Në datat 25-31 Mars një delegacion i nivelit të lartë arsimor nga qyteti i Vlorës, Durrësit dhe Tiranës vizituan Kinën me ftesë të Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri. Delegacioni i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë z. Koli Bele, përbëhej nga:
Rektori i Universitetit të Vlorës Prof. Dr. Roland Zisi
Rektori i Universitetit të Arteve Prof. Kastriot Çaushi,
Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski
Drejtori i Institutit Konfuci-UT, z. Erion Malaj
Këshilltari i Kryetarit të Bashkisë “Vlorë”, z. Jeton Puka
Drejtori i shkollës së mesme publike “Ali Demi” Vlorë, z. Roland Dervishi
Përfaqësuese e Ambasadës së R. P. të Kinës në Shqipëri, znj. Yljana Ylli.
Qëllimi i kësaj vizite ishte për të krijuar mundësi bashkëpunimi midis këtyre Institucioneve dhe Institucioneve arsimore në Kinë, duke shtuar kështu bashkëpunimet e reja dypalëshe.
Takimi i parë u zhvillua në BFSU, universitet partner i Universitetit të Tiranës dhe universitetit “Ismail Qemali” Vlorë. Kryetari i delegacionit z. Bele dhe Rektori i BFSU-së Prof. Dr. Peng Long vlerësuan zhvillimin e Institutit Konfuci-UT dhe interesin e studentëve tanë ndaj gjuhës kineze, si dhe promovimin e gjuhës shqipe në auditorët e Universitetit BFSU në Pekin. Më pas delegacioni zhvilloi një takim me studentët kinez të Gjuhës Shqipe, me drejtoreshën e Marrëdhënieve me jashtë Prof. Dr. Ke Jing, me dekanin e Fakultetit të Gjuhëve Evropiane dhe shefen e departamentit të gjuhës Shqipe.
Takimi i dytë u mbajt në zyrat qendrore të Instituteve Konfuci për mbarë botën, HANBAN. Delegacioni u prit nga drejtoresha për Evropën, znj. An Shi e cila informoi delegacionin mbi statistikat e Instituteve Konfuci në botë dhe rëndësinë e veçantë që Instituti Konfuci-UT ka në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit.
Takimi i tretë u zhvillua në qytetin Yangzhou, ku zv/kryetari i Bashkisë organizoi një darkë pune me delegacionin. Në krye të bisedimeve ishin marrëdhëniet midis qytetit Yangzhou dhe Vlorës, të cilat në vitin 2015 kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.
Takimi i katërt u zhvillua në qytetin Yangzhou, ku Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës përfaqësuar nga Rektorja, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e “Yangzhou” përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Jiao Xin’an.