Postuar më: 29/09/2016

Digjitalizimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri: Databazat kombëtare të të dhënave

Digjitalizimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri: Databazat kombëtare të të dhënave

Në datat 27 dhe 28 shtator 2016,  në Tiranë u mbajt Konferenca  “Digjitalizimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri: Databazat kombëtare të të dhënave”, e organizuar në kuadër të zbatimit të reformës në IAL dhe të synimit për informimin mbi praktikat më të mira perëndimore në fushën e digjitalizimit të arsimit të lartë dhe mundësitë e realizimit në vendin tonë?, duke vlerësuar se zbatimi i reformës është i plotë dhe efektiv, nëse ai është gjithëpërfshirës. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka planifikuar të organizojë një sërë konferencash lidhur me aspekte të ndryshme të reformës në arsimin e lartë me mbështetjen dhe të institucioneve të huaja dhe të organizatave partnere për të mundësuar një informim sa më të plotë të IAL-ve lidhur me këto praktika në vendet e BE-së.

“Digjitalizimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri: Databazat kombëtare të të dhënave” është konferenca e tretë brenda më pak se një viti. Në ndryshim nga dy të parat, kjo konferencë sjell në vëmendje dhe diskutime mes IAL-ve dhe ekspertëve të MAS-it e agjencive respektive, ekspertizën e huaj lidhur me digjitalizimin e arsimit të lartë dhe, më konkretisht, krijimin e databazave kombëtare të të dhënave si faktor kyç për modernizimin e sistemit, rritjen e transparencës dhe luftën ndaj fiktivitetit dhe korrupsionit. Kjo konferencë, si dhe ajo e zhvilluar në prill lidhur me financimin e arsimit të lartë, u organizua në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë dhe me mbështetjen nga British Council. Në konferencë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i HESA, Agjencia Britanike e ngarkuar me mbledhjen dhe mbajtjen e të dhënave për arsimin e lartë, si dhe Presidenti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Cineca-s në Itali, të cilët  sollën përvojën e vendeve përkatëse lidhur me argumentin në fjalë, duke mundësuar dhe një diskutim me IAL-të lidhur dhe me nevojat e tyre për të siguruar, veç të tjerave, uljen e procedurave burokratike dhe dërgimin e përsëritur të të dhënave institucioneve të ndryshme dhe përcjelljen në formë elektronike të këtyre të dhënave mes IAL-ve, MAS-it dhe agjencive respektive të parashikuara në kuadrin ligjor në Shqipëri. Punimet e konferencës i ndoqën rreth 170 pjesëmarrës nga IAL-të, nga MAS-i dhe nga agjencitë e vartësisë. Rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, përfaqësues të sekretarive mësimore, të zyrave të IT-së dhe atyre të statistikave në universitetet publike dhe private patën mundësi të informohen mbi aspekte teknike dhe organizative të mbledhjes së të dhënave në UK dhe Itali, si dhe të diskutonin e të debatonin drejtpërsëdrejti me ekspertët e huaj lidhur me një sërë çështjesh specifike. Takimi i datës 27 shtator 2016, që kishte në fokus IAL-të publike dhe private, u pasua me takime specifike të ekspertëve me agjencitë e vartësisë së MAS-it, të përfshira në këtë proces, si dhe me anëtarët e grupit të punës të ngritur për hartimin e akteve nënligjore përkatëse, me qëllim asistencën në përgatitjen e tyre në përputhje me praktikat më të mira perëndimore.