Postuar më: 16/04/2019

Filloi sot “Sondazhi Kombëtar i Studentëve”

Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), pas një pune disa mujore dhe takimeve informuese në çdo Institucion të Arsimit të Lartë (IAL) të vendit ku kontaktoi me mbi 4,200 studentë në 8 qytete, ka filluar sot Sondazhin Kombëtar të Studentëve (SKS).

Nëpërmjet sondazhit, të gjithë studentët në Shqipëri kanë për herë të parë mundësinë të shprehin mendimin e tyre në lidhje me cilësinë e mësimdhënies dhe mbështetjes institucionale që i ofrojnë IAL-të.

Si pjesë e rëndësishme ku studentët janë përfituesit kryesorë të shërbimit që ofrojnë institucionet e arsimit të lartë, opinioni i tyre është thelbësor për të hartografuar situatën reale në IAL-të e vendit dhe për të identifikuar hapësirat për ndërhyrje potenciale. Si rrjedhojë, Sondazhi Kombëtar i Studentëve (SKS) është një instrument kyç për përçimin e zërit studentor publikut dhe institucioneve politikë-bërëse për të ndërtuar politika të Arsimit të Lartë të bazuara mbi mendimin e studentëve dhe të dhëna të besueshme.

Sondazhi do të qëndrojë i hapur nga data 16 Prill deri në 2 Maj. Gjatë kësaj periudhe, çdo studenti në Shqipëri, nëpërmjet një e-maili që dërgohet nga ASCAL, do t’i dërgohet linku nga ku mund të plotësojë sondazhin online per 15 minuta.

Sondazhi Kombëtar i Studentëve është mundësia ideale për t’i dhënë forcë zërit studentor e për ta përçuar atë në instancat vendimarrëse të IAL-ve dhe më tej.

Të rejat e fundit