Dhënia e lejes për funksionimin e Institucioneve Arsimore Jopublike dhe të Institucione Arsimore Plotësuese Jopublike

Instruksionet:

Subjekti aplikon për licensim në portalin e QKL-së   sipas procedurave të Udhëzimit te Ministrit nr. 15 datë 12/07/2013 (shkarkoje këtu).

 

Dokumentacioni:

Dosja e subjektit aplikues duhet të përmbajë dokumentacionin për:

Marrëdhënien pronësore ( Certifikatë pronësie, kontratë qiraje etj.) që subjekti ka për objektin/et dhe mjedisin/et që do të përdoren për shërbimin arsimor.

Arsimimin dhe kualifikimin sipas akteve ligjore dhe nënligjore të drejtuesit didaktik dhe personelit mësimdhënës.

Kontratën e punës me kohë të plotë mes subjektit kërkues dhe drejtuesit didaktik

Rregulloren e brendshme të institucionit, të detajuar, në të cilën, ndër të tjera, të përcaktohet:

d.1  Lloji dhe niveli i arsimimit që do të ofrojë, numrin e grupeve apo të klasave që do të formohen, numrin maksimal të fëmijëve/nxënësve për grup/klasë dhe për shkollat titullin e dokumentit që do të lëshohet në përfundim të çdo viti shkollor, ciklit apo kursit të arsimimit.

d.2  Emërtimi i institucionit, numrin e telefonit personal të administratorit dhe të institucionit, adresën e institucionit dhe të postës elektronike.

d.3  Deklaratë dhe listë e detajuar për shërbimet që do të ofrohen në këtë institucion.

d.4 Tarifat përkatëse dhe modalitetet e pagesave që do të kontraktohen me përfituesit e shërbimit.

Deklaratë nga subjekti për zbatimin e kurrikulës zyrtare (Plane mësimore, programe lëndore dhe tekste mësimore) të miratuara nga MAS.

Listë të plotë të stafit drejtues, mësimdhënës dhe të dhënat mbi arsimimin përkatës të stafit si dhe ngarkesën mësimore të tij.

Deklaratë për inventarin faktik të bazës materiale dhe asaj didaktike që mendohet të vihet në dispozicion dhe që është në funksion të arsimimit, edukimit dhe realizimit të kërkesave të programeve lëndore (për të provuar se mjetet mësimore janë të mjaftueshme për të realizuar kërkesat e planit mësimor dhe të programeve lëndore).

 

Standardet normative që duhet të përmbushë/in objektivat që do të funksionojë/në si institucion/e arsimore private janë:

 

a. Klasë e zakonshme konsiderohet ai mjedis mësimor që ka një normativë sipërfaqeje shfrytëzimi prej 1.3-1.6 m2/nxënës;

b. Nyjat hidrosanitare përfshijnë 1 boks për 40 djem, 1 boks për 30 vajza, si dhe 1 boks për administratën.

c. Për kopshtet, shërbimet higjienike vendosen pranë çdo grupi dhe pozicionohen në mënyrë të tillë që të jenë sa më afër për secilin grup. Numri i bokseve duhet të jetë 3 (tri) për një grup, të ndarë me mure nga njëri-tjetri si dhe duhet të ketë dhe katër lavamanë me ujë të pijshëm. Banjat duhet të kenë porta të hapshme nga jashtë dhe të shkëputura nga dyshemeja. Pajisjet e banjave duhet të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijëve.

d. Për edukimin fizik, subjekti që kërkon licencë duhet të ketë në dispozicion një palestër sportive (për shkollat nën 100 nxënës shfrytëzohet një klasë në katin përdhe me përmasa 60 m2) dhe një kënd sportiv jo më i vogël se 100 m2.

e. Objektet arsimore që vihen në dispozicion për nivele të ndryshme arsimimi (kopshte, shkollë 9-vjeçare dhe shkollë e mesme) të kenë mjedise që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin.

f. Lidhur me normativen e ndriçimit natyral duhet që sipërfaqja e dritareve të mbulojë minimalit 15% të sipërfaqes së dyshemesë dhe ndriçimi duhet të jetë në krahun e majtë të nxënësit, mundësisht i orientuar nga juglindja. Ndriçimi të realizohet me dritare me xham të tejdukshëm. Dritaret nuk lejohet të vendosen në murin ku është vendosur dërrasa e zezë.

