Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Këshillin Britanik zhvilluan sot në gjithë vendin, pilotimin e testit ndërkombëtare të anglishtes “Aptis for Teens”, për t’u përdorur në provimin e detyruar të anglishtes për klasat e 9-ta.
Rreth 3000 nxënës në 175 shkolla në të gjithë vendin zhvilluan testin e “Aptis for Teens”, një testim i shkruar i nivelit A2 që është në përputhje me nivelin e gjuhës që zhvillojnë në shkollë nxënësit e klasave të 9-ta.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj dhe Drejtori i Këshillit Britanik për të gjithë rajonin, Andy Williams ndoqën nga afër pilotimin e testimit në shkollën “Bajram Gashi”, në fshatin Fllakë, Durrës.
Zëvendësministrja Malaj, duke i uruar suksese nxënësve, vlerësoi modelin e testit ndërkombëtar të gjuhës angleze, i cili sipas saj do të vendos një standard të ri për vlerësimin e njohurive gjuhësore të nxënësve.
“Testi i Aptis mundëson unifikimin e gjuhës angleze për nxënësit e klasave të 9-ta, sipas kornizës evropiane të kësaj gjuhe e në të njëjtën kohë mundëson edhe standardizimin e njohurive të nxënësve shqiptare, të krahasueshme me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në Evropë”, tha Malaj duke shtuar se kjo është edhe një mundësi e re për nxënësit që të përfitojnë certifikatë ndërkombëtare.
Sipas, Zëvendësministres Malaj, Ministria e Arsimit dhe Sportit, gjithashtu do të përfshijë në provimet e maturës, për lëndën e anglishtes, testimin e TOEFL.
Ministria e Arsimit dhe Sportit beson se integrimi i testeve ndërkombëtare do të sigurojë një cilësi dhe besueshmëri në vlerësimin e aftësive gjuhësore të ofruara nga sistemi arsimor shqiptar.