jetë, dhe nuk ka sens për parimin e pagës, kur ligji vetë vlerësimet e pagës i bën sipas titujve jo sipas gjinisë. Ata që e kanë përkthyer, nuk e kanë gjetur vendin e duhur për ta përdorur.
• Pika 4. Mosdiskriminimi ligjet edhe me gjininë (është cituar në pikën 3) ndaj lidhja e dhënë këtu është e paplotë dhe përsëritje. Lart flitet për burrë-grua, këtu për orientim të lirë seksual, si dhe koncepti “racë” nuk shkon në legjislacionin tonë, është përkthim i gabuar.
• Pika 5, “bazohet në bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional” i përsëritur më lart. Mund të kalohet direkt tek referimi tek ERA pa përsëritje.
• Pika 6. “siguron barazi, eficiencë, efektivitet dhe transparencë të përdorimit të fondeve”? Pa sens. Vetë kërkimi shkencor është synim për të shkuar tek zgjidhja dhe jo gjithnjë ka produkt efikas, koncepti barazi nuk shkon, koncepti që lidhet me meritokracinë do kishte më shumë vlerë dhe “transparenca” është parim i pamatshëm gati slogan pa sens kur thuhet në formë konfirmuese se “siguron”, ndërkohë që mund të thuhej të paktën “synon të sigurojë”.

Neni 5 Komente.
• Pika 1. Jo vetëm institucionet.
• Pika 2. Termi “të ndërveprueshme dhe të ripërdorshme” çfarë kuptimi ka? Legjislacioni vijues ka kufizime për këto praktika dhe passjell pasoja financiare. Referimi “siguria e shtetit” kërkon referim tek një ligj tjetër që nuk është përmendur këtu.
• Pika 3. Përmbledh më mirë dhe më qartë realisht pikën 2 duke përsëritur të njëjtën gjë.
• Pika 4. Pasi bëhet i detyrueshëm, këtu shpallet kriter vlerësimi. Diçka e detyrueshme është e detyrueshme, jo kriter vlerësimi, pasi kriteret negociohen dhe mund të mos ketë interes të plotësohen. Karriera e studiuesit vlerësohet nëse përgjegjësia është e tij, jo e institucionit. Këtu nuk është bërë qartësisht ndarje.
• Pika 5 de facto i bën të panevojshme pikën 2, 4 dhe 6. Sepse mund të jenë pjesë e udhëzimit të ministrit, jo e ligjit, ndryshe udhëzimi do përsërisë ligjin.

Neni 6. Komente.
• Pika 1+2. Standardi i përcaktimit të fushave? Po studimet mbi sigurinë, terrorizmin, politikën e jashtme, etj, janë më pak të rëndësishme sesa ato bujqësore? Nëse përcaktohen nga Ministri, atëherë futet diku një nen që përcaktohen nga ministri por duke pasur një bazë referuese mbi kriteret? SKZHIE? Strategjia e Sigurisë Kombëtare? Plani Strategjik sipas nenit 7?

Neni 7. Komente.
• Pika 1 dhe në vijim. Ministria e Arsimit dhe Sportit? “Realizon politikat e programit qeverisës”...nuk është detyrë vetëm e MAS dhe as vetëm e ministrive.
• Pika 2, a dhe c) nuk janë e njëjta gjë, plani strategjik me fushat prioritare??
• Pika 2, e) këtë funksion mund ta bëjë edhe KLSH, edhe institucione të tjera, jo vetëm MAS.
• Pika 2, g) “Kodin e Etikës”. Ai mund të bëhet në një muaj dhe miratohet, a duhet futur në ligj një kompetencë për diçka që bëhet vetëm njëherë dhe është akt deklarativ dhe administrativ??

Neni 8. Komente.
Pika 2 dhe 3 zhvleftësohen nga pika 4, e cila i përmbledh këto pika, të cilat janë shumë teknike. P.sh, kush e thërret mbledhjen dhe çështja e kuotave. Termi “personalitete të njohura” mund e duhet të hiqet, është term i një epoke tjetër. Ngaqë është ligj për shkencën, së paku ta quajnë “shkencëtarë të njohur” ndonëse ka qenë e është kriter pa sens dhe shumë pragmatist. Mund të shtohet detyrimi që anëtarët të mos jenë në konflikt interesi me aktivitetin që kryejnë (zotërues kuotash apo përfitues të grandeve që miratohen direkt/indirekt prej tyre, etj), si dhe koncepti “me financim publik” që citohet kudo në ligj duhet theksuar edhe këtu.

