Postuar më: 11/07/2018

Çmimet eTwinning, shpallen 9 fituesit

Ndahen çmimet kombëtare në kuadër të projektit eTwinning. Në datën 5 Korrik ne ambientet e Hotel Dajti Park, u zhvillua ceremonia ku u shpërndanë 9 çmime kombëtare për projektet më të mira, të cilat u vlerësuan për bashkëpunimin, ndërveprimin kurrikular, inovacionin, komunikimin, dhe rezultatet që kishin arritur.

Çmimet iu referuan grup moshave 4-11 vjeç dhe 12-18 vjeç. Mësuesit e ndarë në grupe performuan nëpërmjet një demonstrimi aktivitetin e tyre ne rrjetin eTwinning, projektet e realizuar dhe certifikimet ne nivel europian të fituara për çdo projekt. Fituesit e vendeve të para do të marrin pjesë ne Konferencën Ndërkombëtare të Rrjetit eTwinning.

Në ketë ceremoni mësuesit fitues u pajisën me certifikata si dhe u shpërndanë dhurata të ndryshme simbolike. Njëkohësisht u vlerësuan për kontributin e tyre në mbështetje të programit eTwinning edhe tre shkolla, shkolla “Flatrat e dijes”, Fier, shkolla “28 Nëntori” Kuçovë dhe shkolla “Ismail Qemali” Shkodër. Këto shkolla u vlerësuan nga Shërbimi Kombëtar edhe me medaljonin e shkollës më të përkushtuar për këtë program.

Në ketë ceremoni u përzgjodhën edhe fituesit e Stafetës se Trashëgimisë Kulturore, stafetë e cila u lancua nga Shërbimi Kombëtar në kuadrin e festimeve të ditës ndërkombëtare eTwinning. Tre fituesit gjithashtu u kurorëzuan me certifikata mirënjohje dhe dhurata simbolike. Gjithashtu në këtë event u krijua nga mësuesit ekspozita e trashëgimisë kulturore, ku u shpalosen kulturat e trevave të ndryshme në nivel kombëtar.