Përshëndetje!
Dëshiroj t’ju informojë se cilësia e studentëve të pranuar në universitete këtë vit është e lartë. Kjo është e dhëna e parë e një reforme që ka nisur dhe do të vijojë në arsimin e lartë gjithashtu është edhe një tregues i rëndësishëm i kthesës së madhe në drejtim të cilësisë në universitete shqiptare.
Gjithashtu, duke zhvilluar të gjitha përgjegjësitë, ne po vijojmë të menaxhojmë edhe shansin e dytë për të gjithë studentët e IAL-ve së cilave iu hoq licenca.
Këtë vit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka akorduar për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 600 kuota në total, prej të cilave; 119 për shtetasit nga Kosova, 208 për ata nga Mali i Zi, 147 për shtetasit nga Maqedonia, 61 Presheva, 56 Bujanovci dhe 9 Medvegja.
Listat e fituesve gjendet në faqen e MAS-it. Ato i janë përcjellë gjithë IAL-ve publike. Kandidatët fitues të regjistrohen pranë sekretarive mësimore të fakulteteve brenda datës 8 tetor 2014. Pas kësaj date nuk do të pranohen regjistrime të tjera.
Për herë të parë, MAS po i kushton këtë vit një vëmendje të veçantë kategorive të invalidëve paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe jetimëve duke akorduar për ta kuota të veçanta për të ndjekur studimet në IAL-të publike.
Kandidatët me statusin e sipërpërmendur, ata me statusin e të verbrit, si dhe Romët dhe Ballkano-Egjiptianët, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet në IAL publike të aplikojnë drejtpërsëdrejti në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që prej ditës së sotme (1 tetor) deri më 6 tetor. Për këto kategori janë akorduar gjithsej 65 kuota.
Për programet e studimit, që parashikojnë konkurs përveç aplikimit, në MAS kandidatët të kryejnë regjistrimin për pranimin në konkurs edhe pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë deri në datën 3 tetor.
Për të mundësuar një proces korrekt dhe transparent është përcaktuar që të ngrihet një komisioni i posaçëm, i përbërë nga përfaqësues të MAS-it dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i cili do të shqyrtojë dhe vlerësojë aplikimet e kandidatëve me statusin përkatës.
Ju uroj suksese të gjithë kandidatëve!