Postuar më: 03/03/2025

Rama-Manastirliu në Athinë: Nis programi i mbështetjes financiare për mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi

Athinë, 2 Mars – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu zhvilluan një takim me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku sapo ka nisur për herë të parë programi i mbështetjes financiare për 50 mësuesit e parë të gjuhës shqipe në Greqi.

“Ky është vetëm fillimi, grupi i parë i dallëndysheve që lajmërojnë këtë pranverë të gjuhës shqipe në Greqi dhe ambicia jonë është ta rrisim këtë numër, që të mos ketë zonë të pambuluar me mësues të gjuhës shqipe”, tha Kryeministri Edi Rama.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu tha se sot firmosen kontratat për 50 mësuesit e parë në Greqi.

“Programi ‘Mësuesit për Shqipërinë’, kjo nismë e qeverisë shqiptare, formalizohet sot me nënshkrimin e kontratave të 50 mësuesve të parë që mësojnë shqip në Greqi. Kjo është vetëm faza e parë e këtij programi, që ne duam ta shtrijmë edhe në shtete të tjera, për t’iu dhënë mundësi brezave të dytë e të tretë të shqiptarëve në diasporë, jo vetëm të ruajnë gjuhën e tyre por edhe të integrohen më lehtë, nëse zgjedhin të kthehen në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Për herë të parë mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe do të paguhen nga shteti për mësimin e gjuhës shqipe në Greqi.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se po krijohet një bërthamë profesionistësh, të licensuar që do t’u mësojnë fëmijëve të komunitetit shqiptar në Greqi shqipen mbi bazën e një programi, kurrikulave dhe teksteve të unifikuara, të cilat garantohen falas nga qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Të rejat e fundit