Postuar më: 29/09/2016

Risitë e programeve të reja të klasës përgatitore

Risitë e programeve të reja të klasës përgatitore

Pjesë e reformës së plotë kurrikulare është edhe arsimi parashkollor. Përgjatë tri viteve është bërë e mundur që të hartohen dokumente të rëndësishme të cilat ndikojnë në mirëfunksionimin e këtij niveli arsimor. Hartimi i dokumentacionit të ri kurrikular është bërë me ekspetizë ndërkombëtare të ofruar nga UNICEF, ku ekipi i specialistëve shqiptarë është trajnuar dhe ka punuar në bashkëpunim me konsulencën ndërkombëtare. Në çdo hap të reformës është bërë e mundur sigurimi i ekspertëve ndërkombëtarë të mirënjohur për kontributet e tyre në reformat e shteteve të tjera.

  • Është hartuar Korniza kurrikulare e Arsimit parashkollor nga një grup i gjerë specialistësh të kësaj fushe, pedagogë të fakulteteve të mësuesisë, përfaqësues të DAR/ZA-ve, drejtues dhe mësues të arsimit parashkollor dhe nga përfaqësues të organizatave që punojnë në fushën e fëmijërisë së hershme.
  • Janë hartuar, pilotuar dhe po zbatohen “Standardet e zhvillimit dhe të të nxënit të fëmijëve 3-6 vjeç”, të cilat janë mbështetur si në zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare, po aq edhe në përvojën më të mirë shqiptare;
  • Janë hartuar programet e reja për vitin përgatitor, të cilat do t’i mundësojnë çdo fëmije 5-6 vjeç të jenë gati për një fillim të suksesshëm të shkollës; Nga MAS po studiohen dhe po vlerësohen të gjitha mundësitë që kjo moshë të kalojë si pjesë e arsimit të detyruar dhe të gjithë fëmijëve shqiptarë t’u ofrohen mundësitë e regjistrimit në klasën përgatitore përpara se të fillojnë klasën e parë; Grupi i specialistëve i ka hartuar programet e reja të parashkollorit në të njëjtën linjë dhe logjikë me arsimin e detyruar me qëllim ruajtjen e koherencës dhe të vijimësisë nga njëri nivel edukimi në tjetrin.
  • Këtë vit shkollor, 2016-2017, do të pilotohen programet e grupit të parë për fëmijët 3-4 vjeç. Programi i trajnimit të rreth 1500 mësuesve të arsimit parashkollor është hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë;
  • Kurrikula e re e ka qartësuar më shumë mësuesin duke respektuar lirinë e tij profesionale dhe fleksibilitetin në planifikimin e kurrikulës së re, si në nivelin parashkollor ashtu edhe në arsimin bazë.

Në këto vite, që po punohet me programin e ri përgatitor, po vihet re një kërkesë në rritje e numrit të fëmijëve që kërkojnë të frekuentojnë klasat përgatitore, të hapura pranë shkollave 9-vjeçare. Edhe takimi i zhvilluar në 29 shtator në  shkollën “Avni Rustemi” në Tiranë lidhet me kalimin e fëmijëve nga klasa përgatitore në klasën e parë. Mësues, prindër dhe specialistë të pranishëm në takim  zhvilluan nbisedë lidhur me :

  • Risitë e programeve të reja të klasës përgatitore dhe të dy klasave të para të arsimit fillor;
  • Domosdoshmërinë e bashkëpunimit të mësuesve të klasave përgatitore me mësuesit e ciklit fillor;
  • Lehtësimin e përshtatjes dhe të ambientimit më të mirë të fëmijëve në mjedisin e shkollës, kur ata e fillojnë që në klasën përgatitore;
  • Uljen e ngarkesës emocionale të fëmijëve kur fillojnë klasën e parë;
  • Mendimet dhe opinionet e prindërve në lidhje me përgatitjen e fëmijëve në klasat përgatitore dhe zbutjen e kalimit të tyre në klasën e parë;
  • Ndikimin që kanë ndier prindërit te fëmijët e tyre në lidhje me zhvillimin e një mësimi më praktik dhe konkret nga ana e mësuesve;
  • Evidentimin e ndryshimeve cilësore të programeve të reja krahasuar me programet e mëparshme, si të klasës përgatitore edhe të arsimit bazë;
  • Sfidat e MAS për të ulur numrin e fëmijëve në klasa në shkollat e Tiranës, për të mundësuar një cilësi më të mirë të mësimdhënies, por edhe për realizimin e veprimtarive që kërkon kurrikula e re e mbështetur në situatat e të nxënit.