Postuar më: 28/09/2018

Takimi për lançimin e fazës së dytë të projektit pilot “Shkollat e Shekullit XXI” në Ballkanin Perëndimor

 

Në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë me British Council, u organizua takimi për lançimin e fazës së dytë të projektit pilot “Shkollat e Shekullit XXI” në Ballkanin Perëndimor. Në këtë fazë janë përfshirë 15 shkolla 9-vjeçare ku mësues dhe drejtues të këtyre shkollave janë trajnuar për temat:

  • Mendim kritik që përfshin: mënyrën e modelimit të mendimit kritik, drejtimin e pyetjeve të hapura, vëzhgimin e një çështje nga këndvështrime të ndryshme e një sërë teknikash,  të cilat i mundësojnë nxënësve zgjidhjen e problemeve, si të jenë krijues dhe të prodhojnë ide të reja.
  • Të mësuarit digjital që përfshin:  aftësinë  për të gjetur dhe zgjedhur informacionin, komunikimin efektiv dhe sigurinë digjitale. Mësuesit u përfshinë në veprimtari që inkurajonin, përdorimin e strategjive komunikuese dhe praktikat pedagogjike ndërvepruese të afta për të ndikuar në rezultatet e të mësuarit të nxënësve. Ndërgjegjësimi i mësuesve mbi nevojën e integrimit të mjeteve teknologjike, u trajtua si e pandarë me çështjet e sigurisë digjitale duke vlerësuar nevojën për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e përdorimit të pakontrolluar të mjeteve dhe burimeve teknologjike. Bullizmi digjital dhe dëmet që iu shkakton nxënësve në procesin e të mësuarit u theksuan të pandara nga detyrimet e shkollës mbi mbrojtjen e fëmijëve.
  • Njohuritë mbi Micro:bit si një pajisje efektive për të mbështetur nxënien e shkencave, arteve si dhe të shkencave humanitare, idetë e reja për punët projekt dhe për t’i pajisur nxënësit me vetëbesim dhe aftësi të nivelit hyrës në njohuritë kompjuterike dhe kodim. Mësuesit dhe drejtuesit morën informacion, se si të krijojnë Klubet e Kodimit për t’iu bashkuar sfidave ndërkombëtare të kodimit dhe programeve duke sprovuar ide dhe krijuar ushtrime të reja.

Gjatë këtij viti mësimor drejtues dhe mësues do të punojnë në mënyrë të pavarur për realizimin e projekt-propozimeve dhe paraqitjen në konkursin Kombëtar, deri në finalizimin e kësaj faze në  konkurrimin rajonal ballkanik.

Të rejat e fundit