Neni 9. Komente.
• I gjithë neni është i panevojshëm. Është organ këshillimor i ministrit. Kaq mjafton.
• Tek neni 13, psh, i është dhënë një kompetencë tjetër që nuk bën pjesë tek neni 9.

Neni 10. Komente.
• Pika 1. Cilësimi “punonjës kërkimorë shkencorë” mund të rishikohet. Punonjës nuk është term për shkencëtarët, është mbetje gjuhësore e një kohe tjetër. Term më i pranueshëm do ishte “personel”, “staf”, “kërkues shkencorë dhe ndihmës teknik...”, etj.
• Pika 2 është e përcaktuar në ligjin mbi arsimin e lartë dhe në legjislacion, si dhe më pas në aktet e brendshme. Termi “drejtuesi i institucionit” është i paqartë dhe krijon hapësirë për abuzim kur bëhet fjalë për institucione që kanë në përbërje institute etj, të cilat me VKM mund të jenë të pavarura/autonome. Tek institucionet gjysëmprivate ose private ka rregulla të tjera për rekrutimin.
• Pika 2-4. Cilësimet “personel teknik”, personel administrativ, personel kërkimor...mund të viheshin në fillim të ligjit, tek shpjegimi i termave, duke evituar vendosjen e zgjeruar këtu.
• Pika 5. Cilësimi “vendas”, “të huaj” është i paqartë. Një shqiptar në Tiranë me shtetësi gjermane quhet i huaj, një studiues nga Kosova gjithashtu, një i huaj me leje pune të rregullt si lektor në Shqipëri do trajtohet edhe më tej si i “huaj” pavarësisht se është marrë me kushte të njëjta punësimi me studiuesin shqiptar?!

Neni 11. Komente.
• Pika 1, b) në të gjitha ciklet dhe udhëheqjen? Ka të drejtë? Jo, kjo vlen nga formimi, drejtimi dhe ka kufizime në fusha të ndryshme. Në të drejtat është më e këshillueshme të evitohen fjalët e shumta dhe të përsëritura konfirmuese të disa të drejtave që janë universale dhe të kuptueshme, duke mbajtur në ligj vetëm referimet në legjislacion dhe aktet e brendshme, jo kaq shumë detaje.
• Pika 1, c) të ketë mbështetjen e nevojshme financiare? Apriori apo sipas mundësive të institucionit. Sepse nëse jepet me ligj e drejta për mbështetjen e nevojshme financiare, çdo studiues do kërkojë buxhet të plotë për projektet shkencore, gjë që asnjë institucion shkencor dhe akademik shqiptar nuk e ofron.
• Pika 1, g). Vetëm “revistat dhe periodikët shkencor”? Përse jo edhe në forma të tjera shkencore, si libër monografi, materiale konferencash, kapituj libri, etj?
• Pika 1, h) E drejtat e tij intelektuale...duhet, të pronësisë intelektuale.
• Pika 2, a) Detyrimi nis me detyrime administrative ndaj institucionit? Në një ligj për shkencën kjo nuk ka sens të jetë, është e kuptueshme.
• Pika 2, b) mbi Kodin e Etikës, c) mbi programin dhe d) mbi shkencën e hapur janë OK.
• Pika 2, e) ndjekje e detyruar? Jo në çdo rast. Është ligj shkence jo mësuesie.

