Tirana u bë mikpritëse e ministrave dhe përfaqësuesve të Arsimit të Europës Juglindore të cilët zhvilluan takimin e radhës në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Gjatë këtij takimi të dytë për krijimin e institutit ndërkombëtar të Europës Juglindore për teknologjitë e qëndrueshme, morëm pjesë përfaqësues nga qeveria e Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Greqisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Bullgarisë, Sllovenisë dhe Serbisë. Gjatë takimit pjesëmarrësit u dakordësuan në mënyrë unanime për krijimin e një instituti rajonal për Terapinë e Tumoreve dhe Hulumtimet Bio-mjekësore me protonet dhe jonet më të rënda e cila do të shërbejë për hulumtime dhe kërkime mjekësore nga shkencëtarë dhe kërkues shkencor të rajonit por edhe për trajtimin e pacientëve me metodat më të fundit shkencore të kohës.
Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë, Komiteti propozoi një memorandum bashkëpunimi reciprokisht të dobishëm që do të kontribuojnë në krijimin e një kornize për bashkëpunim në një mënyrë që do të nxisë ndërlidhje në fushat e shkencës, mjekësisë, teknologjisë dhe industrisë. Ky memorandum është iniciuar nga Presidenti i Bullgarisë, që do t’i propozohet të gjithë kryeministrave të shteteve për ta firmosur. Diskutimi i Memorandumit të Bashkëpunimit dhe procedurës së mëtejshme drejt nënshkrimit të planifikuar nga Kryeministrat e Rajonit do të bëhet në Samitin e ardhshëm BE-BB në 17 maj 2018 në Sofje, Bullgari.
Kjo iniciativë rajonale shkon në mbështetje të procesit te Berlinit për Ballkanin, ku një ndër shtyllat kryesore është rritja e mobilitetit të kërkuesve shkencorë, jo vetëm në hapësirën Europiane por mbi të gjitha brenda rajonit.
Krijimi i laboratorit ndërkombëtar në rajon, ka dy objektiva kryesore: Promovimi i shkencës dhe Teknologjinë, si edhe rritja e përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve të rajonit. Pasi shkenca është mënyra e vetme për të nxitur vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë duke lenë pas dasitë dhe konfliktet e vjetra në këtë pjesë të Evropës, të cilat gjatë dekadave të fundit, ende mbajnë të ndezur tensionin mes vendeve tona. Shkenca është ajo që mund të afrojë të rinjtë më shumë mes njëri-tjetrin për shkëmbim të eksperiencave më të mira pasi lëvizja e të rinjve në rajon do të sjell edhe zhvillim të ideve të reja dhe njohje më të mirë të tipologjive të vendeve tona.
Në takimin e sotëm u diskutua:
Vendimi mbi opsionin për Institutin
Diskutimi i Memorandumit të Bashkëpunimit dhe procedurës së mëtejshme drejt nënshkrimit të planifikuar nga Kryeministrat e Rajonit në Samitin e ardhshëm BE-BB në 17 maj 2018 në Sofje, Bullgari
Rregullat e Procedurës – diskutimi dhe miratimi i procedurës për zgjedhjen e kryetarit dhe bashkëkryesuesit
Formimi i Komitetit të Trajnimit dhe diskutimi për procedurën e mëtejshme
Kontributi i partnerëve në koston përgatitore