Postuar më: 28/01/2019

Mbi procesin e jetësimit të vendimeve të qeverisë për tarifat dhe bursat e studentëve

Duke marrë shkas nga shqetësimet që vijnë nga studentët tek portali i Bashkëqeverisjes në lidhje me bursat dhe përgjysmimin e tarifave, konfirmojmë se qeveria e ka ndarë buxhetin dhe e ka vënë në dispozicion të IAL-ve, përgjysmimi i tarifës është tashmë në fuqi.

Nga informacioni i marrë nga universitetet, studentët të cilët kanë paguar tarifën e plotë janë në proces rimbursimi. Gjithashtu, do të shtyhet afati për pranimin e dokumentacionit të nevojshëm për bursat, në mënyrë që t’u lihet afat studentëve që u përkasin kategorive të ndryshme në nevojë të plotësojnë dokumentacionin.

Në lidhje me disa paqartësi të hasura shpesh mes studentëve, ju sqarojmë se, për notën mesatare 9 – 10 merret parasysh mesatarja e vitit paraprak; për ata studentë që kanë shlyer të gjitha detyrimet, apo mesatarja e shkollës së mesme dhe e provimeve të Maturës Shtetërore për studentët e vitit të parë.

Për kategoritë e veçanta, si studentët në nevojë ekonomike, studentët me nevoja të veçanta etj., deri vjet bursa është dhënë nga bashkia ndërsa sivjet nga janari është bursë që jepet nga qeveria (studenti duhet marrë një vërtetim që dëshmon se i përket një prej kategorive përfituese dhe ta paraqesë këtë në sekretarinë e universitetit).

Duhet pasur parasysh se pas aplikimit janë bordet e universiteteve që më pas miratojnë listat përfundimtare të studentëve që përfitojnë dhe në bazë të këtyre miratimeve mund të vihet në funksion buxheti që u është vënë në dispozicion universiteteve.

Duke qenë se në të gjitha universitetet ku nuk është zhvilluar mësim ka qenë e vështirë të sigurohet ‘listëprezenca’ e studentëve dhe të dihet saktë kush është student në këtë semestër dhe kush jo, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u bën apel të gjithë universiteteve që të zëvendësojnë orët e humbura sa më parë, që sekretaritë të kenë informacion sa më të detajuar për studentët përfitues.

 

Të gjitha saktësimet u janë dërguar sot IAL-ve që të cilat nëpërmjet sekretarive të tyre të informojnë studentët.

Nga ana tjetër risjellim në vëmendje portalin e bashkëqeverisjes www.shqiperiaqeduam.al për çdo pyetje dhe paqartësi.

Të rejat e fundit