Postuar më: 22/11/2015

107 Vjetori i Alfabetit Shqiptar: Nënshkruhen Programet e Bashkëpunimit në fushën e arsimit, Shqipëri-Maqedoni-Kosovë

107 Vjetori i Alfabetit Shqiptar: Nënshkruhen Programet e Bashkëpunimit në fushën e arsimit, Shqipëri-Maqedoni-Kosovë

Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, nënshkruar në këtë korrik në Vlorë, mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, me synim përforcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në këtë fushë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, nënshkroi ditën e sotme në Manastir, “Programin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë”.

Në takimin e zhvilluar në Muzen e Alfabetit Shqiptar , në Manastir, ku të pranishëm ishin Abdylaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë dhe Arsim Bajrami, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Ministrja Lindita Nikolla deklaroi: “Programi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë për periudhën 2015-2018 që nënshkruajmë sot, është një instrument i rëndësishëm për të plotësuar detyrimet tona për realizimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në arsim dhe shkencë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të 2 korrikut 2015.”

Sipas ministres Nikolla, ky Program do të mundësojë jetësimin e projekteve dhe propozimeve të përbashkëta në shumë fusha të parashikuara tashmë dhe do të ndikojë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës, si edhe në arritjen e standardeve evropiane të dijes.

“Programi është një vlerë e shtuar në rrugën tonë të përbashkët për arritjen e standardeve dhe integrimin evropian. Realizimi i Programit do të plotësojë një kërkesë të kahershme për bashkëpunim të dy vendeve tona në fushën e arsimit dhe të sportit nëpërmjet; shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit parauniversitar, shkëmbimit të teksteve dhe të materialeve shkollore, përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore të historisë dhe gjeografisë sipas modeleve të përparuara evropiane, shkëmbimit të informacionit dhe pjesëmarrjes në veprimtari të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertëve të fushës së arsimit dhe në veçanti të sportistëve dhe ekspertëve të edukimit fizik, bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të larta arsimore pjesëmarrjes së përbashkët në fushën e arsimit dhe shkencës në veprimtari të organizuara nga BE dhe UNESCO, etj.”, tha Lindita Nikolla.

Gjithashtu ministrja Nikolla e cilësoi nënshkrimin e Programit në Shtëpinë e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, e pikërisht në këtë datë të shënuar një realitet që inkurajon palët të jenë të angazhuara plotësisht në realizimin e tij, jo vetëm simbolikisht.

Marrëveshjet e nënshkruara midis tre vendeve tona në fushën e arsimit dhe shkencës, unifikimit të kurrikulës dhe sistemeve arsimore, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes për mundësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe për fëmijët shqiptarë të diasporës dhe mërgatës, janë një tregues i vullnetit tonë të përbashkët, për të ecur në rrugën e zhvillimit paqësor të rajonit nëpërmjet kontributit të pakursyer për arsimin.

Me rastin e 107 vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Alfabetit në Manastir, ministri i Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë Abdilaqim Ademi, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, i dhuruan Muzeut të Alfabetit në Manastir “Kopjen nga Origjinali të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 25 Nëntor 1972)”

Më 14 nëntor – 22 nëntor 1908, në Manastir, u zhvillua Kongresi themelues i Alfabetit të gjuhës shqipe. Ky kongres ishte modeli i bashkëpunimit të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine apo ideje për të themeluar alfabetin e gjuhës shqipe.