Neni 12. Komente.
• Pika 2, a) kriter vihet “master i shkencave”, por tashmë ne kemi programe, si drejtësia, etj, që nuk ka më master shkencash.
• Pika 2, b) statutet e institucioneve nuk kanë specifike të tilla të njësuara, dhe kjo krijon hapësirë për spekulime, sidomos nga ILA ose institucione që kanë interes të bëjnë sa më shumë promovime, ndërkohë që promovimi akademik në çdo rast duhet të ketë standarde të njëjta brenda të njëjtit sistem të arsimit të lartë & shkencës.
• Pika 2, c) përse vetëm vendet e BE dhe jo edhe në SHBA, UK, Zvicër, etj që kanë universitetet më të mira në renditjen botërore?
• Thelbi i nenit 12, periudhat 3-5 apo më shumë vjeçare, krijojnë tituj të përjetshëm? Do të ketë detyrime për kërkime e produkte periodike shkencore?

Neni 13. Komente.
• Pika 1, mendim nga KKSH? Vlera e këtij titulli? A duhet të jetë në ligjin e shkencës dhënia e një titulli që rregullohet statutin e institucionit kërkimor shkencor dhe ka lidhje vetëm me të? Cila është dobia dhe rëndësia e këtij titulli për shkencën? Individi me rezultate të dukshme shkencore promovohet kryesisht në prag të pensionit në titullin akademik në ASH, kurse dhënia e titujve nga ILA është kryer kryesisht për nevoja promovimi, imazhi, politike, etj, pa ndonjë impakt real në cilësinë e mësimdhënies apo kërkimit shkencor në to.

Neni 14. Komente.
• Mendoj se ky nen është i tepërt. Mund të futej diku një fjali për shkëmbimet midis institucioneve kërkimore / studiuesve, por dy paragrafët nuk sjellin info të re, janë përsëritje e praktikave klasike që ndodhin dhe nuk kanë lidhje të dukshme me shkencën në vetvete.

Neni 15. Komente.
• Kjo është e përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë. Është përsëritje dhe nuk sjell info të re.

Neni 16. Komente.
• Mendoj se mund të hiqet, kurse pika 2 mund të jetë e përfshirë tek lista e përgjegjësive të ministrit.

Neni 18. Komente.
• Pika 2, kjo kompetencë presupozon se Komisioni i Etikës është me integritet dhe i pavarur kur në fakt ai zgjidhet/emërohet nga titullari (disa ILA e kanë edhe në statut ). Do të duhet të krijohet një mekanizëm garancie se vërtetë ky komision përbëhet dhe vepron me parimet e integritetit dhe pavarësisë. Në këtë formë, këto garanci mungojnë.
• MAS ka rol thelbësor monitorues, kontrollues dhe vlerësues. Shqetësim mbetet edhe rasti kur zyrtarët e MAS apo titullari i institucionit janë vetë objekt akuze për plagjiaturë dhe mungesa kështu e një mekanizmi (jashtë institucionit) më të besueshëm dhe jashtë konfliktit të interesit!

Neni 19. Komente.
• Pika 1. Mund të jetë dypalëshe shqiptar+huaj, jo vetëm “ose”. Mund të jenë edhe ekipe ndërinstitucionale midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera.
• Pika 2. Disa dispozita në këtë projektligj nuk kanë përputhje, p.sh, me ligjin mbi krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore (2022). Duhet harmonizim në terma, kompetenca, dhe referimin për shkencën.
• Pika 3. Marrëveshjet janë të lira nga secili institucion apo kërkojnë njohjen nga MAS?

Neni 23. Komente.
• Pika 2. Vetëm 1 kërkues shkencor për tu quajtur institucion i kërkimit shkencor?! Kjo do të krijojë fiktivitet dhe burokraci, por vështirë të sjellë kërkim shkencor.

Neni 24. Komente
• Mendoj se është i panevojshëm si nen. Është thënë 2-3 herë më lart në forma të tjera, mund të gjendet një fjali shteruese për të dhënë një vlerësim unik bashkëpunimi në ligj. Nevoja për nene duhet të evitojë terma që nuk janë përmbajtje juridike, si p.sh, “shkëmbimi i ideve” etj.

Neni 25. Komente.
• Pika 5. Institucionet e fillojnë ushtrimin e funksionit nga data e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve dhe Kërkuesve Shkencorë. D.m.th do të ketë një vendimmarrje për regjistrim? Nga MAS? Si, kur një vit është e drejta për dokumentet për regjistrim dhe për aktet rregullatore nënligjore?!

