*
Në një takim me 138 oficerët e sigurisë në shkolla Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lorena Haxhiu ka diskutuar mbi rezultatet e projektit të sigurisë në dy vitet e para të implementimit, si dhe për sfidat e punës së përbashkët për këtë vit shkollor.
Zv. Ministrja Haxhiu ka nënvizuar se siguria në shkolla është një element thelbësor i parandalimit të dukurive negative si brenda ashtu edhe jashtë mjediseve të saj. “Oficeri i sigurisë nuk është vetëm një mik i mirë i nxënësve, por një hallkë e rëndësishme për garantimin e një mjedisi miqësor e të shëndetshëm nëpër shkolla”- është shprehur ajo.
Prej 2 vjetësh projektit “Shkolla të Sigurta” po i jepet një vëmendje e veçantë. Ky projekt tashmë aplikohet në 150 shkolla duke nisur nga shkollat me numrin më të lartë të nxënësve. Oficerët e Sigurisë para se të dislokohen në shkolla, trajnohen në disa module multi-displinare si menaxhim situate, ndihma e shpejtë, psikologjia e të miturve, etj.
*