g. Për shkollat e arsimit bazë (sistemi 9-vjeçar) duhet të jenë në dispozicion, minimumi 9 klasa për ciklin e uIët dhe të lartë dhe dy dhoma mësuesish. Për shkollat e ciklit të ulët (6-vjeçar) duhet të jenë në dispozicion, minimumi 6 klasa dhe një dhomë mësuesish. Për shkollat e mesme të përgjithshme/profesionale duhet të jenë në dispozicion, minimumi, 5 dhoma mësimore. Për kopshtet të ketë minimalisht 3 dhoma mësimore.

h. Objektet arsimore me mbi 200 nxënës duhet të jenë të pajisura me dalje dhe shkallë emergjence.

i. Objektet arsimore duhet të jenë të pajisura me pikën e ndihmës së shpejtë dhe pajisjet e nevojshme në to.

j. Objektet arsimore duhet të kenë sistemin e mbrojtjes kundër zjarrit.

k. Objektet arsimore të jenë të ndërtuara me materiale cilësore, bashkëkohore dhe të plotësojnë kushtet higjeno-sanitare për nxënësit duke shmangur elementet e rrezikshmërisë. Materialet e përdorura për ndërtimin e tyre nuk duhet të kenë elemente përbërëse të dëmshme për shëndetin e nxënësve. Këto materiale duhet të sigurojnë akustike të mirë në mjedisin e mësimit dhe të jenë izoluese ndaj zhurmave dhe luhatjeve të temperaturës.

l. Objektet arsimore duhet të jenë larg zonave industriale, varrezave apo zonave me ndotje mbi normat e lejuara.

m. Objektet arsimore të kenë sistem ngrohjeje dhe burime alternative për furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

 

Procedura:

1. Paraqitja e dosjes nga subjekti aplikues në QKL;

2. Dërgimi në formë elektronike nga QKLnë Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar (DAPU) të MAS të dokumentacionit të paraqitur nga aplikuesesi.

3. Shqyrtimi i dosjes nga specialistet përkatës të DAPU.

4. Dërgimi nga DAPU në DAR/ZA i kërkesës për verifikimin e realizimit të standardeve normative që duhet të përmbushin objektet shkollore të institucioneve që kërkojnë të licencohen.

5. Verifikimi nga DAR/ZA-të i realizimit të standardeve normative të objektit dhe dërgimi i përgjigjes në MAS.

6. Refuzimi i kërkesës nëse konstatohen mangësi në dokumentacion dhe në cilësinë e objektit  (me shkresë të firmosur nga titullari i MAS-i dërgohet zyrtarisht dhe elektronikisht QKL).

7. Miratimi i licencës në rastet kur dokumentacioni rezulton i rregullt. Veprohet si në pikën 6.

 

 

Shënime:

Nëse ka probleme me godinën apo dokumentacionin e dorëzuar kërkesa për licencim refuzohet zyrtarisht me shkresë nga Ministri dhe nëpërmjet sistemit te QKL-së.

Në rast refuzimi subjekti aplikues duhet të përsërisë aplikimin nga fillimi në portalin e QKL-së duke plotësuar mangësitë e vërejtura.

Në rast se godina dhe dokumentacioni i dorëzuar nga subjekti janë të rregullta personat përgjegjës ne MAS përgatisin Shkresën e Miratimit të Licencës e cila firmoset nga Ministri.

 

Tarifat e shërbimit

Institucionet arsimore private parauniversitare dhe institucionet arsimore plotësuese private parauniversitare licencohen përkundrejt tarifave të përcaktuara si më poshtë:

Për kopsht 35.000 (tridhjetë e pesë mijë)

Për shkollë të ciklit të ulet fillor 45.000 (dyzet e pesë mijë)

Për shkollë të ciklit të lartë 9-vjeçar 45.000 (dyzet e pesë mijë)

Për shkollë 9-vjeçare 55.000 (pesëdhjetë e pesë mijë)

Për shkollë te mesme të përgjithshme 70.000 (shtatëdhjetë mijë)

Për shkollë te mesme teknike­ profesionale e social-kulturore 60.000 (gjashtëdhjetë mijë)

Për kurs plotësues (IAPPRP) 70.000 (shtatëdhjetë mijë)