Neni 26. Komente.
• Ka shumë përsëritje dhe fjalë të panevojshme. Për shembull, Kodi i Etikës ishte nen më lart, këtu përsëritet e njëjta gjë. Dhe shumë detaje të tjera që mendoj se nuk ka sens të jenë pjesë e një ligji. Do të mjaftonte një fjali.

Neni 27. Komente.
• Më lart flitej për diasporën, etj. Do të jetë pjesë e Regjistrit në rastin e kërkuesve shkencorë?

Neni 28. Komente.
• Koncepti leje për ushtrimin e një veprimtarie të një fushe të rëndësie të veçantë është i përgjithshëm, mund të bëhet pengues dhe krijon ndërvarësi tjetër nga MAS. Leje për kërkim shkencor??

Neni 29. Komente.
• Neni 1, a). Me iniciativën e tyre çfarë do të thotë? Të drejtuesit? Këshillit Shkencor? Stafit?
• Neni 1, c). Është shumë evazive dhe përvoja me ASA tregon se MAS mund të mbyllë një institucion për shkelje të pa provuara, por të pretenduara. Ky nen mund të (keq)përdoret për të mbyllur këto në çdo kohë.
• Neni 1, d) duhet përcaktim i qartë i standardit sesi mund të vlerësohet mospërmbushja dhe kush quhet një periudhë e caktuar kohe. Një javë, një vit, një dekadë??
• Neni 1, e) Vlerësim nga cili institucion? Cili është mekanizmi matës?
• Në tërësi, përcaktimet evazive, duke ia lënë të drejtën ministrit të përcaktojë detajet, e vë ligjin në diskutim dhe i krijon ministrit një pozitë ligjore dhe administrative më të lartë se vetë ligji i shkencës dhe parimet e tij.

Neni 30. Komente.
• Pika 1. Financohet plotësisht apo pjesërisht apo në dy forma nga fondet publike?

Neni 31. Komente.
• Mendoj se është term dhe gjetje jo e qëndrueshme dhe nuk ka sens të jetë në ligj. Një institucion mund të arrijë rezultate maksimale një rast, por jo gjithmonë dhe nuk ka standarde për të vlerësuar “rezultate të spikatura”. Ja p.sh, MAS quajti kohët e fundit risi dhe arritje shkencore një projekt ndëruniversitar nuk bënin pjesë ca ILA nga Shqipëria, Bosnja, etj, gjë që realisht nuk kishte asgjë thelbësore për tu konsideruar sukses, por proces normal bashkëpunimi. Edhe përvoja e MAS me mbështetjen e ekselencës besoj se është e qartë se nuk është ndonjë histori suksesi.

Neni 32. Komente.
• Pika 2. “janë të detyruara të sigurojnë një përdorim sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik”, është shprehje gazete, jo ligji.

Neni 33. Komente.
• Pika 7 de facto i bën të pavlefshme të parat sepse jepen shumë detaje që mund të jenë në VKM.

Neni 34. Komente.
• Unë besoj se shteti financon institucione private vetëm në rastet e interesave specifikë, pasi burimet shtetërore duhet të ketë prioritet kërkimin shkencor në institucionet publike. Institucionet private do të duhet të përshtaten në modelet e fondacioneve dhe formave të tjera për të qenë transparente dhe konkurruese, përndryshe shumica e tyre janë thjesht biznes, me fuqi lobuese edhe në MAS më të madh sesa institucionet publike. Kjo pikë kërkon qasje më serioze dhe për këtë sugjeroj modelin gjerman të financimit.
Neni 36. Komente.
• Cili ligj dhe në cilën mënyrë garantohet sot lehtësimet fiskale të financimit? Mendoj se ne ligj duhet të ketë koncepte që kanë bazë ligjore të referueshme aktuale, jo në perspektivë.
Neni 38. Komente.
• Pika 1-3. Një vit afat për aktet nënligjore, dhe 1 vit afat për depozitimin e informacionit ndonëse disa praktika të depozitimit lidhen me aktet nënligjore, pra nuk mund të jetë të dyja në kufizim 1 vjeçar. Po ashtu, vlerësimi i parë vjen pas 3 vitesh. D.m.th, ligji në vetvete nis të veprojë de facto pas minimumi 4 vitesh, pra më 2027-2028 kur edhe bazë referimi e tij është SKZHIE, kostimi i të cilës është parashikuar për periudhën 2023-2030?

