Nisma “Të festojmë së bashku” iu bashkua atmosferës festive dhe argëtuese të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2015 në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin duke pohuar rëndësinë e promovimit të vlerave njerëzore te fëmijët në grupmosha të ndryshme. Ajo që fëmijët transmetuan dhe mësuan nga njëri-tjetri ishte mesazhi i bashkëpunimit, ndihmës dhe solidaritetit; dashurisë njerëzore dhe mbështetjes ndaj bashkëmoshatarëve në nevojë dhe vështirësi.
Aktivitete të tilla shërbejnë si model për t’u treguar fëmijëve se parimet dhe vlerat njerëzore kanë anën e tyre praktike dhe reale, përtej asaj që mësohet në programet dhe lëndët mësimore. Tashmë, organizime të tilla të cilat po realizohen dhe koordinohen nga vetë Qeveritë e Nxënësve, kanë si qëllim mundësimin e përvojave të paharruara për vetë fëmijët. Ata do të mund të flasin në mënyrë konkrete për aftësitë dhe angazhimin e tyre në këtë nisëm humanitare, pavarësisht moshës dhe mundësive të këtyre fëmijëve.
Ditën e djeshme, nisma “Të festojmë së bashku”, iu bashkua fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës, ku të mbledhur në shtëpinë e oficerëve, nxënesit e shkollave “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri” dhe “A.Z.Çajupi” shpërndanë dhuratat e përgatitura prej tyre për këta femijë. Ndërsa ditën e premte, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla do të jetë e pranishme në qytetin e Shkodrës ku do të festojë me fëmijët e ngujuar dhe do të prezantojë gjithashtu projektin e ri “School Me’’, projekt i cili synon përmirësimin e kushteve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies për këtë kategori fëmijësh.
Ndërkohë që rrjeti i binjakëzimeve të ngritura në çdo shkollë do të vazhdojë të funksionojë në rolin e ndërlidhësit për aktivitete të mëtejshme si konkurse, ditë për shkëmbimin e përvojave dhe veprimtari sportive për të mbajtur të gjatë dhe të qëndrueshëm bashkëpunimin dhe për të përforcuar mesazhin e shkëmbimit të përvojave përtej dallimeve.