Postuar më: 04/11/2019

Seancë Plenare, Ministrja Shahini për Ligjin e Rinisë: “Fuqizon Rininë dhe garanton pjesëmarrjen e të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse”

Gjatë seancës së sotme plenare Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kërkoi votimin për “Projektligjin e Rinisë”, një ligj i cili për herë të parë do të krijojë mekanizmat për fuqizimin e plotë të rinisë.

Sipas Ministres Shahini, falë këtij ligji rregullohet mbështetja e organizimit rinor, përfaqësimi i rinisë në vendimmarrje dhe financimi publik i aktiviteteve rinore:

“Ligji përcakton ‘Rininë’, personat nga mosha 15-29 vjeç. Identifikon 2 kategoritë e organizimit rinor:  organizatat rinore, të përbëra nga të rinj dhe organizatat për të rinj që zbatojnë projekte dhe aktivitete të cilat kanë në fokus të rinjtë. Për herë të parë mundëson financimin publik të tyre”, shprehet ajo.

Ndër të tjera, Ministrja Shahini nënvizon faktin se ky ligj është i ndërtuar mbi parime bazë: ai i mosdiskriminimit; parimi i lirisë së organizimit të iniciativave rinore dhe i vetëqeverisjes së organizatave; si dhe parimin e mundësive të barabarta dhe garantimit të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse në fushat që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve.

Për sa i përket pjesëmarrjes, Ministrja Shahini thekson se ajo do të sigurohet përmes themelimit të dy institucioneve të reja: a) Këshilli Vendor Rinor – pranë secilës bashki me përbërje nga të rinjtë (e përzgjedhur nga vetë organizata dhe miratuar nga bashkitë) dhe të përfaqësuesve përkatës që merren me politikat rinore në nivel bashkiak; b) Këshilli Kombëtar Rinor – pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, me përbërje nga të rinjtë (të përzgjedhur nga vetë organizata rinore) dhe përfaqësues të ministrive të tjera përkatëse për politikat rinore.

“Këto dy këshille do të propozojnë prioritetet e politikave rinore që duhen zbatuar nga bashkitë dhe ministria; propozojnë orientimin e buxhetit drejt këtyre politikave; marrin pjesë në hartimin e strategjisë së rinisë dhe bëjnë monitorimin e strategjisë së rinisë”, tha ajo.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Shahini nënvizon se nëpërmjet këtij ligji synohet rritja e përfaqësimi i të rinjve shqiptarë në vendimmarrje dhe mbështetja e vetë-organizimit të të rinjve sipas interesave të tyre duke mundësuar financimin publik të nismave të tyre.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/263425834595485/

Të rejat e fundit