24 prill 2024 (riderguar ne MAS pa pergjigje pres saj dhe pa reflektim ne draft, me 8 korrik 2023)

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Për sa i përket projektligjit të propozuar "Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërise", kam komentet e mëposhtme: 1. Ligji vendos Këshillin Kombëtar mbi Ministrine e Arsimit, i cili është institucioni përgjegjës për arsimin e lartë dhe shkencën. Shkenca është pjesë integrale e Arsimit të Lartë dhe nuk duhet të trajtohet ndarazi. 2. Neni 7 i projektligjit, pikë 5 thotë, "Institucioni vlerësues i veprimtarisë së kërkimit shkencor është Ministria." Kjo kundërshton Nenin 9, i cili përcakton Këshillin Kombëtar për Shkencën me të njëjta atribute: "Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor është një organ kolegjial këshillimor ngritur nga Kryeministri, i cili ka për detyrë të vlerësojë veprimtarinë kërkimore shkencore në vend dhe të japë rekomandime." 3. Si me siper, nenet ne lidhje me Këshillin Kombëtar për Shkencën shkelin atributet e Ministrisë së Arsimit,. 4. Neni 10, pikë 2 thotë, "Anëtarët e këtij këshilli, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, janë personalitete të njohura në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, të caktuar nga Konferenca e Rektorëve." Kuptimi i "personaliteteve të njohura" dhe kriteret nuk janë të përcaktuar. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, titujt akademikë ndahen bazuar në publikimet në bazat e të dhënave Scopus dhe Thomson, dhe duhet të përcaktohet nëse personaliteti shkencor duhet të jetë në 1-2% të shkencëtarëve më të mirë në Shqipëri sipas parametrave shkencore, për shembull, H-indeksi. Në Shqipëri, hasim fenomenin e plagjiaturave, emërimin e profesorëve dhe anëtarëve të akademisë se shkencave pa publikime shkencore, dhe me H-indeks 0 dhe 1 te barazvlefshëm me nje student doktorature. Për shembull, si mund të konsiderohet z. Skënder Gjinushi një "personalitet në shkencë" kur nuk ka asnjë publikim dhe as doktoraturën publike? E njëjta pyetje qëndron për rektorët, si për shembull rektorin e Universitetit të Tiranës i cili nuk ka asnjë publikim me faktor impakti 5. Neni 11, pika b kundërshton Nenin 2, i cili është atributi i Ministrisë së Arsimit. 6. A shkel pavarësinë institucionale Kryeministri duke përcaktuar veten kryetar të këshillit kombëtar shkencor dhe jo Ministrin përgjegjës apo një personalitet në shkencë (si për shembull kryetarin I akademisë së shkencave)? Sipas ligjit, propozimet shkojnë në këshillin e ministriva, ku kryetar është po kryeminsitri. Kryeministri nuk është shkencëtar, dhe nuk mund të jetë dhe propozouesi dhe miratuesi 7. Neni 22, pikë 1 përcakton vlerësimin e institucioneve të financuara vetëm nga Ministria, ndërsa institucionet e tjera, pavarësisht financimit publik ose jo, duhet gjithashtu të jenë subjekt i vlerësimit shkencor dhe financiar njësoj si institucionet publike. 8. Neni 12 përcakton Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si institucionin ku kryhet veprimtaria e kërkimit shkencor, ndërsa, sipas standardeve Evropiane, Akademia e Shkencave duhet të jetë një organ nderimi per shkencetarët më të mirë të vendit, dhe nje organ këshillimi i qeverisë në politikat në shkencë, shëndetësi dhe teknologji. Kërkimi shkencor kryhet në institucionet e kërkimit, duke përfshirë universitetet. Këto duhen te ndahen.

Sinqerisht,
Taulant Muka, MD, MPH, PhD, PD, studiues shkencor.