Postuar më: 28/06/2016

Mbahet në Tiranë takimi i grupit të punes së BFUG për rishikimin e suplementit të diplomës

Mbahet në Tiranë takimi i grupit të punes së BFUG për rishikimin e suplementit të diplomës

Në kuadër të pjesëmarrjes aktive të Shqipërisë në grupet e punës të Bologna Follow Up Group (BFUG), më datë 23.06.2016, u zhvillua për herë të parë në Tiranë, takimi i grupit të punës mbi rishikimin e suplementit të diplomës (Advisory Group on Revision of Diploma Supplement). Për herë të parë Shqipëria është bashkëdrejtuese e një prej këtyre grupeve të punës duke konfirmuar vendosmërinë, jo vetëm për të qenë pjesë aktive e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë (HEAL), por kontribuese në politikëbërjen në arsimin e lartë edhe në nivel të EHEA duke e nxjerrë Shqipërinë nga anonimati.  Kjo është një kthesë e re në angazhimin e vendit tonë në strukturat europiane me fokus integrimin e Shqipërisë në BE.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues ekspertë të arsimit të lartë nga një pjesë e vendeve të Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë, të cilët janë kryesisht përfaqësues të institucioneve qendrore përkatëse të vendeve që përfaqësojnë, si dhe të një sërë institucioneve në nivel europian, si Komisioni Europian, Këshilli i Europës, Sekretariati i BFUG, Business Europe, ESU- Unioni Studentor Europian, Presidenti i rrjetit ENIC NARIC (të angazhuar në njohjen e kualifikimeve dhe diplomave), EUA- Shoqata e Universiteteve Europiane, EURASHE- Shoqata Europiane e institucioneve të arsimit të lartë dhe UNESCO, etj.

Ky grup pune është ngarkuar nga BFUG me përgatitjen e një raporti lidhur me rishikimin e suplementit të diplomës, nivelin e implementimit të tij në vendet e HEAL dhe përgatitjen e propozimeve për ndryshime të cilat do të paraqiten në Ministerialin e Ministrave të Arsimit që do të mbahet në 2018 në Francë.